Udhëkryqi që gjithkah çon në qorrsokak   - Klan Kosova

Udhëkryqi që gjithkah çon në qorrsokak  

123
string(12) "Blerim Shala" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1.jpg"
2 weeks më parë

Pas disa muajve të zhvillimeve të reja politike në vend, pas këtyre zgjedhjeve të reja,  do t’i drejtohemi njeri-tjetrit në këtë mënyrë: Qysh nuk e pamë çka ka me na gjetë? 

Në këtë historinë e re të politikës kosovare, e cila shquhet me matjen zgjedhore të fuqisë,  të popullaritetit, të ndikimit, të organizimit, të orientimit dhe të drejtimit të politikanëve  dhe të partive, nuk kemi veneruar një situatë të këtillë si kësaj here, me zgjedhjet e  parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen këtë të diele, me 14 shkurt.  

Kryetipari i fushatës parazgjedhore kësaj radhe, është përplasja e madhe, e pakursyer, e  pakufishme dhe papajtueshme, në mes të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe partive tradicionale  të Kosovës. 

Albin Kurti, si prijësi i pakontesueshëm i ‘Vetëvendosjes’, i cili synon që këtë tipar brenda  partisë së tij ta bartë në nivel politik të mbarë Kosovës, para këtyre zgjedhjeve, ka arritur,  pa bërë fare fushatë publike në debatet televizive, ta imponojë në politikën kosovare  konceptin e tij të skajshmërive/ esktremeve politike, i cili favorizohet tej mase prej tij. 

Për këtë shkak zatën, ai gjithë kohën, që prej se u mor vesh ndër ne që edhe një herë do të  kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare, ka identifikuar votimet për përbërjen e re të  Kuvendit të Kosovës, me një Referendum, i cili gjithmonë është fare i thjeshtë në  mbërritjen tek shpërfaqja e vullnetit të qytetarëve të një shteti. 

Lideri i ‘Vetëvendosjes’ ia ka parapri kësaj skeme politike që njeh vetëm dy përgjigje të  mundshme politike për qytetarët/ votuesit, që nga rrëzimi i tij nga pozita e Kryeministrit të  Kosovës, në marsin e vitit të shkuar (2020), kur ndodhi ai rreshtimi i të gjitha subjekteve  politike dhe mbi dy të tretave të deputetëve të Legjislaturës së shtatë kundër tij. 

Këtë rreshtim parlamentare ai e ktheu pastaj në një riorganizim të politikës kosovare, e cila  njeh ate si kryeprotagonist dhe si lider të Rreshtit të parë politik, teksa në Rreshtin e dytë  janë të gjitha subjektet apo partitë politike të tjera. 

Ky rreshtim i politikanëve dhe i partive, vijohet pastaj, me një prerje të madhe, edhe në  interpretimin dhe shpjegimin e historisë së re të Kosovës, asaj prej çlirimit të saj (në vitin  1999) e tutje, deri më sot, dhe në ofrimin e një të ardhme politike që do të njeh si pikë  fillestare një fitore të madhe zgjedhore, të paparë (sipas pritjeve të Kurtit dhe Lëvizjes  ‘Vetëvendosje’), në këtë historinë e demokracisë parlamentare, që nga zgjedhjet e para të  vitit 2001, deri në shkurtin e këij viti, njëzet vjet më pas. 

Lideri i ‘Vetëvendosjes’ mendon që këto zgjedhje janë Referendum, për apo kundër tij si  politikan, për ose kundër botëkuptimeve dhe orientimeve të tij, për apo kundër ndryshimit  të madh politik në vend, i cili nuk do të mund të ndodhë, sipas deklaratave të vet Kurtit,  nëse ky dhe subjekti i tij nuk do të arrijnë të sigurojnë 61 mandate në Kuvendin e Kosovës. 

Ky numër do të mundësonte që Kurti dhe partia e tij ta bëjnë Qeverinë e dymbëdhjetë në  këtë historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë, duke mos pasur nevojë për kurfarë  koalicioni, për asfarë kompromisi dhe kooperimi me ndonjë parti shqiptare, teksa përfshirja 

e përfaqësuesve të komuniteteve pakicë (të njëzet deputetëve të tyre), është një detyrim  kushtetues. 

Në anën tjetër, llogaritet që me këtë numër të deputetëve (61 pra), Kurti do të mund ta  udhëheqte edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, ku duhet të sigurohet  prania dhe votimi i së paku 80 deputetëve në sallën e Kuvendit. 

Më në fund, poqëse ai do të arrijë tek ky numër që garanton shumicën absolute  parlamentare, ai do ta kishte në duartë e tij siguresën e pamundësimit të ndonjë Mocioni të  mosbesimit ndaj tij. 

Gjithashtu, ky sukses i jashtëzakonshëm zgjedhor, do t’i shtrinte për toke (si thuhet), të  gjitha partitë tradicionale të Kosovës, sepse të gjitha ato së bashku do të kishin 39 deputetë  në Kuvendin e Kosovës.  

S’do mend që në atë rast, secila prej këtyre partive do të ballafaqohej me probleme të  mëdha të rigjetjes së vendit në skenën politike të vendit, dhe nuk do të kishte mundësi ta  ushtrojë si duhet rolin/ detyrën e një opozite parlamentare. 

Ky është zatën synimi i Kurtit: Të qeverisë me vendin, fillikat vetëm në Qeveri dhe në  Presidencë, me një opozitë të goditur rëndë, e cila nuk do të jetë në gjendje ta kundërshtojë  fare këtë pushtetin e ri në Kosovë, i cili tashmë ka edhe emrin e vet, të Republikës së tretë  të Kosovës. 

Me këtë shumicë absolute parlamentare, si do të bëhej Zot i shtëpisë politike të Kosovës,  dhe do të mund ta ndryshonte Kornizën ligjore në Kosovë, me përjashtim të Kushtetutës  së vendit (ku megjithatë duhet siguruar përkrahjen e së paku trembëdhjetë deputetëve që  përfaqësojnë komunitetet pakicë, në kuadër të parimit të ‘shumicës së dyfishtë’). 

Në përgjithësi pra, në këtë rast, poqëse do të arrihej një rezultat i kësisojt zgjedhor, të gjithë  ne do të ishim dëshmitarë të një Revolucioni politik përmes zgjedhjeve të lira, i cili në krye  të shtetit të Kosovës do të sjellte politikanin i cili asnjëherë nuk ka besuar që shteti i  Kosovës është zgjidhja e çështjes shqiptare për këtë territor të banuar me shumicën absolute  shqiptare. 

Në këtë mënyrë, kontinuiteti dhe gradualiteti si dy tipare kyç në një shtet dhe një shoqëri  demokratike, do të zëvendësoheshin me një ndërprerje radikale dhe me një synim për një  kërcim dhe kapërcim politik kualitativ dhe krejtësisht të ri në vend. 

Nuk ka dyshim që Kosova si shtet, apo, thënë më mirë, si skenë politike, ka braktisur  qëmoti (pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014), veçoritë e kontinuitetit dhe  gradualitetit. Për më shumë, që prej vitit 2015, ne jemi ballafaquar me një ngecje evidente,  thuaja në të gjitha aspektet, e cila ka qenë e lodhshme, e rëndë, raskapitëse dhe çorientuese.  Për këtë shkak zatën, lideri i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, nuk e ka pasur shumë vështirë që në  ‘tryezën politike’ të përzgjedhjes së orientimeve themelore politike, të ofrojë një ndryshim  të madh, mbase të panjohur për shumëkë këndejpari, në kundërshtim me një ngecje të  njohur për të gjithë. 

Ky është ai ‘dyluftimi’ kryesor në politikën kosovare, i cili do të duhej të materializohej,  sipas Albin Kurtit, me ngadhnjimin e madh të një ndryshimi me shumë të panjohura, në  krahasim me vendunmërimin e gjithënjohur, i cili është shterrë krejtësisht. Natyrisht, thuaja secili votues i Kosovës i cili kësaj here do ta përkrahë ‘Vetëvendosjen’, e  ka një mendim dhe një qëndrim të vetin çka do të duhej të sjellte ky ndryshimi i madh, dhe 

ai, thuaja në tërësi, siguron (sipas tij), adresimin e mungesave të shumta të cilat i ka si  qytetar (vendi i punës, mirëqenia sociale, udhëtimi pa viza në Evropë, perspektiva e  përgjithshme familjare, sjellja para drejtësisë e të gjithë keqbërësve në Kosovë, pa marrë  parasyshë se çfarë posti kanë pasur në të kaluarën, etj.etj). 

Partitë politike dhe liderët e tyre që deri tash kanë pasur përgjegjësinë e udhëheqjes së  vendit, nuk kanë arritur sa dhe si duhet t’i trajtojnë në të kaluarën të gjitha këto mungesa  dhe pritje të shumë qytetarëve të Kosovës, të cilët i kanë sjellë tani, këta votues të  pakënaqur, si pasojë e kësaj ngecjeje të madhe në Kosovë (e cila ka edhe autorësi  ndërkombëtare, evropiane në radhë të parë, dhe jo vetëm vendore), tek dera e Kurtit dhe e  ‘Vetëvendosjes’. 

Në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit, megjithatë, nuk ka pasur debat racional për të gjitha  këto pritjet ekonomike dhe sociale të qytetarëve, nuk kemi mundur të përcjellim  ballafaqimin midis përfaqësuesve të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe të subjekteve të tjera  (tradicionale) për atë çfarë do të mund të bëhet me këtë shtet dhe me qytetarët e tij, pas  kësaj të diele. 

Në këtë mënyrë, me strategjinë parazgjedhore të Kurtit, realisht, i është mohuar e drejta e  qytetarëve (e më pak e partive dhe politikanëve të tjerë), që në mënyrë racionale të  mbërrijnë tek konkludimi se kush ka ofertë më të mirë zgjedhore, kush është më kredibil,  më i besueshëm në këtë aspekt, kush çka mund të bëjë tash e tutje. 

Ky mohim i debatit të mirëfilltë është bërë qëllimisht nga Kurti dhe Lëvizja  ‘Vetëvendosje’, për ta imponuar situatën sipas të cilës nuk ka dilema (dhe nuk mund të  ketë), se për kë duhet votuar këtë të diele, sepse kësaj radhe, identiteti suprem politik nuk  është dyzim i një historie të njohur të secilit politikan dhe parti, me atë çfarë mund të bëjë  në të ardhmen për vendin, por ai (identitet), reduktohet i tëri në të kaluarën e një polikani  të vetëm, kualiteti kryesor i të cilit është që nuk ka qenë sa dhe si duhet në pushtet (ai  pesëdhjetë ditëshi i vitit të kaluar si Kryeministër, nuk numërohet), prandaj, me fitoren  absolute në këto zgjedhje, ai do të mund ta imponojë ndryshimin e madh në politikën dhe  shoqërinë kosovare.  

Kemi të bëjmë pra, gjithqysh, me zgjedhje parlamentare shumë të veçanta, të cilat, sipas të  gjitha gjasave, në çdo konkludim të tyre (në bazë të rezultatit final i cili do të certifikohet  nga Komisioni Qendror Zgjedhor), nuk do të sjellin një stabilitet politik aq të duhur për  këtë shtet (dhe të mohuar që nga vjeshta e vitit 2015), por përkundrazi, do të shënojnë  kontinuitetin dhe gradualitetin (thellimin), e krizës së madhe politike në vend. 

Mbase, pas disa muajve të zhvillimeve të reja politike bë vend, do të jemi në gjendje t’i  drejtohemi njeri-tjetrit në këtë mënyrë: Qysh nuk e pamë çka ka me na gjetë? Kështu zatën flasim me njeri-tjetrin tash e shumë vite.