Vallëzimi i palavdishëm i Vlorës - Klan Kosova

Vallëzimi i palavdishëm i Vlorës

123
string(12) "Baton Haxhiu" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2018/11/baton-haxhiu.jpg"
5 years më parë

 

 

Vlora, ti – dhe Qeveria për të cilën e vendos emrin dhe mbiemrin tënd në Facebook – konceptualisht më nuk më ngjan në vallëtaren e dikurshme hijerëndë folklorike. Për fat të keq, je bërë Linda Morina e Qeverisë Mustafa.

 

*   *   *

Dikur, viteve të tetëdhjeta, lavdia e vallëzimit në Prishtinë e kishte emrin e Vlorës si simbol. Në atë kohë kur ne e donim Vlorën dhe bënim për hiret e lëvizjeve të saja skenike. Dhe jo vetëm për atë.

Vlora e Dumoshëve gjithashtu ishte edhe simbolikë e një gjenerate që e donte atë si emërlidhje me Shqipërinë. E lidhte me familjen e saj që kishte lënë shenja në historinë e viteve të shtatëdhjeta. Ajo histori e kishte ndjekur edhe Vlorën si vogëlushe, por dhe si pjesë e shoqërisë sonë.

Kjo ishte Vlora e gjeneratës sonë.

Kjo ishte periudha e vallëzimit të lavdishëm të saj.

Por, kohët ndryshojnë.

Me to – edhe Vlora.

Ajo tashmë ka hyrë në një vallëzim tjetër: vallëzimin politik.

Sot përfaqëson një Qeveri përtace që problemet i zgjidh dhe i sqaron me statuse në Facebook.

Dhe këtu fillon vallëzimi i palavdishëm i Vlorës.

Një vajzë modeste për nga dija politike përfaqëson kabinetin e Kryeministrit. Edhe me statuse. Kjo është arsyeja që po shkruaj për të. Në të vërtetë, po i shkruaj një kabineti mediokër të Kryeministrit që të gjitha hatërmbetjet i zgjidh me statuse në Facebook dhe me gjumin e pasdites.

Kur e publikova shkrimin për ikjen e kësaj Qeverie nuk e kisha parasysh emrin e përveçëm të Vlorës, sepse fundamentalisht ajo nuk përfaqëson asgjë në këtë Qeveri. Ashtu siç Qeveria Mustafa nuk përfaqëson vizion qeverisës.

Valltarja e dashur e kohës së dikurshme e mori përsipër ta shkruajë një të pavërtetë dhe guximshëm foli për suksesin e ndaljes së trenit nga kjo Qeveri.

Dua t’i sqaroj disa gjëra para se të vendosësh të shkruash shkronja në emër të dikujt:

Kjo Qeveri ka krijuar një traditë kapadaillëku, prandaj anëtarëve të saj nuk mund t’iu flitet ndryshe përveç që me ashpërsi t’iu thuhet e vërteta.

Dhe këtu hyn edhe vallëzimi i palavdishëm i Vlorës dhe Isa Mustafës në këtë histori.

Më kishe shkruar: “Më vjen keq që sot nuk të erdhi në shprehje teksti, që siç shihet, e kishe përgatitur më herët kundër Kryeministrit”.

Dua të sqaroj diçka për ty Vlora, pasi me gjasë ke qenë në gjumë pasditen e së shtunës.

Edhe fotoja e kabinetit tuaj me disa ministra e orës 20:00, ku shiheshit duke analizuar ca dokumente, tregonte se sa keq ishit të trajtuar.

Qeveria Mustafa, të premten, ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Shikoji edhe një herë qëndrimet tuaja për atë që do të ndodhte nesër me trenin.

Ju, të gjithë, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, nuk e keni sjellë vendimin për ndaljen e trenit. Pra, e keni lejuar hyrjen e trenit duke u kthyer të qetë në shtëpi, pa i ditur pasojat që mund të vinin të nesërmen.

Dhe këtë leje e keni dhënë me heshtjen tuaj dhe me fjalinë e Kryeministrit në fund të mbledhjes, që ti e kishe vendosur në fund të postimit tënd në Facebook:

“Ne vazhdojmë me maturi dhe vendosmëri”.

Çka ndodhi pastaj?

Të vetmit që kanë qenë të mobilizuar ishin mediumet.

Askush nga Qeveria nuk ka dhënë asnjë shenjë se treni do të ndalohet. Shumica prej jush keni qenë në pushime familjare, kurse tensioni në gjithë Kosovën, e sidomos në Veri, ka qene shumë i lartë. Para shpërthimit.

Shefi yt dhe Kryeministri im ka qenë në pushim të pasdites. Me telefon të mbyllur. Edhe pjesëtarët tjerë të kabinetit kanë qenë jashtë zyrave.

Në zyrë kanë qenë vetëm Drejtori i Policisë dhe Ministri i Brendshëm.

Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave nuk ka qenë në zyrë për ta shkruar një vendim që i është dashur Ministrisë së Brendshme për ta respektuar ligjin – si kusht për ta dërguar njësinë speciale atje.

Vendimi për ndaljen e trenit është marrë pasdite vonë.

Shikojeni orën kur Njësia Speciale ka shkuar në Veri – 17:15. Pesë e pesëmbëdhjetë.

Me këtë formë të organizimit janë rrezikuar të gjithë, përfshirë edhe Njësinë Speciale, nga mënyra se si merren vendimet në Qeveri.

S’keni pasur asnjë ide se çfarë do të ndodhte nëse situata do të eskalonte. Me këtë keni rrezikuar strategjinë e policisë dhe djemtë që janë nisur për Veri.

Kur është kthyer treni, dikush nga ju ka gjetur kohë ta dërgojë një foto të mbledhjes së shtabit të Qeverisë ku tregohet “angazhimi, serioziteti dhe vendosmëria” juaj.

Por, shikojeni orën. 20:07. Kur gjithçka kishte përfunduar.

Duke mos e harruar as konferencën për shtyp: të zymtë, pa sqarime dhe të paqartë.

Të gjitha këto është dashur bëhet shumë orë më përpara, që qytetarëve t’iu ofrohej ndjenja e sigurisë.

Vlora, ti – dhe Qeveria për të cilën e vendos emrin dhe mbiemrin tënd në Facebook – konceptualisht më nuk më ngjan në vallëtaren e dikurshme hijerëndë folklorike.

Për fat të keq, referenca aktuale është Linda Morina.

Stili i këngëve të saj i ngjan qeverisjes suaj – populizëm naiv, mungesë kualiteti dhe mënyrë sipërfaqësore e marrjes së vendimeve.

Kaq për zhgënjimin tim.

Shkrimi im i kaluar nuk ka qenë i parakohshëm. Ka qenë i vonuar.

Ju duhet të ikni.

Shpëtojeni veten dhe neve.

Ikni.

Linda Morina është personifikim më i mirë i qeverisjes suaj.