Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tërmeti politik i Kosovës  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 23.02.2021 15:59

Sprova e shndërrimit të politikës kosovare në një de fakto sistem një-partiak, është  rreziku më i madh për Kosovën, dhe realisht edhe për vet Lëvizjen ‘Vetëvendosje’. 

Pasojat për politikën kosovare të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, siç po shihet këto  ditë, ende kanë trajtën e atij evidentimit inicial apo fillestar të dëmeve në një vend të goditur  rëndë nga një termet tetë ballësh. 

Partitë tradicionale të Kosovës, ku hynë PDK, LDK, AAK dhe ‘Nisma për  Socialdemokraci’ (AKR ka kohë që është në gjendje të vegjetimit), janë pllakosur me  heshtje, pas rezultateve të këtyre zgjedhjeve, të cilat, edhe pa këto votat postare të  Diasporës që pritet të numërohen ditëve dhe javëve të ardhshme, shfaqin Albin Kurtin dhe  Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, si një fitues të paparë dhe absolut të tyre. 

Mbase, këto parti do të mund të vazhdonin tutje të merreshin me kurimin politik pas një  rrëzimi të kësisojt, duke provuar atë këndelljen hap pas hapi, për të cilën duhet një kohë e  caktuar që me gjasë, nuk njeh muajtë por vitet e tëra me një ‘terapi’ të nduarnduart politike,  po mos të ishin zgjedhjet e rregullta për pushtetin lokal të caktuara për muajin tetor të këtij  viti.  

Ato janë të pashmangshme dhe të pashtyshme.  

Këto zgjedhje do të tregojnë se çfarë përmasash ka kjo ‘Stuhi perfekte’ politike e bërë nga  Kurti dhe partia e tij para dhjetë ditësh, apo, a do të përsëritet ky rezultat në nivel vendi,  për pushtetin qendror, edhe në këtë nivelin lokal, ku do të zgjedhen Kryetarët e komunave  dhe Asambletë lokale, me mandat katërvjeçarë. 

Nëse Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do ta shtrijë pushtetin e vet edhe në shkallën e komunave,  atëherë, Kosova, si demokraci dhe si shtet, do të shënojë një dukuri njëmend të paparë (dhe  me gjasë, që nuk do të përsëritet më, së paku jo në këto përmasa), kur një subjekt i vetëm,  do të ushtrojë një pushtet të plotë në dy degët e pushtetit, në atë ekzekuziv (Qeverinë dhe  Presidentin) dhe në atë legjislativ (Parlamentin), si dhe në atë komunal (përmes Kryetarëve  të komunave dhe Asmableve lokale). 

Sfida e zgjedhjeve të reja në Kosovë këtë vjeshtë pra, do t’i detyrojë të gjitha partitë  tradicionale të Kosovës që sa më parë që është e mundur, apo, për pak muaj, të stabilizojnë  qeverisjen me vetëveten, nëse duan që sado kudo të dhënë shenja, në votimet e tetorit, që  janë në gjendje të nisin mëkëmbjen e tyre në këtë garën për marrjen e qeverisjes me  komunat.  

Duket që krahasimi fare në krye të këtij shkrimi në mes një termeti të madh dhe tronditjes  politike të 14 shkurtit, është i qëndrueshëm dhe adekuat. Për më shumë, realisht, kemi të  bëjmë me një ‘dridhje toke’ të atyre përmasave, kur ‘godinat politike’ të këtyre partive  tradicionale të Kosovës janë shembur, apo janë bërë rrafsh për toke. Nuk është rendi pra,  si në një termet të moderuar (si thuhet), kur ndërtesat dhe shtëpiat mbahen ende mirë,  gjithçka të tejkalohet me një riparim të pjesshëm, i cili do të garantojë qëndrueshmërinë e  tyre edhe për një kohë të gjatë. Këtu bëhet fjalë për një situatë kur ato mbetjet apo 

gërmadhat e fundit, të mblidhen dhe të largohen, teksa, në po të njejtën hapësirë, në këtë  rast ka domethënien e po të njejtave adresa politike, të bëhet ndërtimi i një godine të re. Në këtë kontekst pra, duket që një ‘shkundje’ e madhe e brendshme, te këto parti politike  është kusht pa të cilin nuk bën nëse synohet që këto subjekte ta ri-gjejnë veten në aspektin  organizativ, duke e ruajtur identitetin e tyre themelor politik, të cilin e kanë krijuar në këto  dy decenie a më shumë (LDK që nga viti 1989), të ekzistimit e tyre.  Natyrisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë një ‘Formulë të thjeshtë’ apo një ‘Truk magjik’ për  rindërtimin e këtyre subjekteve. Kjo rënia e madhe e tyre nuk ka ndodhur brenda ditës,  madje, as brenda pak viteve (ajo realisht ka nisur që nga vitet 2014-2015), prandaj, edhe  mëkëmbja e tyre e mirëfilltë nuk është e mundur me të shpejtë. Njëlloj, as ngritja e  ‘Vetëvendosjes’ nuk është bërë për pak muaj dhe disa vite. Këtë zatën nuk e kanë kuptuar,  apo nuk kanë dashur ta kuptojnë politikanët tradicionalë të Kosovës, një pjesë e të cilëve  madje, kanë luajtur rol të dorës së parë në fuqizimin politik të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe  në krijimin e rrethanave për realisht tri fitore të njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare,  në vitet 2017-2021. 

Sidoqoftë, sa më parë që këto subjekte politike ta kuptojnë se çka i ka gjetur ato, dhe skenën  politike kosovare në përgjithësi, në zgjedhjet e 14 shkurtut, aq më mirë do të jetë për këto  parti veç e veç, por edhe për politikën kosovare së bashku, sepse sprova e shndërrimit të  kësaj politike në një de fakto sistem monist apo një-partiak, është me gjasë rreziku më i  madh për këtë vend, dhe realisht edhe për vet Lëvizjen ‘Vetëvendosje’. 

Vetëm në një konkurencë dhe garë të mirëfilltë politike në mes të subjekteve, në të gjitha  nivelet e pushtetit, por edhe në skenën politike në përgjithësi, mund të ketë përmirësim të  ndjeshëm të cilësisë politike, pastaj, një evoluim për të mirë të qeverisjes me vendin, dhe  ndryshim (sërish për të mirë), të statusit social dhe ekonomik të qytetarëve të Kosovës. 

Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të 14 shkurtit, teksa ky është një realitet ligjor dhe  politik, siç u theksua tashmë, do të ndikojë në animin evident dhe të madh në një anë të  pushtetit, duke e pamundësuar atë ekuilibrin e pushtetit në atë trekëndëshin e pushteteve ekzekutive, ligjvënëse dhe gjyqësore. Në anën tjetër, mbi të gjitha në vijim të këtij rezultati,  aktualisht, dhe me gjasë, edhe në një të ardhme të afërm, vështirë që do të ketë barapseshë  në skenën politike të vendit, kur dihet që Albin Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’, kanë  marrë më shumë vota se të gjitha partitë tjera shqiptare së bashku. Por, nisja e një procesi  politik të ri-kthimit të kësaj baraspeshe politike në vend, është i domosdoshëm aq sa është  edhe i pashmangshëm. 

Ky proces do të jetë fitimprurës për të gjitha partitë politike, për skenën politike në vend,  dhe veçmas, për të gjithë qytetarët e Kosovës. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme