Zgjedhjet 2020 kushtojnë 11 miliardë dollarë – ku i marrin ato para Trump e Biden? - Klan Kosova

Zgjedhjet 2020 kushtojnë 11 miliardë dollarë – ku i marrin ato para Trump e Biden?

string(12) "Gazmend Syla" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2016/05/Gazmend-Syla-2.jpg"
3 javë më parë

Donald Trump ka “arkëtuar” 476 milionë dollarë për fushatën e tij elektorale, deri në fund të shtatorit. Rivali i tij, demokrati Xho Bajden 55 milionë më shumë, 531 në përgjithësi.

Të dy pritet të kapin edhe shuma tjera të mëdha, deri më 3 nëntor, kur amerikanët vendosin se cili nga këta dy do të jetë kryetar i tyre, në 4 vjetët e ardhshme.

Tradita e mëhershme sygjeron, ndonëse jo domosdoshmërisht, se ai që shpenzon më tepër në fushatë, bëhet president.

“Po, kandidati që shpenzon më tepër fiton, në 9 nga dhjetë herë”, tha Sheila Krumholz, drejtoreshë ekzekutive në “Center for Responsive Politics”, kur u pyet nga Klan Kosova, gjatë një takimi online me gazetarë nga e gjithë bota që me ftesë të Departamentit të Shtetit po mbulojnë, virtualisht zgjedhjet presidenciale në amerikë. “Ky është një realitet i ashpër i politikës amerikane…Paraja është një dritare fascinuese përmes së cilës shikohet politika. Dhe është një element kritik për fushatën fituese”.

Sipas “Center for responsive Politics”, shpenzimet politike të këtij viti për ta zgjedhur presidentin, por edhe një të treten e Kongresit (bashkë me zgjedhjet për president, amerikanët votojnë sivjet edhe për Senat, Dhomë të Përfaqësuesve, por edhe për pozita me rëndësi në shtete federale vec e vec), ka gjasë të mbërrijnë në 11 milardë dollarë. Kjo është 50 për qind më tepër se zgjedhjet e vitit 2016, kur ishin shpenzuar pak mbi 7 miliardë dollarë

“Zgjedhjet 2020 do të kapërcejnë gjithcka kemi parë – ose imagjinuar – më parë”, tha Krumholz në një deklaratë. “Pyetja që nuk merr dot përgjigje është nëse ky do të jetë një normalitet i ri për zgjedhjet e ardhshme”.

Por, ta fitosh një garë, nuk është se domosdo duhet të kesh më tepër para. Sipas Krumholz, duhet organizim i mirë i fushatës, karizmë e mirë për t’u lidhur me votuesit dhe afinitete tjera në mënyrë që të triumfohet.

“Në një pikë të fushatës, nëse ata dy (kandidatët) kanë grumbulluar miliona dollare, atëherë ka të bëjë më pak me paranë e më tepër me atë se si po e bëjnë fushatën. Pra, paraja është esenciale, por nuk është gjithcka”, tha ajo.

Dhe në këtë aspekt, ka shumë rëndësi se ku e si shpenzohet paratë e fushatës. Në fillim, kandidatët harxhojnë më shumë në themelimin e zyrave të tyre në terren. Sa më shumë që afrohen zgjedhet, sipas Krumholz, fokusi ndryshon dhe orientohet kah mediet dhe mbërritja te votuesit potencialë.

“Tashti ata harxhojnë për të dërguar porositë e tyre te votuesit. Kjo është tipike për të gjitha fushatat”, tha ajo.

Por, ka edhe forma tjera të shpenzimeve, disa prej të cilave, nëse janë të papërshtathsme, u shkojnë më tepër në favor rivalëve.

“Më 2008, kur ndaj (Barak) Obamas dhe (Joe) Bidenit (kandidatëve demokratë për president dhe zëvendëspresident) po garonin (John) McCain dhe (Sarah) Palin (kandidatët republikanë), kjo e fundit u kritikua se shpenzoi 150 mijë dollarë për rroba të shtrenjta në Neiman Marcus. Për këtë u fol shumë”, tha drejtoresha e “Center for Responsive Politics”.

Paratë që kandidatët për president te Amerikës grumbullojnë për fushatat e tyre vijnë kryesisht nga donacionet, përfshirë ato të individëve (që mund të japin deri në 200 dollarë maksimumi) dhe organizatave. Por, janë edhe ato që njihen si Komitetet për Aksion Politik (Political Action Committee) – PAC, të cilat kontribuojnë.

Këto organizohen me qëllim të mbledhjes dhe shpenzimit të parave për ta zgjedhur ose mposhtur një kandidat. Shumica e PAC-ëve përfaqësojnë interesa ideologjikë, të bizneseve ose sindikatave, që janë pro ose kundër një kandidati a partie. Ato, sipas uebfaqes opensecrets.org (që monitoron mënyrat se si financohen fushatat zgjedhore politike në Amerikë) mund të pranojnë deri në 5 mijë dollarë nga një individ, në vit. Po ashtu, një PAC mund t’i japë deri në 5 mijë dollarë një kandidati për zgjedhje.

E përvec PAC-ëve, janë edhe super PAC-ët. Këto nuk japin kontribute të drejtpërdrejta te kandidatët ose partitë. Ato, megjithatë, bëjnë shpenzime të pavarura në gara federale, që në mënyrë specifike avokojnë për zgjedhjen ose humbjen e një kandidati. Sipas opensecrets.org, nuk ka limite ose restriksione për burimet e fondeve që mund të shfrytëzohen për këto shpenzime.

“Dallimi ndërmjet një PAC-u dhe një super PAC-u është se PAC-u mund të pranojë dhe shpenzojë shuma të limituara të parave nga burimet e kufizuara, ndërsa superfuqia e super PAC-ëve është se ata mund të pranojnë para nga cfarëdo burimi dhe mund të shpenzojnë pakufi shuma, por kjo nuk mund të bëhet në koordinim me fushatat e kandidatëve. Këto duhet t’i raportojnë shumat e marra te Komiteti Federal Zgjedhor, por nuk janë të obliguara të trgojnë se kush i ka dhënë ato, pra, nuk e zbulojnë burimin original të parave”, tha Krumholz.

Kjo mundësi që ofrojnë Super PAC-ët, shfrytëzohet mirë nga kandidatët që garojnë në zgjedhje. Ata, sipas saj, e gjejnë një zgjidhje duke futur në stafin e super PAC-ëve ish anëtarë të fushatave të veta.

“Pra, mund të mos ketë një koordinim teknik, por është goxha lehtë të kalohen këto barriera në mënyrë që t’i bëjnë super PAC-ët një zgjatje të fushatës së tyre”, deklaroi Krumholz.

Se çfarë mund të bëjë një super PAC e tregon mirë edhe fakti se super PAC-u që është pro Trumpit, “America First Action” ka grumbulluar fonde në vlerë prej 98.9 milionë dollarë vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti. Kështu, ky super PAC, sipas foxbussines.com, e kaloi super PAC-un pro Biden, “Priorities USA” për 6.5 milionë dollarë, duke qenë se kjo e fundit, në muajt korrik-gusht-shtator mblodhi 92.4 milionë dollarë.

Sipas të dhënave të opensecrets.org, 2 mijë e 113 grupe të organizuara si super PAC-ë kanë raportuar se deri më 3 tetor 2020, kanë pranuar 1 miliardë e 419 milionë e 373 mijë dollarë, ndërsa që shpenzimet e tyre të pavarura për ciklin zgjedhor 2020, janë 868 milionë dollarë.

Duke qenë se për ta grumbullohen kaq shumë para, kandidatët nuk marrin para nga shteti. Në fakt, dikur ka qenë një program që u ka siguruar atyre shuma të caktuara, të cilat, po ashtu, janë tubuar nga individët në shtete federale, veç e veç. Por, krejt kjo ishte e limituar, ndonëse fondi shtohej cdo cikël zgjedhor.

“Kandidatët nuk preferuan më të marrin pjesë në këtë program, pasi e dinin se mund të grumbullojnë shumë më tepër para sesa që do t’ua jepte qeveria. Po ashtu, ata u tërhoqën edhe për faktin tjetër se ata, në këmbim të pranimit të këtyre fondeve publike, duhej të pajtoheshin për kufizime në shpenzime…George Bush ishte i pari kandidat që e refuzoi këtë program”, tha Krumholz. “Ishte një program i pambështetur mirë, qysh prej fillimit. Amerikanët nuk e kuptuan asnjëherë si funksiononte”.

Zgjedhjet në Amerikë mbahen më 3 nëntor.

Ky shkrim është pjesë e projektit “Zgjedhjet 2020: Një turne virtual raportimi për Shtetet e Bashkuara dhe procesin elektoral të Amerikës”. Autori është përzgjedhur të jetë pjesë e këtij projekti nga Departmenti i Shtetit, që realizohet nga Foreign Press Centers në bashkëpunim me Meridian International Center.