Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës  (I) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës  (I)

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
24.12.2020 09:46

Të gjitha udhët e shfrytëzuara prej politikanëve dhe partive politike në Kosovë gjatë këtij viti, na çuan, si shoqëri dhe si shtet në një qorrsokak, i cili imponon mbajtjen e domosdoshme të zgjedhjeve të reja të përgjithshme.

 A janë befasi zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen, sipas të gjitha gjasave, në muajin shkurt të vitit 2021?

Përgjigjja e shkurtët është: Jo. Fare. Përkundrazi.

Në shtetin e Kosovës, siç është theksuar shpesh, asnjëherë nuk kemi pasë zgjedhje të rregullta parlamentare. Që nga dhjetori i vitit 2010-të, deri në shkurtin e vitit 2021, do të mbahen pesë palë zgjedhje parlamentare, të cilat realisht, thuaja e përgjysmojnë, atë mandatin e rregullt katërvjeçarë të një Kuvendi dhe të një Qeverie.

Në po të njejtën periudhë, kemi pasur gjashtë Qeveri dhe pesë Kryeministra.

Nuk mund të flitet dot për kurfarë stabiliteti politik në Kosovë, me këto shënime bazike statistikore për dinamikën e zgjedhjeve, si dhe të funksionimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, në po të njejtin hark kohor, kemi pasë Qeveri në detyrë (dhe Kryeministër në detyrë) për 18 muaj të plota.

Sidoqoftë, duket që këto zgjedhjet e reja të parakohshme, janë më të pritshmet në këtë historinë e demokracisë parlamentare në shtetin e Kosovës, për shumë shkaqe.

I gjithë viti politik është karakterizuar me tensione dhe probleme të mëdha.

Në vitin 2020 kemi hyrë me një Qeveri në detyrë  (të Kryeministrit Ramush Haradinaj), prej tij po dalim me një tjetër Qeveri në detyrë  (të Kryeministrit Avdullah Hotit).

Me Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, del që nuk ka pasë, de jure, asnjëherë Qeveri të Kryeministrit Hoti, teksa ajo e Kryeministrit Albin Kurtit, zgjati vetëm 52 ditë.

Situata edhe ashtu e ndërlikuar politike në vend, u rëndua tej mase në fillim të muajit nëntor, me shpalljen e Aktakuzave, nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, për katër zyrtarë të lartë të UÇK-së, në mesin e të cilëve ishte edhe Presidenti Hashim Thaçi.

Më në fund, në vijim të dorëheqjes së Presidentit të Kosovës para shkuarjes për Hagë, u kuptua që gjasat për ta zgjedhur Presidentin e ri të vendit, me praninë e së paku 80 deputetëve në seancën e Kuvendit  (në përputhje me Aktgjykimin e njohur të Gjykatës Kushtetuese të marsit të vitit 2011), janë kurfare, dhe që më së voni në fund të muajit janar  (të vitit të ardhshëm), partitë politike parlamentare, do të detyrohen të dakordohen për datën e zgjedhjeve të reja, me qëllim që të shmanget kaosi legal dhe politik pas 5 majit të vitit të ardhshëm, kur Vjosa Osmanit i skadon mandati i Ushtrueses së Detyrës të Presidentit.

Natyrisht, tani janë rrethanat e reja dhe ky afat më nuk vlenë.

Të gjitha udhët e shfrytëzuara prej politikanëve dhe entiteteve politike në Kosovë gjatë këtij viti  (edhe pak më shumë), na çuan, si shoqëri dhe si shtet në një qorrsokak, i cili imponon mbajtjen e domosdoshme të zgjedhjeve të reja të përgjithshme.

Sebepi do të vinte apo do të gjindej në njërën apo tjetrën mënyrë. Kësaj here, ai mbërriti në trajtë të një Verdikti të Gjykatës Kushtetuese.

Me gjasë, ky Aktgjykim na shfaqet si një ‘rrethanë lehtësuese’ politike për të gjithë akterët politik në vend, duke përfshirë edhe vet Qeverinë aktuale të Kosovës.

Marrëdhëniet midis partnerëve qeverisës janë shquar me përplasje dhe mospajtime të thella, të cilat shpeshherë ia kalonin atyre të zakonshmëve në mes të Qeverisë dhe opozitës.

Natyrisht, këto raportet midis qeveritarëve dhe opozitarëve, në botën shqiptare politike  (në Kosovë dhe në Shqipëri), janë përherë të çrregulluara, të çoroditura, pa mundësi të një bashkëpunimi themelor për ato temat e mëdha të rëndësisë strategjike për vendin, me përjashtime tepër të rralla  (te ne ky ishte rasti me Ligjin për mëkëmbjen ekonomike, me rolin që e pati PDK si parti opozitare).

Pastaj, komunikimi i tre Kryeministrave të fundit me Presidentin e vendit ka qenë krejtësisht formal dhe teknik, pa ndonjë dakordim substancial dhe domethënës për politikën shtetërore.

Më në fund  (dhe pothuaj që nga fillimi i vitit, apo, nga muaji mars), Kosova, si edhe e gjithë Bota, është detyruar të ballafaqohet me sprovën e madhe të Covid-19, e cila do të reflektohet tek ne edhe me një rënie ekonomike prej më shumë se 7%.

Kosova, si edhe e gjithë Bota, shpreson që në vitin 2021 do të ndodhë një lloj i ‘resetimit’ të ekonomisë dhe të asaj gjendjes ‘normale’  (apo të vendosjes së një ‘normaliteti të ri’), ndërsa në rastin tonë, mendohet që mund të ketë edhe një lloj të mëkëmbjes politike, e cila rëndom lidhet me organizimin e zgjedhjeve të reja, të cilat diçka të tillë  (apo, një ‘normalitet politik’), nuk kanë prodhuar në Kosovë prej atyre zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2014-të e këndej.

Te ne mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve të përgjithshme, me këto pritjet e mëdha për këndellje politike, po i përngjet blerjes së tiketës së llotos, me atë pritjen që fati do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore, poqëse do të fitohet ai çmimi kryesor.

Sidoqoftë, dihet qysh tash që në muajin tetor të vitit të ardhshëm do të kemi edhe zgjedhjet për pushtetin lokal  (për Kryetar të komunave dhe për asambleistë), prandaj, kur dihet se sa kohë ne rëndom po konsumojmë për t’i certifikuar rezultatet e zgjedhjeve dhe për konstituimin e pushtetit në dy nivelet  (ate qendror dhe lokal), duket që i gjithë viti 2021 do të jetë vit zgjedhor, teksa ai ‘resetimi politik’, edhe në variantin më të mirë të mundshëm, nuk do të mund të bëhet para vitit 2022.

Pra, mund të parashikohet me një saktësi të madhe  (te ne zatën befasi për të mirë nuk ka tash e shumë vjet prapa, ndërsa befasitë për të keq janë goxha të shpeshta), që edhe viti i ardhshëm në Kosovë do të karakterizohet me probleme të mëdha, të gjitha llojeve, edhe nëse disi ne do të shpëtojmë nga virusi, pas vaksinimit masiv të popullatës.

Nëse këtu i kthehemi zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend, duket që kemi disa të njohura por edhe disa të panjohura, të cilat së bashku e përbëjnë atë ‘ekuacionit politik dhe zgjedhor’ të matjes, me fuqinë e votës, të politikanëve dhe të partive në Kosovë.

E panjohura e parë ka të bëjë me numrin e votuesve që do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Në ato votimet e kaluara të 6 tetorit, nga ajo shifër krejtësisht joreale e votuesve në Listat e KQZ-së, apo, nga 1.961 milion veta, patën marrë pjesë në zgjedhje 826,916 qytetarë të regjistruar, apo, 44.56%.

Përqindja e pjesëmarrjes në votime nuk po pëson rënie dhe ngritje të mëdha, teksa po i përshtatet apo po i adaptohet numrit të shtuar të votuesve  (të atyre që me moshën e tyre madhore kualifikohen për të votuar).

Megjithatë, kësaj here, zgjedhjet do të mbahen në dimër, moti mund të jetë i keq, dita është e shkurtër, prandaj, nuk do të jetë lehtë për partitë dhe liderët e tyre që ta mobilizojnë përkrahjen për kandidatët e tyre për të marrë mandatin në legjislaturën e tetë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë.

Një tjetër element mund të jetë ‘rrethanë vështirësuese’ në këtë kontekst: Janë vetëm 16 muaj në mes të dy palë zgjedhjeve në Kosovë, gjë që është një ‘rekord’ për të keq midis dy votimeve në vend, gjë që gjithsesi mund të lë pasoja tek ata qytetarë të Kosovës, të cilët nuk do të motivohen dot për t’i vizituar Qendrat e votimit nëpër gjithë vendin.

 

Nesër: Negociatat për krijimin e pushtetit qëndror, pas këtyre zgjedhjeve, do të bëhen në mënyrë të njëkohshme për dy postet kyç në institucionet qendrore të Kosovës: Atë të Presidentit dhe të Kryeministrit.

 

lajme të ngjashme