Zgjedhjet shqiptare mes religjionit dhe ideologjisë - Klan Kosova

Zgjedhjet shqiptare mes religjionit dhe ideologjisë

123
string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg"
5 years më parë
Ky shkrim i kushtohet të gjitha viktimave të Evropës dhe Turqisë nga terroristët e pamëshirë. I kushtohet edhe brutalitetit erdoganist mbi qytetarët e lirë të Turqisë dhe natyrisht, Mehmet Krajës, intelektualit të vetëm që përballet me shijen e keqe të vehabizmit. Dhe me barbarët e shkronjave që nuk argumetojnë, por fyejnë.

 

Një shkrim në New York Times i para disa ditëve akuzoi Arabinë Saudite se është duke e prishur harmoninë fetare në disa shtete të Ballkanit.
Kosova është njëra prej atyre që po përjeton ndikim fundamental të ndërrimit të vlerave të besimit.
Dikur, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë pasur lidhje me vlerat vehabiste dhe islamin politik.
Pyetja që do ta parashtronte secili që di diçka nga feja është: “Ç’kërkon Islami Politik dhe Vehabizmi Arab në trevat tona?”.
Askush nuk e ka shpjeguar plotësisht dhe me saktësi historike, teorike dhe empirike kompleksitetin e këtij ndryshimi në shoqërinë tonë.
Pra, kemi të bëjmë me një influencë që përçan, vran dhe terrorizon. Qoftë me akte, qoftë me shije, qoftë edhe me ndarje. Aq më keq që këta njerëz besimtarë na sillen si viktima dhe veten e konsiderojnë të diskriminuar.
Po i përshkruaj kufijtë tanë.
Nga të tria anët na dalin xhami n’mes rrugës. Kurrë s’kanë qenë më herët.
Një xhami në hyrje të Kosovës, përgjatë rrugës së autostradës, tregon arrogancën e investimeve në ndërtesa/xhami.
Krejt buzë rrugës, jashtë komunitetit, xhamia e ndërtuar së fundi i tregon udhëtarit se po hyn në një shtet mysliman. Simbolika e prezencës së kësaj xhamie pa asnjë arsye dhe krejt pa shije (e përsëris: jashtë komunitetit) rrëfen se shteti ynë nuk mërakoset për shkelje brutale urbanistike në emër të fesë dhe besimit.
Thjesht – ajo xhami duhet të rrëzohet.
Dhe njëherë e mirë t’iu tregohet të gjithëve se pëlqimi për ndërtim, qoftë edhe për kult fetar, duhet të jetë me plan.
Një sqarim naiv për influencën e Arabisë Saudite.
Vahabi dhe Saudi, njëri predikues islam, tjetri emir rajonal, në shekullin 18 kanë lidhur një marrëveshje për ndërtimin e një shteti fetar me emrin Arabia Saudite. Kjo fjali duket historike dhe nuk do të kishte kurrfarë kuptimi për cilindo prej nesh sikur të mos ndodhnin një seri ngjarjesh të tmerrshme në botën shqiptare. Ndonëse ky vend është aq larg dhe aq i panevojshëm për të ndërtuar me të një strategji të së ardhmes.
Shumë vite më heret e kisha lexuar një fjali nga Arbër Xhaferi: “Rreziku na vjen nga vehabistët”. Asokohe kjo fjali edhe s’kishte ndonjë kuptim për mua. Nuk kishte peshë, sepse ishim duke e shijuar lirinë në Kosovë dhe Maqedoni. Nuk e dëgjova askënd të komentojë dhe të thotë diçka për këtë lloj njerëzish që na sillen vërdallë.
Hyra nëpër web faqe dhe u mundova të kuptoj diçka për punën e tyre. Përvojë vështirë e përshkrueshme, prandaj as që dua t’ komentoj fjalitë që lexova.
Ishin për t’u frikësuar.
Ideologji nihiliste.
Destruktivitet.
Iracionalitet.
Por, dua t’i komentoj referencat faktike që po shkruhen dhe përmenden këto ditë në Kosovë: luftëtarët e ISIS-it dhe bashkëpjesëmarrja jonë në krimet europiane (dje në Mynih u vramë edhe ne).
