Vullneti i popullit dhe Forca e ligjit  - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vullneti i popullit dhe Forca e ligjit 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
05.02.2021 09:13

Forca politike e askujt në Kosovë, pa marrë parasysh se e reflekton ajo votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, nuk mund të jetë përmbi ligj, dhe mbi institucionet qendrore të vendit që i organizojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike në Kosovë.

Vullneti i qytetarëve në një shtet demokratik, apo, vullneti i popullit  (si thuhet rëndom), nuk është një kategori e përhershme politike, e cila si e tillë, subordinon organizimin kushtetues dhe legal të këtij shteti demokratik.  

Vullneti i popullit është kategori relative politike, dhe ai na shfaqet, thuaja gjithmonë i ndryshuar, i evoluar, sa herë në një shtet organizohen zgjedhjet për pushtetin qendror dhe lokal  (teksa këto zgjedhje gjithmonë mbahen në bazë të një Kornize ligjore të qartë).

Pra, qytetarët/ votuesit, ‘flasin’ dhe zgjedhin rëndom 12-14 orë në një ditë të fundjavës, një herë në disa vjet, dhe kjo është dita kur politikanët heshtin, teksa pas shpalljes së rezultateve të shfaqjes së këtij vullneti politik, ata e respektojnë këtë zgjedhje dhe e bëjnë apo e organizojnë pushtetin në nivelin qendror, apo në atë lokal, në përputhje të plotë me votën e lirë.

Vullneti i popullit është kategori absolute politike shumë rrallë, kur ndodhë krijimi i një shteti të ri, në një territor, me kufij të njohur dhe me pushtet të qartë  (tipare këto të domosdoshme për ta bërë një shtet, dhe për ta kërkuar njohjen e tij), apo, kur ndodhë ndryshimi i statusit të një territor të banuar me një popull i cili tashmë ekziston si entitet politik.

Ky vullnet pra nuk sprovohet shpesh. Përkundrazi.

Ta zëmë, në rastin e Kosovës, dihet që Referendumi i shtatorit të viti 1991, për pavarësinë e Kosovës, ka shfaqur në mënyrën më të qartë të mundshme vullnetin e popullit të Kosovës.

Ndërsa, të zgjedhur e këtij populli, në zgjedhjet parlamentare të nëntorit të vitit 2007, kanë pasur mandat të duhur politik dhe legal, (sepse statusi i Kosovës ishte negociuar nga faktori ndërkombëtar dhe Presidenti Ahtisaari, Emisari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, gjatë Procesit të Vienës, dhe prej tij ishte Propozuar që Kosova të bëhet shtet i pavarur, me mbikëqyrje fillestare ndërkombëtare), që në Kuvendin e Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008, ta shpallin pavarësinë e Kosovës.

Përtej këtyre dy rasteve kur vlenë, në plotëninë e tij, vullneti i popullit, për ta caktuar statusin politik dhe juridik të një territori  (një herë e mirë), dhe për ta zgjedhur pushtetin në shkallë vendi dhe në atë të njësisë së organizimit të pushtetit lokal  (një herë në disa vjet, rëndom në katër vjet), ky vullnet nuk mund të përdoret në kurfarë rrethana të tjera politike.

Qytetarët e një shteti demokratik, edhe të Kosovës, dhe gjithsesi, edhe politikanët e tij, në ndërkohë, kur nuk ka zgjedhje të lira, dhe kur nuk ri-shtrohet si çështje statusi i territorit në të cilin vlenë ky pushtet demokratik, respektojnë në plotëni Organizimin kushtetues dhe ligjor të atij shteti.

Me asnjë çmim, nuk mund të ketë kontestim të këtij Organizimi kushtetues dhe ligjor, apo, dihet se si kudo në një shtet demokratik, e edhe në rastin e Kosovës, mund të inicohen ndryshimet e Kushtetutës dhe të Ligjeve përkatëse.

Vullneti politik i popullit i shfaqur në votimet e lira, pa marrë parasyshë se çfarë konfiguracioni i ri i skenës politike në vend ndërtohet përmbi këto zgjedhje, nuk mundet assesi të krijojë rrethana imediate për ta bërë ndryshimin e aspektit legal të organizimit të pushtetit dhe të shtetit, si dhe amandamentimin e Kushtetutës dhe të ligjeve.

Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë liderët dhe partitë politike në vend, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Në këtë kontekst pra, pasiqë janë shterrë të tri nivelet e trajtimit të çështjes së Listave të kandidatëve për deputetë të subjekteve dhe koalicioneve pjesëmarrëse në zgjedhje (ndërsa ky rrëfim politik dhe ligjor është i njohur për të gjithë ne), apo, niveli i KQZ-së, i PZAP-it dhe i Gjykatsë Supreme, duke respektuar Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të muajit dhjetor  (të vitit të kaluar), entitetet politike që do të përballen me këtë vullnetin relativ të popullit i cili do të shfaqet dhe do të zbardhet të dielen e dytë të muajit shkurt, do të duhet ta pranojnë Vendimin për Listat e kandidatëve për deputetë.

Megjithatë, bazuar në deklaratat për opinion të ditëve të fundit të Albin Kurtit, Kryetarit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe të nominuarit për Kryeministër të kësaj partie, por edhe të përfaqësuesve të tjerë të këtij subjekti që shquhet si favorit për të dali më i votuari në këto zgjedhje, duket që ky subjekt nuk e ka ndërmend ta mbështesë Vendimin e KQZ-së, sipas të cilit, Kurti, për shkaqe të njohura, nuk ka të drejtë të kandidojë për deputet në përbërjen e Legjislaturës së tetë të Kosovës. Përkundrazi. 

Duke u thirrë në vullnetin e popullit të Kosovës  (për të cilin folëm më parë), i cili tek duhet të na dëftohet përmes fletëvotimeve të 14 shkurtit, Kurti dhe zyrtarët e tjerë të kësaj partie, synojnë të krijojnë raporte të përplasjes publike në mes të qytetarëve/ përkrahësve të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, ku pjesa më e madhe e tyre (në mos edhe të gjithë), do ta shenjojnë Nr.1 në Listën iniciale të kësaj partie, apo, Albin Kurtin, (edhe pse diçka e tillë formalisht është e paligjshme, apo, kjo votë nuk do të duhej fare të numërohej dhe të llogaritej), dhe Vendimit të njohur botërisht të KQZ-së.

Përmes këtij demonstrimi të një fuqie politike reale të Kurtit dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në ditën e zgjedhjeve  (me 14 shkurt, pra), duke shpërfillur ‘Rregullat e lojës’  (të përcaktuara me Kornizën ligjore), kjo parti synon ta zhvlerësojë dhe diskreditojë Vendimin e KQZ-së, edhe pse ndryshimi i saj, në formën e Certifikimit të Albin Kurtit si deputet i Kuvendit të ri të Kosovës, është ligjësisht i pamundur.

Forca politike e askujt në Kosovë, pa marrë parasyshë se sa dhe si e reflekton ajo votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, nuk mund të jetë përmbi Ligj dhe mbi institucionet qendrore të vendit që i organizojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike në Kosovë.

Askush në Kosovë, veçmas jo dikush që synon të jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, vetëm pas disa muajsh, nuk do të duhej ta testojë dhe ta sfidojë në këtë mënyrë KQZ-në  (që është adresa e vetme që merret me organizimin e zgjedhjeve), pastaj Gjyqësorin në Kosovë  (në radhë të parë, Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse ajo ka aprovuar një Verdikt, sipër kërkesës së parashtruar nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’), dhe në vijim, gjithë organizimin e pushtetit në Kosovë. 

Pushteti në Kosovë, pas këtyre zgjedhjeve, siç ndodhë gjithmonë zatën, do të pësojë ndryshim vetëm kur bëhet fjalë për aspektin apo dimensionin politik të tij, të përbërjes së Kuvendit, të zgjedhjes së Qeverisë, kësaj here, edhe të votimit të Presidentit të ri të Kosovës. Por tej këtij dimensioni, gjithçka mbetet e njejtë, derisa të mos aplikohen  (me sukses), procedurat e ndryshimit të këtij pushtetu, në atë anën kushtetuese dhe ligjore.

Është thënë shumë herë që Kosova ka bërë një përvojë të mirë në organizimin e zgjedhjeve, pastaj, në respektimin e rezultatit të tyre, më në fund, në procesin e krijimit të pushtetit qendror.

Kjo përvojë e mirë duhet të ruhet edhe tash e tutje. Pa dyshim. 

 

lajme të ngjashme