Tri parimet themelore të Demokracisë: Rastet e Kosovës dhe Shqipërisë   - Klan Kosova

Tri parimet themelore të Demokracisë: Rastet e Kosovës dhe Shqipërisë  

123
string(12) "Blerim Shala" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1.jpg"
5 days më parë

Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike është kusht pa të cilin nuk bën për funksionionimin e demokracisë në një shtet.  

Kushti i dytë që pason në këtë rast është njohja e rezultateve të vullnetit të shprehur të  qytetarëve të një vendi, nga të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhjet e lira. Kushti i tretë, i cili është në vijim të këtyre dy të parëve, përkon me tranzicionin e pushtetit,  poqëse opozita e deridjeshme, tani është në pozitë të formojë Qeverinë e re të vendit. Partitë dhe politikanët që kanë qenë në pushtet, duhet jo vetëm ta dorëzojnë në mënyrë të  qetë dhe të organizuar pushtetin tek qeveritarët e ri, por për më shumë, prej tyre duhet të  garantohet edhe kontinuiteti i funksionimit të pushtetit demokratik. 

Asgjë nuk nisë nga zeroja në demokraci. 

Këto janë tri kushtet a parimet themelore për matjen e cilësisë së demokracisë në një vend.  Në të vërtetë, pa ekzistimin e tyre, mund të flitet edhe për një demokraci të mëdyshur, të  kontestuar, madje, edhe të rrezikuar. 

Si pasojë, nuk ka stabilitet në një shtet të këtillë.  

Dita e zgjedhjeve synon të ofrojë legjitimitet të qartë dhe stabilitet të pushtetit, teksa nëse  ndodhë e kundërta, kushdo që merr pushtetin, do të përballet me një rezistencë dhe  kundërshti që nuk përkon fare me ‘Rregullat e lojës’ në një demokraci.  Në rastin e shteteve që njihen si ‘Demokraci të reja’ (të krijuara në hapësirat shtetërore ku  për decenie me radhë ka sunduar Komunizmi), respektimi i këtyre tri parimeve themelore  është i domosdoshëm edhe nga ajo perspektiva evropiane dhe ndërkombëtare e këtyre  shteteve. Kontestimi, nga Washingtoni, Brukseli dhe kryeqendrat e tjera, nga Misionet e  OSBE-së, të vëzhguesve evropianë, të mënyrës se si organizohen zgjedhjet e lira dhe si  ndodhë rotacioni i pushtetit, ka pasoja imediate për pozitën ndërkombëtare në një shteti  dhe për perspektivën e tij për të qenë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian dhe të Paktit  NATO. 

Kosova si shteti më i ri demokratik në rajon (vonesat tona historike dhe politike janë  lehtësisht të justifikueshme, fatkeqësisht) me gjasë, është shembulli më i miri i mundshëm  për respektimin e këtyre tri parimeve themelore.  

Në harkun kohor 2000-2007, organizimi i zgjedhjeve të lira, për pushtetin lokal dhe atë  qendror në Kosovë, ka qenë detyrim i Administratës Ndërkombëtare (UNMIK-ut dhe  OSBE-së), teksa prej shpalljes së pavarësisë e këndej, në këtë periudhën 2010-2021,  përgjegjësia për organizimin e tyre është kryekëput vendore. 

Kosova ka pasur tetë palë zgjedhje të përgjithshme për përbërjen e Kuvendit të Kosovës,  në vitet 2001-2021. 

Vetëm një herë, në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010, është konstatuar manipulimi evident  me votën e qytetarëve, prandaj, ka ndodhë përsëritja e votimit në disa pjesë të Kosovës. Në të gjitha zgjedhjet e tjera parlamentare (dhe ato lokale), ‘ushtrimi i demokracisë’,  përmes kutive të votimit, në Kosovë është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pastaj, me përjashtim të këtij episodi të vitit 2010, rezultatet e zgjedhjeve të lira janë  pranuar prej të gjitha subjekteve dhe liderëve të tyre, pak kohë pasiqë është ditur rezultati  i tyre, madje, edhe para se të ndodhë certifikimi formal i këtyre zgjedhjeve. Politika dhe demokracia kosovare nuk është përballur asnjëherë me situatën kur një parti  ka refuzuar të njoh rezultatin e zgjedhjeve, dhe madje është kërcënuar me mospjesëmarrjen  në punimet e Kuvendit të Kosovës. 

Më në fund, në Kosovë ka ndodhë goxha shpesh ndërrimi i pushtetit, apo rotacioni, dhe në  këtë politikën e vendit, prej vitit 2001 e deri më sot (2021), nuk ka parti politike që sot  është e përfaqësuar në Kuvend, të cilës nuk i ka rënë hise të udhëheq me Qeverinë e  Kosovës, duke marrë postin e Kryeministrit të Kosovës, për nga pesha, më të rëndësishmin  në pushtetin qendror. 

Kemi pasë pra Kryeministra (në renditje kronologjike, prej shkurtit të vitit 2002 e deri më  tani), të PDK-së (tre herë), AAK-së (dy herë), LDK-së (dy herë) dhe të Lëvizjes  ‘Vetëvendosje’ (dy herë). 

Një zhvillim të këtillë nuk e ka asnjë shtet në rajon. 

Rikujtimi i kësaj historie të demokracisë kosovare, duket që fiton një vlerë të shtuar politike  kur përcjellen zhvillimet politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të 25 prillit të këtij viti. Në të vërtetë, nuk ka diç të re në këtë aspekt, kur flitet për këtë periudhën pas-zgjedhore në  Shqipëri.  

Nuk ka shenja që partitë opozitare do t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme  në Shqipëri, teksa janë të shumtë zyrtarë dhe politikanë perëndimorë të cilët tashmë ia kanë  uruar fitoren Partisë Socialiste (PS-së) dhe Kryeministri Edi Rama. 

Historia e demokracisë në Shqipëri, që prej vitit 1991 (kur u mbajtën zgjedhjet e para të  lira), deri më sot (në vitin 2021), teksa janë evidencuar dhjetë parë zgjedhje parlamentare  (tetë të rregullta dhe dy të jashtëzakonshme, në vitet 1992 dhe 1997), njeh vetëm dy raste  kur rezultati i zgjedhjeve është njohur menjëherë, dhe kur ka pasur një rotacion të rregull  dhe të organizuar të pushtetit. 

Herën e parë kjo ka ndodhur në vitin 1992, kur Partia Demokratike (PD), e Sali Berishës  i fitoi bindshëm zgjedhjet, pas kolapsit politik dhe ekonomik të shtetit në vitin 1991. Herën e dytë, ky zhvillim është evidencuar në vitin 1997, kur Partia Socialiste e Fatos  Nanos i fitoi qartë zgjedhjet, pas një tjetër rrëzimi të shtetit, që vijoi bankrotimin e ‘Firmave  piramidale’ në Shqipëri 

Asnjëherë tjetër, nuk ka pasë një zhvillim normal në këtë periudhën pas-zgjedhore. Duket që kështu do të jetë edhe kësaj here. 

Nuk do të ketë befasi për të mirë në politikën e Shqipërisë.