Varrezat e shqiptarëve me fe myslimane që kanë pllaka përkujtimore me fotografi, janë thyer disa herë nga një sekt tjetër myslimanësh. Të njohur si vehabi.
Ishte rrahur më herët në një qytezë të Kosovës (në Deçan) njëri nga përfaqësuesit e Dëshmitarëve të Jehovait (emri i Zotit në hebraisht). Thuhet se rrahjen e kanë bërë të njëjtët persona që përdhosën varrezat.
Krejt kjo ka ndodhur para syve tanë, por asnjë nga ne nuk e ka trajtuar si fenomen në mënyrë komplekse dhe nga perspektiva të ndryshme të analizës, përveç transmetimit të situatës – si lajm, apo ndonjë kolumne përshkruese.
Personalisht nuk kam takuar njerëz që i takojnë këtij sekti. Dëgjova se baza e tyre është shtrirë gjithandej në Maqedoni. Shumë të shprehur janë edhe në Tiranë dhe në disa vende të Kosovës.
Një debat i së dielës më bëri shumë kurioz të mësoj për këta njerëz.
Pyeta gjithandej dhe të gjithë më thonin njëzëri: Mos u merr me ta. Janë të rrezikshëm. Janë të këtillë dhe atillë. Janë misonarë të ISIS-it dhe kanë principe të njëjta ideologjike dhe jetese.
Kanë mentalitet vetëflijimi dhe e bëjnë në emër të kësaj ideologjie, duke u përqëndruar në sulme kundër civilizimit dhe kulturës përendimore dhe gjithçkaje që simbolizon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj. Janë edhe kundër vetive myslimane ku paraqiten elemente të civilizimit përendimor.
Më dhemb shumë që ky debat për fenë islame po merr përmasa shqetësuese. Shamia është pjesë e përditshmerisë. Kurse rituali i shijes së munguar është prezent gjithandej. Në politikë po e thonë të kundërtën.
Nëse është kështu siç thuhet dhe shkruhet për ta, atëherë duhet të rikthehemi te kjo çështje aq delikate dhe aq të rëndë për ne si shqiptarë. Në këtë përthyerje civilizimesh dhe përleshjes së rëndë mes asaj që quhet kulturë perëndimore dhe kulturës lindore, po ballafaqohemi me një rrezik të rëndë brenda nesh, pikërisht për shkak të delikatësisë së identitetit kulturor dhe fetar. Ose, thënë më qartë, përcaktimit hermafrodit që shqiptarët i bëjnë vetes në emër të diversitetit kulturor.
Jemi me kulturën përendimore, por jemi edhe myslimanë që e duam Arabinë Saudite!
Ne jemi të çliruar nga amerikanët, por një pjesë e jona është kundër vlerave amerikane. Ky përcaktim hermafrodit i një pjese të qytetarëve tanë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, mbështet kursin radikal në emër të një kulture që s’e kemi prekur asnjëherë. Një kulture që s’e kuptojmë, por e “blejmë” për pak para dhe e shesim në formë ideologjie. Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, ajo po bëhet pjesë e jona dhe rrezik i përditshëm i influencës mbi ne si qytetarë.
Derisa lexoja komentet e analistëve mbi rreziqet e terrorizmit dhe luftimin e terroristëve në Britaninë e Madhe, dhe Europë, fitoja përshtypjen se në Perëndim po ndodh fenomeni i tmerrshëm i frikës. Perëndimi po frikësohet nga liria e vet! Po frikësohet nga ligjet e të drejtave të njeriut të cilat krijuan mundësi dhe solidaritet për të gjithë ata të strehuar nga Lindja dhe Azia.
Ata, për herë të parë, pas shumë vitesh, po mendojnë që elementet e tilla islamike duhet dëbuar nga vendi. Dhe kur thuhet “elemente islamike”, atëherë si rrjedhojë e gjuhës kjo shtrihet deri në myslimanin e fundit që është i dyshimtë për rrezikimin e lirisë së atij vendi.
Nuk mund të jenë aq bukëshkalë që prezencën dhe strehimin ta shndërrojnë në ide vrasëse. Mbi idenë e flijimit të vetvetes, këtë virus të harruar prej kohësh, i cili po përdoret për ta rikthyer Njeriun si Flijues, si i vetmi virus i cili mund ta shkatërrojë sistemin. Sistemin e vlerave perëndimore.
Në Paris, kontejnerët ku hidhen mbeturinat nuk janë më të metaltë. Janë plastikë dhe transparentë. Arsyeja e vetme është që të shihet gjithçka që është brenda tyre, gjë që do ta lehtësonte zbulimin e ndonjë eksplozivi potencial.
Gjuha që po përdoret në Perëndim karshi këtij fenomeni, dhe kësaj frike, për ata që kuptojnë – po na determinon përcaktimin tonë karshi Perëndimit dhe vlerave perëndimore.
Edhe pse kjo përleshje duket se është larg nesh, është e vërejtshme se po na prek ndjeshëm dhe më shpejtë se sa që ne po e perceptojmë. Po na prek aty ku ne konsiderohemi më të dobëtit, edhe pse jo rrallë mburremi për trekonfensionalitetin tonë.
Përcaktimi ynë i deritanishëm hermafrodit karshi fenomeneve dhe besimit kërkon përkushtim intelektual dhe kombëtar për dalje nga kjo situatë. Kërkon një guxim dhe rishqyrtim të identitetit tonë fetar. Sepse ne si komb asnjëherë deri më tani nuk e kemi pasur fenë si pjesë të ndihmesës së çështjes kombëtare. Ky përcaktim hermafrodit i shqiptarëve gjithandej ka ndërtuar një ideologji të shqiptarizmës duke lënë gjithë popullin pa një kod komunikimi dhe besimi. Ideologji kjo jofunksionale dhe e bërë copë-copë në mungesë të ndihmesës së faktorit fetar, i cili gjtihandej në botë ka qenë përcaktues i shteteve stabile.
Përleshja e civilizimeve – që pashmangshëm po na vjen – duhet të na gjejë të përcaktuar dhe të qartë në identitetin tonë.
Njeriu si fenomen i fuqisë individuale njëherë ka vdekur. Por, po na kthehet si i gjallë dhe si vetvrasës ka hyrë brenda sistemit.
Sistemi ka qenë mbrojtja dhe kultura perëndimore, e cila nuk rrezikohej nga askush. Sepse është dashur shumë kohë që të mbetet e paprekshme dhe funksionale.
Bota myslimane vehabiste e ktheu Njeriun në jetë, por jo si fenomen të karizmës dhe fuqisë individuale, as të cilësimeve të forta për ta ndërruar sistemin në veten e parë, por e ktheu Njeriun si virus të sistemit.
Njeriun Bombë.
Njeriun Vetëflijues.
Ne, si shqiptarë duhet të gjejmë rrugën tonë më të mirë në këtë përplasje civilizimesh: jemi për kthimin e njeriut vrasës, apo ruajtjen e sistemit të vlerave?
Komentuesit po thonë se të dyja palët kanë të drejtë: edhe bota myslimane që nuk e do ndryshimin, dhe Perëndimi që dëshiron ta bëjë ndryshimin atje në emër të vlerave dhe sistemit. Kur të dyja palët mendojnë se kanë të drejtë dhe nuk heqin dorë nga bindja e tyre, atëherë ndodh kjo që po ndodh.
Prej kur kanë filluat të shfaqen “njerëzit me mjekrra”, qytetarët kanë nisur t’i debatojnë tri gjëra: E para, a na dëmton kjo politikisht në një kohë shumë të papërshtatshme; e dyta, a ka rrezik të aktivizimit të tyre si në vende tjera
Kurse optimistët besojnë se janë vetëm disa raste të izoluara që nuk do të përsëriten

Ka ardhur koha që të ballafaqohemi me të vërtetën.
Unë them që më mirë është ta shijojmë sistemin e vlerave.
Por, assesi me logjikën e hermafroditit – edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen.
Kështu, ne po gënjejmë.
Askë tjetër, përveç vetes sonë.