Tri të vërtetat që sollën Propozimin për Marrëveshjen themelore 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 13.01.2023 09:16 13.01.2023 09:16 Amerika, pa marrë parasyshë se kush është President i saj, tash e pesë vjet, ka qëndrimin e qartë për epilogun që duhet të ketë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve. Normalizimi i plotë i këtyre marrëdhënieve nënkupton njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, nuk ka kurfarë dallimi në mes të Washingtonit, Brukselit, Berlinit dhe Parisit për këtë konkludim të bisedimeve të Brukselit në mes të Autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Këtë porosi e kanë përçuar privatisht tek Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, të gjithë politikanët dhe diplomatët evropian që janë takuar me te. Së fundit, në vitin e kaluar, Olaf Scholz, Kancelari i Gjermanisë, e tha edhe publikisht, gjatë vizitës së tij në rajon, në Prishtinë dhe në Beograd, që Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian, pa e njohur Kosovën, sepse nëse Gjermania e ka njohur Kosovën, këtë duhet ta bëjë edhe Serbia. Ka pra një unitet evident trans – atlantik për këtë dialog, teksa në ndërkohë, për shkak të Luftës në Ulrainë, të shkaktuar nga agresioni i Federatës së Rusisë, ka marrë hov logjika e urgjencës së arritjes së Marrëveshjes Themelore, e cila do të duhej të shënonte një hap të madh drejt stabilizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ideja apo Propozimi i Marrëveshjes Themelore, sipas të gjitha gjasave, është shfaqur në fund të verës së kaluar në Berlin, Paris dhe Washingon, në vijim të tri të vërtetave evidente, të cilat në përbashkësinë e tyre imponuan artikulimin e kësaj oferte franko – gjermane, të përkrahur nga SHBA, dhe të ri-emëruar më pas si Propozim Evropian. E vërteta e parë reflektonte tensionet e vazhdueshme në Veriun e Kosovës, të cilat paraqitnin një sprovë të sigurisë për Kosovën dhe madje, edhe për rajonin. Këto tensione nuk kishin si të mos shiheshin të ndërlidhura me vendunmërimin e dialogut të Brukselit, apo, me mungesën e rezultateve të matshme të BE-së në drejtimin e këtyre bisedimeve kah një konkludim i suksesshëm, që tash e sa vjet ishte kodifikuar në Bruksel si ‘Marrëveshje Gjithpërfshirëse/ Ligjësisht Detyruese’ për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. E vërteta e dytë, siç u theksua tashmë, mbërriti në Bruksel e më pas edhe në Ballkanin Perëndimor nga fushëbetejat e luftës në Ukrainë. Supozohej, me të drejtë në dimrin dhe praverën e hershme të vitit të kaluar, që Rusia do të mund ta trazonte Ballkanin Perëndimor, për ta zgjeruar ‘frontin e përplasjes’ me Perëndimin, gjë që do të kishte për pasojë destabilizimin e kësaj pjese të Evropës. E vërteta e tretë ishte objektivisht, prodhim i vet Brukselit, apo, i mungesës, tash e gjashtë vjet (a më shumë), të një vullneti të BE-së (të shteteve kryesore të saj), për zgjerimin e vet me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, në një të ardhme afatmesme. Në rrethanat e tanishme, askush këndejpari nuk e si si kur do të ndodhë integrimi i plotë i këtyre shteteve në Bashkimin Evropian. Kjo e vërteta e fundit është veçanërisht e rëndësishme për rrjedhën e dialogut të Brukselit midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Shtytësi kryesor që Serbia të normalizojë raportet me Kosovën (dhe ta pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur), ka qenë pikërisht mundësia që në një të ardhme jo edhe aq të largët, ajo të bëhet shtet anëtar i BE-së. Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur formalisht Kosovën. Ky nuk është vetëm qëndrimi i Kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, por edhe i të gjithë liderëve të shteteve kryesore të BE-së. Këtë fakt e di shumë mirë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili në anën tjetër, së paku bazuar në deklaratat e tij publike dhe zyrtare, nuk lë vend për dyshim sa i përket orientimit strategjik të Serbisë kah BE-ja. Megjithatë, nuk ka shenja që anëtarësimi i Serbisë në BE është çështje që matet me pak vite, gjë që vlenë edhe për pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Po të ishte ndryshe, apo, sikur të kishte qartësi kohore për inkuadrimin e WB6 (shkurtesa për shtetet e Ballkanit Perëndimor), në BE, atëherë, Serbia do të detyrohej ta njeh Kosovën në një të ardhme të afërm, sepse në të kundërtën, nuk do të ‘kualifikohej’ për të hyrë në BE. Sidoqoftë, herët a vonë, njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë është e pashmangshme. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.