12:31, 7 Nëntor 2016 Autor: Gazmend Syla

Cuyahoga, Cleveland – Radha është e gjatë. Dhe njerëzit janë shumë. Diku nga dy, paralel, e diku edhe tre. Disa prej tyre kanë edhe fëmijë të vegjël me vete, si puna e Ashley Brown. Ajo nuk ka pritur deri më 8 nëntor, por qysh të shtunën, me beben e saj, Parker, ka ardhur të votojë para kohë në Cuyahoga të Clevelandit, në shtetin e Ohios.

“Bebi po rri mirë”, thotë ajo duke qeshur, derisa ia lëmon kokën.

Disa metra larg Ashleyt po pret të votojë edhe Ginny Callen, konsultante për një kompani medicinale. Ajo duket me disponim të mirë.

“Na duhet dikush stabil për ta udhëhequr vendin, dikush inteligjent dhe i mirëpritur gjithandej botës”, thotë ajo.

Luke D Davis nuk ka kësi gjendje të mirë shpirtërore. Ai nuk është aspak i kënaqur me gjendjen aktuale të shtetit të tij.

“Kjo që po ndodh tashti është një cirk. Është një fiasco”, thotë ai. “Jemi futur në m… të madh”.

Megjithatë, ai e ruan qetësinë. Edhe tjerët që presin janë të qetë. Por, zhurmaxhi ka sa të duash këndejpari. Janë disa “lobues” të cilët qëndrojnë nja 7-8 metra larg atyre që presin të votojnë, e të cilët bërtasin gjithë kohën.

“Vote Synenberg”, thotë njëra nga to, që duket se është paguar të bëjë fushatë para qendrës në fjalë për këtë Synenbergen. Kjo i është futur garës për gjykatëse në Ohio.

Lobuesja e bën fushatën me stil, duke kënduar. E tjerët rreth saj, pos që e thërrasin emrin e atij të cilin duan të jetë i votuar, ofrojnë letra të ndryshme.

Këto nuk është se u bëjnë shumë përshtypje atyre që presin, në mesditë.

“Nuk e di kë do ta votojë”, thotë një studente, që është e shoqëruar nga një djalë. “Do të vendosi kur të hyj brenda”.

Ajo dhe tjerët duhet të respektojë radhën edhe kur futen aty. Aty janë qindra “nikoqirë” që kontrollojnë nëse gjithcka është në rregull me ta. Pasi ta marrin fletën, votuesit shkojnë në disa si kuti, që janë pothuajse njëqind e kusur, në të cilat vendosin se kujt i besojnë. Objekti i madh në Cuyahoga ka më shumë se një kat dhe gjithandej votohet.

“Deri në këtë moment kanë votuar 2 mijë e 243 veta”, thotë Brent Laëler, menaxher këtu, teksa tregoon për klankosova.tv numrin e marrë aty për aty nga kompjuteri.

Prej 12 tetori këtë gjë, në po këtë qendër, e kanë bërë 31 mijë e 384 veta.

Votimi i hershëm lejohet në disa shtete të Amerikës e disa tjera jo, ndërsa që rezultatet nuk tregohen, deri ditën e fundit. Raportet e fundit thonë që rreth 35  milionë qytetarë e kanë ushtruar këtë të drejtë, aty ku kanë mundur.

E ata që e bën një gjëtë të tillë, por edhe tjerët më 8 nëntor, nuk zgjedhin vetëm mes Donald Trumpit e Hillary Clintonit. Në këto palë zgjedhje votohet edhe për disa senatorë e përfaqësues në Kongresin amerikan, pastaj për senatorë dhe përfaqësues të shteteve vec e vec, e po ashtu edhe për gjykatës në disa nivele, duke filluar nga disa të supremes, deri te tjerët në nivele më të ulëta.

Vota bëhet valide nëse mbushet me ngjyrë hiri hapësira në formë ovale para emrit të kandidatit të preferuar. E pavarësisht se fletëvotimi duket paksa i komplikuar, telashe nuk ka.

“Ishte shumë mirë e organizuar”, thotë Shantilla Kent, një ndihmëse medicinale.

Dhe zor se do të jetë ndryshe. Vetëm nën menaxhimit e Brent Laëler janë 312 veta që kujdesën për mbarëvajtje të votimit.

“Qe 16 vjet sa jam unë këtu nuk ka patur ndonjë problem që e vlen të përmendet”, thotë ai.

Laëler është një republikan dhe kjo i shkrua në ID-në e tij. Edhe demokratëve u shkruan njëjtë.

E duket se kandidates së këtyre të fundit po i ecte mirë, në këtë vendvotim.

“Besoj se votimi për Trump do të ishte gjë normale për një të bardhë, si puna, por unë nuk e shoh ashtu”, thotë studenti Mike Hampton, pasi ka kryer punë. “Clinton përfaqëson më shumë idetë e mia”.

Edhe Breena Reed, punëtore në një kompani gasi, ka votuar për demokraten.

“Trump do të na fus në luftë, nëse fiton”, thotë ajo.

Cuyahoga është një zonë e Cleveland ku tradicionalisht fitojnë kandidatët demokratë. Kjo për shkak se këtu ka shumë afro-amerikanë dhe imigrantë.

Por, Alexandra Grace e ka thyer këtë rregull. Ndonëse e ardhur nga Amerika Latine, ajo parapëlqen Trump.

“Ai e flet të vërtetën dhe besoj se Zoti e do për këtë arsye”, thotë ajo, pas votimit.

Por si është ë mundur që një imigrante të votojë Trump, duke ditur që ky është për një ndërtim muri të madh fizik, që do të pengonte të huajtë si puna e saj të hyjnë në Amerikë, në kufirin jugor të shtetit?

“Trump e ka mirë. Kush vjen këtu e bën keq, duhet të kthehet. Kush rri mirë e punon mirë, bëhet amerikan i mirë”, thotë ajo.

Republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton janë kandidatët kryesore për të fituar Shtëpinë e Bardhë. Kjo e fundit është udhëhequr me 3 pikë, sipas sondazheve të fundit.

 

Lajme të tjera