Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vladimir Zhirinovsky dhe Vladimir Putin

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.05.2022 09:43

 Para një muaji, saktëisht me 6 prill, vdiq në Moskë Vladimir Zhirinovsky. Vladimir Putin  u shfaq publikisht në respekt të këtij politikani që vdiq nga pasojat e Covid-19. Zhirinovsky ka qenë deputet në Parlamentin e Rusisë, ka marrë pjesë në çdo zgjedhje për  Presidentin e Rusisë, dhe ka qenë lider i Partisë Liberal-Demokratike të Rusisë (LDPR),  që prej vitit 1992, deri në vdekje. 

Media perëndimore qëmoti e kanë cilësuar Zhirinovskyn, si ultranacionalist, si fashist, si  anti-semit, madje dhe si klaun dhe sharllatan. 

Në fundvitin e kaluar, ai i sygjeroi publikisht Putinit që të nisë bombardimet e Ukrainës në  natën e vitit të ri. Ndërsa ai paralajmëroi, pak para se të sëmurej, që lufta e Rusisë në  Ukrainë do të nisë me 22 shkurt, dhe që kjo luftë do ta bëj sërish Rusinë të madhe, të cilën  Perëndimi do të detyrohet ta respektojë. Dihet që ky në parashikimin e tij ia huqi vetëm për  dy ditë. Vite më parë Zhirinovsky madje ka avokuar edhe fillimin e luftës së Rusisë kundër  Aleancës Veri-Atlantike.  

Me pak fjalë, ky do të mund të ishte portreti i shkurtër i Vladimir Zhirinovskyt. Çfarë ka rënë në sy, që në ato prezentimet e para politike të këtij politikani, në vitet e  nëntëdhjeta, ka qenë shpërputhja totale në mes të emrit të partisë së tij, si Liberal Demokratike dhe orientimit të tij të mirëfilltë politik. 

Nuk ka mundur të ketë, mbase, emër më të mirë për një parti të re në skenën demokratike,  në krijim e sipër të Rusisë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe zhbërjes së Bashkimit  Sovjetik.  

Perëndimi në atë kohë besonte, si në atë anën politike, ashtu edhe në atë dimensionin  mediatik, që Rusia do të bëhet një shtet i demokracisë liberale dhe që do t’i bashkohet  Perëndimit me të gjithat.  

Por ja që politika e Vladimir Zhirinovskyt dhe e Partisë së tij Liberal-Demokratike, nuk  kishte të bënte gjë me Perëndimin, me Liberalizmin, me Demokracinë. Identiteti i tij i mirëfilltë ishte ai i një ekstremisti nacionalist, i një fashisti, që shembjen e  Komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik, e shihte si mundësi për ta mëkëmbur një Rusi të  fortë si shtet që do të jetë madje më i fuqishëm se ky shteti i kaluar komunist. Vladimir Zhirinovsky në të vërtetë ka qenë përfaqësuesi i parë dhe origjinal i politikës së  re ruse, ku deri në vitet e vona të presidencës së Vladimir Putinit, është shprehur dallimi i  madh, i pakaparcyeshëm, në mes të Rusisë dhe Perëndimit, teksa prej Perëndimit janë  marrë apo huazuar konceptet themelore politike, madje, edhe organizimi i zgjedhjeve  (kinse të lira dhe kinse demokratike), të cilat është dashtë të ofrojnë legjitimitetin për  pushtetin (kinse) demokratik. 

Në vitet e fundit, Presidenti Putin, paraqitjet e tij publike brenda dhe jashtë Rusisë, i ka  krejtësisht të ndërlidhura konceptet dhe paraqitjet publike me identitetin e tij të mirëfilltë,  të liderit që synon të mëkëmbë Perandorinë ruse.

Sidoqoftë, Putin që nga fillimi i fushatës ushtarake ndaj Ukrainës, si një shtet sovran, ka  aplikuar qasjen politike dhe mediatike të Vladimir Zhirinovskyt, ku ajo dukuria reale, është  e mbështjellur me koncepte të cilat nuk kanë të bëjnë gjë me të vërtetën. Putin kështu një intervenim brutal ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, e justifikoi me  gjenocidin që sipas tij, një regjim nazist në Kijev po e bënte në rajonin e Donbasit. Për më  shumë, ai këtë luftë e kualifikoi si ‘Operacion Special’. 

Putin shpiku a sajoi gjenocidin dhe regjimin nazist në Ukrainë, njëlloj si Vladimir  Zhirinovsky Liberal-Demokracinë në politikën e tij. 

Ndërsa identetin e mirëfilltë të luftës, ai e ndryshoi me konceptin e ‘Operacionit Special’. Në parakalimin tradicional ushtarak me rastin e Ditës së Fitores mbi Nazizmin, me 9 maj,  Presidenti i Rusisë, pos që edhe një herë tërhoqi paralele historike në mes të Nazizmit të  viteve katërdhjetë të shekullit të kaluar dhe kinse këtij të Ukrainës së këtyre viteve, ia shtoi  këtyre shpikjeve të tij politike, një fare të re: Sipas saj, pushteti i Kijevit dhe Pakti NATO  

kanë dashtë të lansojnë luftën, prandaj, intervenimi rus ka qenë i domosdoshëm. Edhe pse e gjithë kjo luftë, e cila përmbysi një Rend Ndërkombëtarë, është kryekëput  përgjegjësi e tij, ai që prej ditës së parë të saj, këtë ‘Operacion Special’ e sheh si faj të  Ukrainës, të Perëndimit, të Aleancës Veri-Atlantike. 

Rusia është viktimë e Perëndimit dhe Ukrainës. E jo anasjelltas, nuk është Ukraina viktimë  e Rusisë së Vladimir Putinit. 

Në po të njejtën ditë kur Putin konfirmoi edhe një herë naracionin e tij publik për luftën në  Ukrainë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy edhe një herë doli para qytetarëve  të tij dhe mbarë Botës me një të vërtetë që nuk mund të kontestohet dot: Ushtria ruse është  ushtri që po bën krime të të gjitha llojeve ndaj popullit të Ukrainës.  

Kjo është e vërteta e vetme për këtë luftë. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme