Trump ose fundi i perëndimit? 123 string(8) "Jon Leka" NULL nga Jon Leka 16.01.2017 12:00 16.01.2017 12:00 Rusët besojnë se gjetën shansin e dytë për tu bërë superfuqia e parë. Dy gogolët që deri më tani ua prenë udhën si NATO dhe BE i ka marrë përsipër t’i shkatërroje Trump-i. Do të ndez kësaj radhe ëndrra ruse? Asnjëherë! Serbët do të humbin edhe më. Politika globale nuk është wrestling. Rusët nuk janë qytetërim në vete. Kështu besojmë ne. Trump dhe Putin mirëpo nuk heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Ata dy, oreçast kërkojnë që t’i respektojmë ashtu siç janë: më të fuqishmit e botës pa të cilët asgjë nuk do të funksionojë. Është ky vetëm miti, të cilin ata duan t’ia ndërtojnë vetes apo pas gjithë kësaj ka një zhvillim shumë më serioz e me pasoja të rënda? I. Në çdo paraqitje publike Putin asnjëherë nuk harron të thotë: «jemi në mbrojtje të lirisë, qytetërimit tonë». Ai bën çmos që ta bind audiencën e tij se përveç orientit dhe oksidentit paska edhe një civilizim tjetër që duhet ta pranojë bota. Rusientin? Pa emër këtë lloj civilizimi e la edhe vetë babai i fundamentalizmit antiperëndimor Dostojewskij në programin e tij «Shënime dimërore mbi përshtypje pranverore» (1863), ku difamon, denoncon perëndimin dekadent, pervers nëpërmjet simbolit kapitalist «Crystal Palace» në Sydenham të Londrës. Dhe «Baal»-in (antizotin) siç e titullon kapitullin e tij mbi Londrën gjeniu rus, mund ta shkatërrojnë vetëm rusët e bashkuar në atë lumin e vërtikshëm sllav që do t’i përbij dikur në vete kulturat europiane (1877). Që nga koha e Stalinit e deri sot dy «simbole» tjera zëvendësuan Crystal Palace -n e Londrës: NATO dhe BE. E para, e cila në këtë formë siç është u legalizua më 28. Mars 1950 me motivin për të parandaluar përhapjen me dhunë të komunizmit (kupto: rusëve) në Azi dhe e dyta iu bashkua të parës gjatë kohës së presidentit J.F. Kennedy, cili politikën e jashtme të tij e formuloi mbi tri pika kryesore: 1. Forcimin ushtarak të aleancës perëndimore nëpërmjet armëve nukleare dhe atyre mobile konvencionale (Strike Command), që do të thoshte shpërndarjen e teknologjive për vendet anëtare të NATO-s , 2. Eliminimi i rivaliteteve ndërmjet anëtarëve të aleancës pro-amerikane 3. Sigurimi i një aleance atlantike me një Europë të Bashkuar. Jo vetëm Paktit të Varshavës, por edhe e gjithë lufta e ftohtë e ngritur mbi strategjinë e Zhdanovit ishte e përqendruar në dobësimin, sabotimin apo shkatërrimin e kësaj politike perëndimore dhe anasjelltas. Bashkimi Sovjetik u bë histori. Triumfoi konkurrenti perëndimor. II. Me shfaqjen e Trump-it si kandidat të mundshëm për president të SHBA-ve Putini beson që perëndia t’i japë edhe një shansë për t’i realizuar idealet e idhujve të tij Nikolai Danillevski dhe Dostojewski. Pikërisht këto dy «tempuj të Baalit» që i penguan sovjetët ta pushtojnë botën donë t’i fshijë apo dobësojë deri në parëndësi presidenti ri amerikan Donald Trump. Edhe para dy ditëve gatipresidenti amerikan tha se NATO është e panevojshme. Gjermania të bëj politikë katatsrofale, BE të jetë krijuar enkas për të dëmtuar ekonominë amerikane – Trumpi nuk e njeh historinë as sa një shkollar i fillores -, industria gjermane e automobilave duhet t’ia jap gjithë fitimin e mundshëm SHBA-ve dhe të llojit. Pra dy drejtimet që i ëndërronte Stalini dikur e Putini sot: prishjen e aleancës perëndimore nëpërmjet përçarjes dhe prishjen ose dobësimin total të NATO-s. III. Sa i përket periferisë, në gjendje të këtilla historia është vërtetë magistra vitae. Gjatë krizës së parë austro-hungareze 1876 rusët shpallën nga ana e tyre fundin e perëndimit romako – gjermanik dhe shkaktuan krizën ballkanike, e cila çoi në fund deri në luftën ruso-turke 1877-1878. Edhe Stalini saherë detektonte kriza në sferën tjetër niste projektet e tij makabre. Në vitin 1941, kur Lufta e Dytë Botërore përlau të gjithë, ai depërtoi me dhunë 2 milionë polak lindorë në Sibiri, dëboi dhe masakroi gjithë popujt e «pabesë» si gjermanët, kazakët, hebrenjtë, estet dhe lituanezët, gjitha këto në favor të pastrimit të «civilizimit sllav» nga elementët disbalancues. E njëjta metodë intensifikuese e projektit ndodhi gjatë krizës amerikane në lidhje me Vietnamët, gjatë krizës së Kubës e deri në rënien e Berlinit kur ra edhe vetë perandoria e drapërit dhe çekanit. Putini beson ta ketë forcuar Rusinë sot siç ishte dikur Bashkimi Sovjetik dhe se tash është momenti ta luajë lojën e të mëdhenjve të historisë. Ndërhyrja në Mal të Zi, provokimet serbe ndaj Kosovës, arrestimi i Haradinajt duhet të shihen edhe nga ky kontekst. Tashmë nuk ka asnjë dilemë se në Mal të Zi ishte në veprim shërbimi i fshehtë rus. Është e pamundshme që shërbimet serbe të sajonin arrestimin e ish kryeministrit kosovar Haradinaj në Francë. Një aksion të tillë mund ta kenë bërë vetëm agjentët rusë brenda shërbimeve franceze, grupi i të cilëve është sekret publik. Muri dhe treni janë poashtu akte të kësaj politike ruse e cila donë që me çdo kusht të provojë gjendjen e NATO-s dhe BE-së ngase nuk është ende e sigurt se si funksionojnë në këtë kohë vakumi. Serbët janë poaq satelit instrumental siç ishin gjatë LPB dhe LDB -së. Sidomos kur ajo, Rusia, është e bindur se përfitimet më të mëdha gjatë historisë i ka bërë pikërisht gjatë kësaj mungese ose çorientimit perëndimor, ajo gjimnastika e para luftarake i bënë periferisë. Vetëm heshtja është për Moskën vrasëse. Kjo heshtje që aktualisht praktikon perëndimi. IV. Nëse Trump do të mundej të vazhdojë me këtë politikë edhe pasi të shkel Oval Office Europa do t’i mbetej barë Gjermanisë dhe vetëm asaj. Ashtu edhe NATO dhe shumëçka tjetër. E kjo nuk do të ndodhë. E para se Gjermania nuk e donë këtë rol për shkak të hipotekave historike dhe e dyta se Brexit-britanikët nuk u ndanë për t’u bërë të parëndësishëm por për të kundërtën. Si Pentagoni ashtu edhe CIA dhe shumica e atyre që do ta këshillojnë ose gjenden tashmë në stafin e tij luftojnë madje që t’ia ndalojnë edhe cicërimat në twitter. Trumpi ose bëhet president që dëgjon ose nuk rri gjatë në post. Nëse rri në post do të jetë marioneta më e dëgjueshme e strukturave tjera të shtetit. Ndryshe nuk do t’i lejohet. Për dallim nga Bushi i padijshëm që mësonte, ky është edhe i padijshëm edhe injoron mësimet. Çka donë të thotë kjo për shqiptarët? Në këtë krizë jashtëzakonisht të rrezikshme ata nuk duhet të frikohen edhe nga zogjtë që rastësisht kolidojnë dritareve të tyre qeveritare, përkundrazi ata duhet të sajojnë një asisoj programi «mbijetues» më të djallëzuar se ata që nuk e dinë se me urdhra të kujt ndërtojnë murre apo nisin trena. Atyre pra që do t’i humbin të dyja mundësitë dhe ka gjasa të mbeten pa trena as për në Europë e as për në Rusi.