Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Trump, viktima “Macho Macho”

123
string(12) "Maureen Dowd" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/11/Maureen-Dowd1.jpg"
nga Maureen Dowd 19.11.2022 21:43

Ndër shumë momente të jashtëzakonshme në ditët e fundit, ky ishte i preferuari im: Donald Trump më në fund pranoi se Joe Biden është president.

Mohuesi ynë më famëkeq i zgjedhjeve zbuloi se ai nuk beson vërtet se zgjedhjet iu vodhën. Sepse nëse do të ishte Presidenti në Karrige, siç duan ta quajnë ndjekësit e tij të QAnon, nuk do të kishte nevojë të kandidonte për president.

Në një periferi të Maryland që mbulova shumë kohë më parë, një shef i zjarrfikësve dhe zëvendësi i tij u akuzuan për zjarrvënie. “Zjarrfikësi zjarrvënës” është në të vërtet një term, që gjen vend në Wikipedia, sepse ndodh më shpesh nga sa mund të mendoni.

Kështu dukej Trumpi, në fjalimin e tij të njoftimit për kandidim, kur tha se do të “rikthej ndershmërinë, konfidencën dhe besimin në zgjedhjet tona”. Zjarrvënësi kërkon një punë si zjarrfikës. Ai është gënjeshtari dhe mashtruesi që minoi besimin në zgjedhjet tona. E gjithë kjo balonë për votimin e manipuluar vetëm sa ka dëmtuar pjesëmarrjen republikane dhe ka shtyrë të pavarurit dhe madje disa republikanë që ishin lodhur nga Trumpi, te demokratët. Por atij nuk i intereson, për sa kohë që mund të shmangë fajin për humbjen e tij.

“Siç e kam thënë më parë, kërcënimet më të rënda për qytetërimin tonë nuk janë nga jashtë, por nga brenda”, tha Trumpi në njoftimin e tij të dobët dhe rënkues të martën mbrëma në Mar-a-Lago.

Kjo në fakt është e vërtetë, por vetëm sepse Trumpi shfrytëzoi çdo ndarje të errët dhe impuls bazë që mund të gjente. Ai më parë do të hidhte në erë demokracinë tonë sesa të pranojë se është humbës dhe kjo e bën atë një tradhtar.

Trumpi shfaq retorikën e tij të rreme “Macho Macho Man”. Për dekada, republikanët u kanë dhënë leksione amerikanëve që të heqin dorë nga përqafimi i viktimizimit dhe të qëndrojnë në këmbët e tyre, dhe këtu është lideri i tyre që shpall presidencën e tij në një platformë të “Mjerë unë! Mos më ngucni! Më zgjidhni mua sepse jam i rrëzuar!

“Do t’ju them se jam një viktimë”, tha Trumpi në një tubim jo edhe aq festiv ku Melania dukej si një peng dhe Ivanka nuk u shfaq fare.

Vizioni i tij nuk ishte ekzaktësisht frymëzues: “Ne do të sulmohemi. Ndaj nesh do të ketë shpifje. Ne do të persekutohemi ashtu siç jam persekutuar unë”. Kjo e bëri “Kërdinë amerikane” të dukej si “Festa Romake”.

Martirizimi i Trumpit shtrihet në jetën e tij me Melanian në një vendpushim në oqean, për të cilin ai tha se “nuk ka qenë gjëja më e lehtë”.

“Unë shkoj në shtëpi”, tha ai, “dhe ajo më thotë: ‘Dukesh i zemëruar dhe i mërzitur’. Unë i them, ‘Vetëm më lër të qetë’”. Çift argëtues!

Në të vërtetë ky ishte një njoftim sikurse edhe mashtrimet tjera të Trumpit për të shmangur ndjekjet penale dhe për të vazhduar mbledhjen e parave nga mbështetësit e tij.

Trumpi nuk është viktimë. Ai krijon viktima. Trumpi është ish-presidenti i parë që i është nënshtruar një hetimi special nëse ai organizoi një përpjekje për grusht shteti.

Kjo është tronditëse, veçanërisht pasi ai kandidon sërish për president.

Të premten, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland u përpoq të hiqte politikën nga një proces i natyrshëm politik duke emëruar Jack Smithin si një këshilltar të posaçëm për të përcaktuar “nëse ndonjë person apo subjekt ndërhyri në mënyrë të paligjshme në transferimin e pushtetit pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ose certifikimit të votave të kolegjit zgjedhor që u mbajtën më ose rreth 6 janarit 2021”.

“Fee-fi-fo-fum”, Jacku e ndjek Trumpin për të parë nëse ai bëri diçka të pamençur. (Arsyeja pse është “rreth” 6 janarit mund të jetë sepse trazirat e provokuara nga Trumpi në Kapitol e shtynë certifikimin në 7 janar).

Smith do të drejtojë gjithashtu hetimin, siç tha Garland, “duke përfshirë dokumente të klasifikuara dhe të dhëna të tjera presidenciale, si dhe pengimin e mundshëm të atij hetimi”.

Trumpi i tha “Fox News”-it se ai “nuk do të marrë pjesë” në hetim, sikur të ishte një bufe mëngjesi në Mar-a-Lago që ai po anashkalonte.

Këshilltarët specialë nuk janë më aq specialë. Bill Clintoni i mbijetoi këshilltarit Kenneth Starr. Trump i mbijetoi hetimit të Robert Mueller, i cili përfundoi pa një zgjidhje të qartë. Jo çuditërisht, përpjekja e John Durham për të diskredituar atë hetim, i cili filloi me një qëllim të keq, ka dështuar plotësisht.

Edhe pse Jack Smith, i cili dikur drejtonte seksionin e integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë, lëshoi ​​një deklaratë të premten duke premtuar se do të “ushtrojë gjykim të pavarur”, mbështetësit e Trumpit nuk do ta blejnë kurrë atë deklaratë. Dhe Trumpi do t’i ndezë ata duke luajtur viktimën, edhe pse ai është fajtori.

Republikanët duhej të ndalonin nga komplotimi i hetimeve të tyre për demokratët për të peshuar lajmin e një hetimi të ri për Trumpin. Ted Cruzi gënjeshtar doli i pari nga kutia me postimin e tij në Twitter se Bideni kishte armatosur D.O.J.: “Kjo është sindroma e çrregullimit të Trumpit, por këtë herë me një armë dhe distinktiv”. Smith duket pak si Eliot Ness, por me siguri do të punojë i paarmatosur.

Garland padyshim po përpiqet të shmangë vendimin nëse do të akuzojë apo jo një ish-president. Por pika themelore është kjo: Vetëm për shkak se Trumpi e emëroi veten kandidat, ai nuk duhet të jetë i paprekshëm. /Klankosova.tv

*Maureen Dowd është kolumniste për “The New York Times”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme