Trump shokoi edhe shkencën 123 NULL NULL 13.11.2016 10:00 13.11.2016 10:00 New York, nëntor – Donald Trump i ka gozhduar edhe doktorët e shkencave politike. Ata nuk po dinë çfarë ndodhi kur ai fitoi. Shumica e medieve kryesore në Amerikë ishin kundër tij. Shumë prej liderëve republikanë nuk e mbështetnin. Nga përtej Amerika vinin lajmet se biznesmeni miliarder nuk është i pëlqyer për të udhëhequr shtetin më të fuqishëm në botë. Për këto arsye, edhe opinioni nuk ishte pro tij. Sondazhet, me ndonjë përjashtim të rrallë, e linin atë pas rivales Hillary Clinton. Por, gjithçka u përmbys, të martën e 8 nëntori, Trump fitoi, me një përparësi që nuk pritej. “Gjithçka shkoi keq. Fitorja e tij është dështim total i shkencës së sondazheve”, ka thënë David Birdsell, dekan i “Marxe School of Public and International Affairs” në Baruch College të New Yorkut, gjatë një takimi me përfaqësues të medieve të huaja që mbuluan zgjedhjet në SHBA, pjesë e të cilave ishte edhe Klan Kosova. “Duhet të shohim ku gabuam, në mënyrën si i bëmë pyetjet apo te metoda e përzgjedhjes së atyre që i pyetëm”. Por Trump, sipas tij, nuk i mposhti vetëm mediet dhe ata që bënë sondazhe. “Ai poshtëroi edhe liderët e republikanëve”, tha Birdsell. “Trump në fakt garoi edhe kundër establishmetit republikan”. Shumë pak zyrtarë të lartë të kësaj partie e kishin mbështetur presidentin e ri amerikan gjatë fushatës. Edhe lideri Paul Ryan nuk kishte dalë asnjëherë me Trump. Rivali brendapartiak dhe guvernatori i Ohios, John Kasich e ka votuar John Mc Cainin, që nuk është fare në listë, për president, kur ka votuar, ditë më parë. Krejt këto zhvillime e kanë befasuar edhe presidentin e kolegjit në fjalë, Michael B. Wallerstein. “Përfundimi i zgjedhjeve për të cilat kishte një fushatë të ashpër, është shokuese”, ka thënë ai. ”Presidenti i zgjedhur ka detyrë monumentale për të shëruar përçarjet e thella të kampanjës”. E Trump, sipas Wallerstein, që ka punuar një kohë të gjatë edhe në departamentin e Mbrojtjes, ka sfida të paprecedenta para vetes edhe përsa i përket politikës së jashtme, pasi ka bërë premtime të mëdha.”Do të shohim a e kishte përnjëmend kur fliste rreth NATO-s dhe Putinit, për të cilin ka shprehur simpati”, ka thënë ai. “Nëse Trump tërhiqet nga marrëveshja për ndryshimet klimatike, për të cilën ka punuar shumë Obama, e kemi të garantuar një rrezik të madh”. Edhe profesoresha e shkencave politike dhe ish-gazetarja e Wall Street Journal e New York Times, Carla Robbins, është e brengosur se Trump mund të rrezikojë krejt aleancat e deritashme ndërkombëtare të Amerikës. “Ky është një njeri që nuk ka ide si bëhet politika e jashtme”, ka thënë ajo. “Do të presim për të parë kush janë këshiltarët e tij, por lista e kandidatëve që duan të punojnë me të është shumë e shkurtë”. Por, është një koleg i këtyre profesorëve që ka shpjegim pse fitoi Trump. Thomas J. Main, që është doktor i politikave publike, thotë se fituesi ka arritur që me fushatën e vetë të zgjojë ndjenjat e atyre që e shohin veten te Alt-Right, një lëvizje ekstra djathtiste, pjesë e së cilës janë kryesisht të bardhët. Gjithçka që ka thënë Trump është pasqyruar pozitivisht në mediet konservative, të cilat janë vizituar shumë, sidomos në kohën e fushatës. E kjo po del t’u ketë pëlqyer amerikanëve më tepër se ajo çfarë kanë bërë republikanët tjerë, por edhe Hillary Clinton e partia demokratike. “Ata tashti e kanë kandidatin e tyre në Shtëpinë e Bardhë”, tha Main nga Baruch College. “Djathtizmi i tij doli të jetë shumë përtej asaj që është pritur”. Por, kjo mund të pjellë rreziqe të mëdha, sipas tij. “Në vitet ’60 të shekullit të kaluar kishin lëvizjen ‘New-Left” e tash e kemi “New-Right’. E para pati humbur atëherë, e dyta fitoi tash”, ka thënë Main. “Pjesëtarët e kësaj lëvizje besojnë se imigrantët e rrezikojnë Amerikën. Madje, ata thonë se afro-amerikanët nuk janë politikisht të barabartë me të bardhët”. Të katër këta profesorë janë pajtuar se rivalja e Trump, Hillary Clinton, nuk e ka kryer punën e saj si duhet në fushatë, pasi nuk arriti të performojë siç kishte bërë Barack Obama më 2012, e sidomos më 2008. Për pasojë, ky i fundit mund të dëmtohet sapo të përfundojë mandatin. “Më 20 janar mund ta shohim Trump duke anuluar një listë të gjatë të vendimeve të mëhershme të Obamas”, ka thënë Birdsell. Republikani ka befasuar edhe duke ditur se ka qenë i paraqitur keq në mediat kryesore, për dallim nga Clinton. “Trump është trajtuar ndryshe nga secili kandidat tjetër për president ”, ka thënë Birdsell, duke shtuar se atij i bëhej mbulim negativ. “Clintonit i janë përmendur vetëm dy afera, ajo e emailave dhe e fondacionit ‘Clinton’. Për këtë arsye, republikani gjatë gjithë kohës u ka dhënë një epitet jo të mirë gazetarëve dhe medieve. “Ata janë njerëz të pandershëm. Nuk e thonë të vërtetën”, ka thënë ai pothuajse në fillimin e çdo fjalimit të tij. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.