Verdiktet e Gjykatës Kushtetuese dhe politika e Kosovës (I) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 08.12.2020 11:14 08.12.2020 11:14 Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, në harkun kohor marsi i vitit 2011, maji i vitit 2020, kanë pasur pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimet kryesore të politikës kosovare. Historia e hartimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është pak-a-shumë e njohur për politikën dhe për qytetarët e Kosovës. Ishte kjo një ndërmarrje e përbashkët e Ekipit të Unitetit, siç quhej Delegacioni i Kosovës që kishte përgjegjësinë supreme në negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës (prej shtatorit të vitit 2005 deri në dhjetorin e vitit 2007), e Komisionit Kushtetues të krijuar prej këtij Ekipi, e Zyres së SHBA-së në Prishtinë (dhe ekspertëve amerikanë), dhe e Zyres së BE-së në Prishtinë (dhe ekspertëve evropianë). Hapat e parë të përgatitjes së Kushtetutës së shtetit të Kosovës, u patën hedhur qysh në nëntorin e vitit 2006 (kur ende besohej që Propozimi i Presidentit Ahtisaari do ta kalonte, në dimrin e vitit 2007-të, atë filtrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ashtu edhe siç ishte paraparë me mandatin e Ahtisaarit të cilin ky e kishte nga Sekretari i Përgjithshëm i OKN-së), për të vazhduar më pas gjatë gjithë vitit 2007, teksa u miratua nga Komisioni Kushtetues, me 9 prill të vitit 2008-të dhe hyri në fuqi me 15 qershor të vitit 2008-të. Rëniet dhe ngritjet e dinamikës së hartimit të Kushtetutës së Kosovës, realisht i janë përshtatur apo adaptuar ngecjeve dhe përparimeve të procesit ndërkombëtar të zbardhjes së statusit të Kosovës në këtë harkun kohor vjeshtë 2006 – dimër 2008. Sidoqoftë, kjo ndërmarrje e përbashkët vendore dhe ndërkombëtare, ishte organizuar goxha mirë, nuk është një punë që është bërë shkel e shko, është bazuar, në masë të cakuar, edhe në Kornizën Kushtetuese të Kosovës (të miratuar në vitin 2001, nga ana e PSSP-së, apo Kryeadministratorit të Kosovës, Hans Haekkerupit), dhe në përvojat e mira të kushtetutave të shteteve më të zhvilluara perëndimore. Natyrisht, koha e shkruarjes dhe e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ambienti i përgjithshëm politik i vendit, ka qenë fund i krye i dominuar nga pritjet plot ethe dhe zjarrmi të elitës politike të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kosova ka qenë asokohe një Botë tjetër. Këtë po e kuptojmë të gjithë ne gjithnjë e më shumë. Nga ai pikëshikimi i atëhershëm pra, ka qenë të thuash e pamundur që të vërehen, qysh atëherë, në atë përmbajtjen finale të Draftit të Kushtetutës së Kosovës, të përgatitur në pranverën e vitit 2008-të, ato mangësitë e saj, në mungesë të definicioneve eksplicite të Neneve të veçanta të saj, të cilat do të bartin në vete, siç do të kuptohet prej vitit 2011 e deri më sot, potencialin e të qenit gracka kushtetuese, ligjore dhe politike, dhe burim madje i krizave të mëdha politike dhe parlamentare. Kushtetuta e Kosovës është përgatitur me një frymë pozitive, me një insistim këmbëngulës që brenda saj të përfshihen të gjitha Provizionet obligative të CSP-së (Propozimit Gjithpërfshirës për statusin e Kosovës), të Presidentit Ahtisaari që kishin të bëjnë me të drejtat e komuniteteve pakicë dhe me organizimin e pushtetit të Kosovës, teksa kishte formulime brenda saj të cilat llogariteshin si të kuptueshme, të logjikshme dhe madje të nënkuptueshme për politikanët e shtetit dhe Gjykatën e ardhshme Kushtetuese të Kosovës. Më pas, do të mirrej vesh prej të gjithë neve që këto provizionet e Kushtetutës, të cilat kishin mungesë të definicioneve të prera, të qarta dhe të drejtpërdrejta (eksplicite), me shpjegimin dhe interpretimin e tyre të shumanshëm, do të shfrytëzoheshin edhe për beteja politike dhe kushtetuese nga një skenë politike, e cila që nga vjeshta e vitit 2010, nisi ta bëjë dallimin e madh me atë politikën kosovare e cila me unitetin e saj kontriboi shumë që Procesi i Vienës (2005-2007), të konkludohej ashtu si duhej dhe si e meritonte populli i Kosovës, gjegjësisht, me pavarësimin e Kosovës. Kjo politikë nisi pra t’i merrte trajtat fillestare të një çorodie të madhe politike (gjithpërfshirëse), e cila sa vjen e do të rritej në vitet e ardhshme, me atë Aktin e parë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të 24 shtatorit të vitit 2010, i cili konstatoi shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit të parë të shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiut. Ishte ky ai momenti i parë i cili e shënoi fundin e një ’Paqe politike’ në Kosovë, e cila u instalua në dimrin e vitit 2008, pas krijimit të koalicionit të madh në mes të PDK-së së Kryeministrit Thaçi dhe LDK-së së Presidentit Sejdiu, në përgatitje e sipër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008-të, Sidoqoftë, ky Aktgjykimi i parë i këtij lloj i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që shtyu Presidentin Sejdiu të ofrojë dorëheqjen nga posti i Presidentit, ende, nëse mund të thuhet ashtu, bazohej në një interpretim të përmbajtjes së Kushtetutës i cili nuk shfaqte synimet e nëntë gjykatësve të parë të kësaj Gjykate (ku gjashtë ishin vendorë dhe tre ndërkombëtarë), për të ofruar një shpjegim apo interpretim të veçantë të akëcilit Nen të kësaj Kushtetute (ku në këtë rast kishim të bënim me mandatin e Presidentit të Kosovës). Akoma pra ishim në një ‘territor ta pakontestuar’ kur bëhet fjalë për përmbajtjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjithçka, në këtë aspekt, do të nisë të ndryshojë pas zgjedhjes së Behxhet Pacollit, President i dytë i Republikës së Kosovës, me 22 shkurt të vitit 2011, dhe pasiqë kjo zgjedhje u bë temë e trajtimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në muajin mars të atij viti, pas ngritjes së kësaj çështjeje nga deputetët e Legjislaturës së dytë të shtetit të Kosovës. Zhvillimet rreth zgjedhjes së Behxhet Pacollit President i Kosovës, pas krijimit të Qeverisë në mes të PDK-së, AKR-së dhe komuniteteve pakicë, do të shënojnë fillimin e një procesi me autorësi të plotë të Gjykatës Kushtetuese, me implikime të mëdha politike në vend, me synimin që të ofrohen interpretime supreme legale për domethënien e Neneve të caktuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pra, në harkun kohor, prej muajit mars të vitit 2011, deri në muajin maj të këtij viti (2020), përmes Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (teksa të gjitha rastet, siç e thonë procedurat dhe korniza ligjore, janë iniciuar nga Presidenti i vendit, ose nga deputetët e Kuvendit), realisht apo de fakto, ka ndodhur Amandamentimi i Kushtetutës së Kosovës, përmes sqarimeve, shpjegimeve dhe interpretimeve të Neneve të kësaj Kushtetutës, të cilat ishin (dhe mbeten), bazë legale për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, për krijimin e Qeverisë së Kosovës, dhe për emërimin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kemi të bëjmë pra me postet kryesore të pushtetit qendror në shtetin e Kosovës. Të gjitha këto poste janë në mandatin e plotë të Kuvendit të Kosovës. Për këtë shkak, pa kurrfarë dyshimi, Verdiktet e Gjykatës Kushtetuese kanë pasur pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimet kryesore të politikës kosovare. Nesër: Gjykata Kushtetuese nuk ka kurfarë obligimi që me Verdiktet e saja të ndikojë në stabilizimin e skenës politike të Kosovës. Detyra e vetme e kësaj Gjykate është ta bëjë interpretimin suprem të përmbajtjes së Kushtetutës së Kosovës. klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.