Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Zgjedhja e betejës së humbur

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 09.01.2023 15:08

Thuhet, me të drejtë, që në politikë dhe në diplomaci assesi nuk duhet të zgjidhet beteja/fushëbeteja e cila garanton disfatën e plotë.

Nuk është edhe aq e shpeshtë kjo situatë. Për shkaqe të njohura për të gjithë. Të rralla, shumë të rralla madje, janë betejat që kanë të sigurt epilogun e fitores dhe të humbjes së qartë.

Sidoqoftë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para fundvitit, bëri pikërisht këtë gjë kur përgatiti Kërkesën zyrtare për KFOR-in (lexo: Aleancën Veriatlantike, lexo: SHBA-në), për kthimin deri në një mijë të forcave ushtarake të Serbisë në Kosovë, siç shprehej ai, në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (lexo: Marrëveshjen teknike – ushtarake të qershorit të vitit 1999).

Madje, Vuçiqi u shpreh publikisht qysh ato ditë, që e ka të ditur tashmë përgjigjen e KFOR-it. Ajo do të jetë negative, shtoi ai.

Pak ditë më parë, Vuçiqi e mori përgjigjen e Misionit të KFOR-it e cila ishte identike me pritjet e tij.

Nuk ishte pra kurrfarë befasie për të çfarë pati për të thënë Brukseli zyrtar (selia e Paktit NATO), në këtë kërkesë thellësisht të gabuar të Beogradit zyrtar.

Vuçiqi nuk u durua pa bërë komentet shtesë në këtë përgjigje të KFOR-it. Sipas tij, KFOR-i në të vërtetë nuk ka fare të drejtë që t’ia mohojë të drejtën trupave serbe të stacionohen në Kosovë, dhe që ai mund madje edhe t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të mund ta siguronte përkrahjen e Federatës së Rusisë për një gjë të tillë.

Ky, megjithatë shtoi se nuk do ta ndërmarr një veprim të këtillë, sepse edhe këtu ai e di se si do të ndahej, teksa, në një debat eventual në East River, Serbia do të rreshtohej me Rusinë. Kjo gjë, nuk është aspak në interes të tij, në rrethanat e njohura, pas invazionit të forcave ruse në Ukrainë.

Nuk ia vlen shumë kohë të harxhohet në argumentimin që Vuçiqi edhe këtu e ka gabim: Sipas Marrëveshjes teknike – ushtarake të Kumanovës, Komandanti i KFOR-it është autoriteti suprem për vlerësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë. Kaq është kjo punë.

Mund të spekulohet, natyrisht, ditë dhe natë se çfarë deshi të arrijë Vuçiqi me këtë Propozim i cili, së paku, konfirmoi që ai është në gjendje, qoftë edhe me një ’bombë prej tymi’ (të ngjashme me ato ‘shok bombat’ të cilat vartësit e tij i ‘shkepën’ anekënd veriut të Kosovës në fillim të dhjetorit), ta provokojë dhe tensionojë edhe më shumë gjendjen edhe ashtu të rënduar në veriun e Kosovës.

Në këtë mënyrë, me gjasë, ai u ’shfajësua’ para opinionit të vet të brendshëm që Serbia, prej vitit 1999 e këndej, nuk ka gjë në dorë kur bëhet fjalë për sigurinë në Kosovë. Ai vet, zatën, në disa raste, para qytetarëve serbë në Kosovë, ka konstatuar që në Kosovë ekziston një kornizë e veçantë ligjore (të cilën serbët e Kosovës duhet ta respektojnë), që në Kosovë ka një jurisdiksion tjetër që është në fuqi.

Por ai nuk ka reshtur në vitet e fundit, e veçmas gjatë vitit të kaluar (2022), për ta mohuar në shumë mënyrë, qoftë edhe me barrikada, këtë jurisdiksion, këtë kornizë ligjore dhe kushtetuese, e edhe vet rolin që KFOR-i ka në Kosovë që nga viti 1999.

Nuk ka kurrfarë sigurie që ky nuk do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë edhe gjatë këtij viti, kur do të intensifikohen përpjekjet ndërkombëtare (në partneritetin BE – SHBA), për t’i dhënë epilogun bisedimeve të Brukselit në formë të Marrëveshjes themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zatën, jurisdiksioni i autoriteteve të Prishtinës në gjithë territorin e Kosovës (lexo: tërësia territoriale, kufijtë dhe sovraniteti i Kosovës), si dhe garancat e Paktit NATO të sigurisë së Kosovës, janë të padiskutueshme në Prishtinë, në Bruksel, në Washington dhe kudoqoftë në Perëndim.

Në rrethana normale, të cilat aktualisht nuk kanë të bëjnë gjë me realitetin në Veri, pikërisht për shkak të kësaj qasjeje të Presidentit të Serbisë i cili edhe këtu është futur në një betejë të paracaktuar për ta humbur, (sepse pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme), disfata e fundit e Vuçiqit me refuzimin e Kërkesës së tij prej KFOR-it, do të mund të shfrytëzohej për të mirë, apo, për kthimin në atë tryezën e bisedimeve të Brukselit, aty ku do të duhej të dakordohej përmbajtja e Marrëveshjes themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, do të ishte befasi nëse Vuçiqi do ta bëjë një gjë të tillë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme