Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Zhbërja e fakteve në politikën perëndimore

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 14.10.2024 08:55
Blerim Shala
Blerim Shala

A kanë faktet fare relevancë për epilogun e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, të cilat do të mbahen me 5 nëntor?

Një pyetje e këtillë do të vlerësohej si e çuditshme, e gabuar, e pavend, madje edhe e marrë 12 vjet më parë, në zgjedhjet e vitit 2012-të në SHBA, e të mos flasim për atë periudhën e mëparme në politikën amerikane.

Por, pas fitores tronditëse të Donald Trumpit në dyluftimin e tij me Hillary Clintonin në ballafaqimin e vitit 2016-të  (e cila fitore madje e pati befasuar vet Trumpin), duket që kjo pyetje ka gjithnjë e më shumë peshë dhe rëndësi, në kuadër të dukurisë që tash e dhjetë vjet  (së paku), cilësohet si politikë post-truth  (e post të vërtetës).

Politika dhe e vërteta, dora në zemër, nuk është që kanë qenë shumë të afërta, apo që kanë qenë fort tolerante njëra me tjetrën. Kjo dihet.

Politikani, kudoqoftë ai, në akëcilën demokraci në të katër anët e Botës, më shumë manipulon me një të vërtetë që do të krijohet prej tij nëse ai merr besimin dhe mandatin për të udhëhequr me një vend, se sa me të vërtetën e mirëfilltë politike dhe shoqërore në këtë shtet.

Megjithatë, në politikën klasike në demokraci  (nëse mund të thuhet kështu), nuk ke mundur dot të sillesh si një politikan që hapur mohon të vërtetën, që publikisht propagandon gënjeshtrën, që mohon disa vlera dhe arritje tradicionale të cilat janë bartur brez pas brezi.

Nuk ke mundur pra të mos merresh me faktet  (e të gjitha llojeve dhe të gjitha fushave), sepse në të kundërtën faktet, përmes votave të qytetarëve që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor, janë marrë me ty, dhe këtë e kanë komunikuar në trajtë të reziltateve (fakteve) zgjedhore.

Por në këtë botën e politikës post-truth, dhe kjo dukuri po vërehet gjithandej në politikën perëndimore, ‘kandari’ që matë faktet është vënë krejtësisht jashtë përdorimit.

Në të kundërtën, nuk do të kishte dyndje të vazhdueshme të Popullizmit, që fillet i ka në mesin e dekadës së kaluar, me sukseset më të mëdha në trajtë të Brexit-it në Britaninë e Madhe dhe me fitoren e Donald Trumpit në SHBA.

Me çka atëherë politikanët ia mësynë t’i fitojnë zgjedhjet në Amerikë, në garën më të ngushtë dhe më të paqartë të mundshme në mes të Donald Trumpit  (i cili për herë të tretë me rradhë po merr pjesë në betejën më të rëndësishme politike në Botë) dhe Kamala Harrisit?

Cila është njësia matëse në këtë luftë të pakursyer politike?

Gjithçka këtu varet nga bindjet e votuesve. E këto bindje, në masë të madhe, janë të liruara nga faktet.

Në rrethanat e politikës së mëparme  (dikush këtu pa gabuar mund të thotë të ish-politikës), bindjet e votuesve i janë nënshtruar fakteve, megjithëse, edhe atëherë, ka pasur rol të rëdësishëm figura e një politikani, aftësia e tij për ta përçuar mesazhin e tij, për të krijuar një përshtypje të mirë për veten dhe për qasjen e tij politike.

Tani, në këtë politikën e sotme, faktet i nënshtrohen bindjeve, apo, thënë ndryshe, ato nuk arrijnë të kenë të thuash asnjë ndikim në bindjet që qytetarët kanë për kandidatët për postin e Presidentit të Amerikës.

Kush ta zëmë merret me statistikën që Pandemia e COVID-it, ka mbytur mbi 1.2 milionë amerikanë, apo njëzet herë më shumë se në Luftën e Vietnamit, e cila pati rrëzuar për toke politikën në Amerikë.

Në të gjitha luftërat në të cilat ka marrë pjesë Amerika  (prej shekullit XIX, përfshirë këtu edhe Luftën Civile), ka pasur gjithsejt 620 mijë viktima.

Po del që për tre vjet a më pak, COVID-i ka vrarë gati dyfishin e amerikanëve në krahasim me të gjitha luftërat.

Ky është vetëm një fakt, i cili as që përmendet në fushatën për zgjedhjet e sivjetme presidenciale.

Kush nuk merret me te.

Gjithçka këtu, në këtë përballje të pakursyer politike peshohet dhe matet sipas figurës së pretendentit republikan dhe demokrat për të fituar zgjedhjet dhe për të udhëhequr Amerikën (dhe jo vetëm) nga Shtëpia e Bardhë.

Kush çka ofron këtu, kush çka mund të bëjë tash e tutje si President i SHBA-së, kjo mbase nuk çon fort peshë.

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme