Tri tronditjet e mëdha në gjashtë vitet e fundit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 23.06.2026 11:19 23.06.2026 11:19 Çmimi i një fuçie të naftës këto ditë ka rënë në 77 dollarë. Para se të fillonte Lufta në Iran, ajo shkonte tek 70 dollarë. Jo më shumë. Në pikën më të lartë të kësaj lufte, çmimi i naftës pati mbërri në 120 dollarë, me një kërcënim që përkeqësimi i mëtejmë i situatës në Lindjen e Mesme mund të sjell katastrofën në trajtë të shpërthimit të nivelit të 200-300 dollarë për një fuçi, dhe madje, të mungesës së saj në treg. Mbase, nuk është çudi që këto lëvizje të mëdha të vlerës së naftës në treg, e të cilat as më pak dhe as më shumë reflektojnë rrjedhat politike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme, kanë qenë vendimtare që të arrihet një paqe e përkohshme në këtë luftë, me synim që sa më parë të kompletohet një Marrëveshje afatgjatë. Tregjet nuk durojnë pasiguri. Kjo dihet. Në anën tjetër, nuk ka qytetar të Kosovës, si dhe biznes që bëhet këtupari, i cili nuk është goditur nga rrëmuja e një lufte që ishte paralajmëruar tash e sa kohë, me qëllim të ‘shkurorizimit’ të Iranit nga projekti i bërjes së armëve bërthamore, nga vazhdimësia e ndikimit në rajon dhe nga kërcënimi për një konflikt të armatosur në shkallë të rajonit. Pra, xhepi apo kuleta e secilit prej nesh ka pësuar keq prej fundit të muajit shkurt e këndej. Në anën tjetër, edhe nëse në ditët e ardhshme do të shënohet kthimi i vlerës së naftës në ato ditët para fillimit të luftës, kjo nuk do të thotë (aspak), që çmimet e përgjithshme të artikujve do të ri-kalibrohen sipas nivelit të dimrit të këtij viti. Kjo nuk do të ndodhë. Ky natyrisht është lajm i keq për të gjithë ne. Lufta në Iran është goditja e tretë e madhe për të gjithë ne, në gjashtë vitet e kaluara, pasojat e të të cilave janë sot e kësaj dite të pallogaritshme. Ajo e para na erdhi në trajtë të Pandemisë së Covid-19, në vitet 2020-2021. Së paku 3200 kosovarë vdiqën në ato dy vite nga kjo sëmundje. Së paku bazuar në statistikat zyrtare. Por, realisht, numri i viktimave të këtij virusi ka qenë më i madh, teksa për dëmet e tjera shëndetësore dhe financiare, të çdo familje kosovare, as që mund të flitet. Mbase, kemi harruar çka na ka ndodhur në ato vitet e rënda të cilat mezi i kaluam dhe mezi i përballuam. Po të ishte ndryshe, së paku cilësinë e shëndetësisë publike do ta kishim më të mirë. Tronditja e dytë e madhe e këtij lloji ishte fillimi i agresionit të Rusisë në Ukrainë, në muajin shkurt të vitit 2022. Lufta e cila asokohe, prej kryeqendrave më të mëdha perëndimore, llogaritej që do të zgjasë katër ditë, ka kaluar tash e sa kohë katër vjetorin, teksa askush nuk e di se si dhe kur do të mund të përmbyllet. Kjo është lufta më e madhe dhe më e rrezikshme që ka ndodhë në Evropë që nga viti 1945 e këtej (apo nga fundi i Luftës së Dytë Botërore). Një Rend ndërkombëtar u prish nga dimri i vitit 2022, ndryshoi gjithçka në raportet e Perëndimit me Rusinë, ndodhi një shkëputje e madhe e varësisë së Evropës nga gazi dhe nafta ruse, teksa u shënua edhe kthimi i madh i Gjeo-politikës në skenën e Evropës dhe të Botës. Edhe në këtë rast ishte e pashmangshme që t’i vuajmë pasojat e shumëfishta të kësaj lufte, përfshirë këtu edhe acarimin e rrezikshëm të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë në vjeshtën e vitit 2023, me rastin e njohur të Banjskës. Banjska ishte pos tjerash një lloj testi i rrethanave të reja gjeo-politike, pas Luftës në Ukrainë. Po e jetojmë pra një kohë që ka shumë sfida, të të gjitha llojeve. Këtë e bëjmë secili prej nesh si qytetar, por edhe ne si kolektivitet, si shtet i Kosovës. Adaptimi në këto rrethana të reja është i domosdoshëm. Në të gjitha mënyrat e mundshme.