Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tri prioritetet ndërkombëtare të Kosovës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.01.2025 09:31
Blerim Shala
Blerim Shala

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, marrja e statusit të shtetit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian, inicimi i procesit të anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike.

Janë këto tri prioritetet e Qeverisë së Kosovës, kur bëhet fjalë për  politikën e jashtme të Kosovës dhe sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjate ndërkombëtare të vendit, e cila do të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kushdo që do të jetë në pozitë të jetë në ballë të saj.

Në një periudhë afatmesme  (së paku), nuk është rendi që Kosova do të mund të bëhet shteti i 194-të i OKB-së.

Dihet që për anëtarësimin e një shteti në OKB, duhet të shmanget patjetër veto-ja e P-5  (pesë shteteve që janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit), dhe dy të tretat e shteteve të Këshillit të Sigurimit të votojnë në favor të aplikacionit.

Në fakt, inkuadrimi i Kosovës në OKB, ka qenë më e mundshëm në ato vitet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë se sa tani.

Atëbotë, Kina ishte asnjanëse karshi pavarësisë së Kosovës, apo, pritej që Ambasadori i Kinës në East River (New York) do të abstenonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nëse shtetet perëndimore do ta mbështetnin aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në OKB.

Deri vonë, apo, deri në shpërthimin e luftës në Ukrainë  (2022), të shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj këtij shteti, politika e Vladimir Putinit, Presidentit të Rusisë karshi dialogut të Kosovës dhe Serbisë ka qenë që Moska zyrtare do ta përkrah çdo marrëveshje që Prishtina dhe Beogradi do ta arrijnë. 

Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar me themel në relacionet e Rusisë me Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe dialogun e Kosovës dhe Serbisë në veçanti.

Putin nuk ka kurrfarë interesi që të ketë marrëveshje të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është rruga më e shkurtër për stabilizimin afatgjatë të kësaj pjese të Evropës.

Sidoqoftë, është shumë vështirë të besohet që zhvillimet politike në Ukrainë dhe në Evropë (në përgjithësi), do të mund t’ia hapin portat Kosovës për anëtarësim në OKB. Natyrisht, nëse ndodhin kthesa dramatike në Evropë dhe në Botë, nuk ka dyshim që Kosova, e përkrahur nga SHBA-ja dhe aleatët kryesorë të Perëndimit, do të duhej ta shfrytëzonte mundësinë që ta sigurojë atë njohjen universale përmes ulëses në OKB.

Por, një perspektivë e këtillë, aktualisht, banon në atë qiellin e imagjinatës së paskajshme politike.

Çfarë mund të arrihet, në këtë mandatin e ardhshëm katërvjeçarë të Qeverisë së re të Kosovës, ka të bëjë me këto tri qëllimet kryesore të spikatura në hyrje të këtij shkrimi.

Është e mundur që qysh gjatë këtij viti, Kosova të hyjë në Këshillin e Evropës dhe ta marrë statusin e shtetit kandidat për integrim në BE, gjë që do të përmirësonte në mënyrë thelbësore pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, veçmas atë që ka të bëjë me të qenit pjesë e familjes evropiane.

Perspektiva e Kosovës për tu bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike  (teksa dihet që KFOR/ NATO janë në Kosovë që nga viti 1999-të), duket se do të varet shumë nga rezultatet e dialogut të Brukselit të Autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, i cili ka vendnumëruar, për shkaqe të njohura për të gjithë, që nga marsi i vitit 2023.

Integrimi i plotë i Kosovës në BE dhe në Paktin NATO, ka lidhje të drejtpërdrejta me njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së dhe katër të Aleancës Veri-Atlantike  (Qipro nuk është në NATO ndërsa bën pjesë në BE), teksa këto shtete presin finalen e dialogut të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

Duhet përsëritur këtu sërish  (atë që është thënë edhe më parë): Edhe nëse Kosova në vitet e ardhshme, me një mrekulli të llojit të vet, do të bëhet Zvicra e Ballkanit, kjo nuk do të mjaftonte që Kosova të pranohet në Bashkimin Evropian.

Për Brukselin dhe kryeqytetet e tjera kryesore evropiane  (por edhe për Washingtonin, i cili e ka kryefjalën në vendimmarrjen në Paktin NATO), udhëtimi i Kosovës për BE dhe NATO do të jetë më i shpejtë apo më i ngadalshëm, ose, do të bllokohet fare, në varësi nga rrjedha e bisedimeve në Bruksel.

Ky do të jetë kushti kryesor i Brukselit dhe Washingtonit.  

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme