Telashet klasike me Presidentin serb 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 04.03.2023 10:01 04.03.2023 10:01 Të hënën më mbrëmje, me 27 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pas takimit të parë të sivjetëm në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, pos tjerash konstatoi pajtimin e te dy liderëve që më nuk do të diskutohet përmbajtja e Propozimit Evropian të Marrëveshjes Themelore, por vetëm Aneksi i zbatimit të saj. Në Nenin 4 të këtij Propozimi Evropian, në kryefjalën e dytë të tij shkruan: ‘Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.’ Nëse vlerësimi i Borrellit është ende në fuqi, mund të pohohet me saktësi të plotë që në ditët në vijim të kësaj jave, apo, pas 27 shkurtit, Presidenti i Serbisë Vučić, në paraqitjet e tij publike sa ka mundur ka mohuar validitetin e Nenit 4 të Propozimit Evropian, duke theksuar që ai dhe Serbia kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, po aq sa kundërshtojnë njohjen e Kosovës nga Srebia. Rëndom, në të kaluarën, kur bëhej fjalë për Marrëveshjet e nënshkruara dhe të dakorduara në Bruksel, problemet me zbatimin e tyre ndërlidheshin edhe me interpretimet thuaja diametrialisht të kundërta të dy palëve të përmbajtjes së këtyre Marrëveshjeve. BE-ja si lehtësuese e këtij procesi, nuk dëshironte të ndërhyjë në mes të Prishtinës dhe Beogradit në këto kundërshtitë intepretuese dhe zbatuese, edhe atëherë kur ishte shumë e qartë se për çka bëhej fjalë. Por, Neni 4 i Propozimit Evropian është, si thuhet, brutalisht i qartë, prandaj, Vučić nuk ka kurfarë hapësire manovrimi dhe shpjegimi. Natyrisht, Vučić po e shfrytëzon faktin që Marrëveshja Themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë ende nuk është nënshkruar, sepse në ditët dhe javët në vijim pritet të arrihet pajtimi për përmbajtjen e Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes. Dihet që me 18 mars në Ohër (Maqedoni e Veriut) do të organizohet nga Borrell dhe Lajčak, takimi tjetër i Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vučić, në të cilin do të shqyrtohet Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes Themelore. Megjithatë, sjellja e Vučićit qysh tash paralajmëron ato ’telashet klasike’ (nëse mund të thuhet kështu), në procesin e implementimit të Marrëveshjes. Në prononcimet e tij mediatike para takimit të së hënës së shkuar (të 27 shkurtit), Presidenti i Serbisë, në shumësinë e shpjegimeve të tij të Propozimit Evropian, pati thënë që Serbia nuk ka gjë në dorë kur bëhet fjalë për anëtarësimin eventual të Kosovës në Këshillin Evropian, në Aleancën Veri-Atlantike, edhe në Bashkimin Evropian, apo, që nuk mund dot ta ndalojë inkuadrimin e Kosovës në këtë organizata. Ky është konstatim i sakt i Vučićit. Ky e përdorte këtë vlerësim në dobi të dhënies së pëlqimit për Propozimin Evropian. Serbia, në fakt, nuk pyetet gjë as kur flitet për aplikacionin e mundshëm të Kosovës për anëtarësim në OKB, edhe pse po të merret seriozisht qëndrimi i Presidentit Vučić, në kundërshtim të hyjes së Kosovës në OKB, del që ai ka në duartë e veta të drejtën e veto-s dhe që pa pajtimin e tij (dhe të Beogradit zyrtar), flamuri i Kosovës nuk mund të ngritet dot në East River (në selinë e OKB-së). Ky është pra konstatim i rremë i Vučićit, të cilin ky e përdor, për dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me skenën politike të Serbisë dhe me opinionin publik në Serbi. Vučić me këmbëngulje po provon t’i jep kuptim tjetër përmbajtjes së Nenit 4 të Propozimit Evropian, duke mohuar që ai është pajtuar që Kosova mund të hyjë në OKB, kur bëhet së paku fjalë për qëndrimin e Serbisë. Arsyeja e dytë duket se është më e rëndësishme për te, sepse përkon me raportin e tij dhe të Serbisë me Rusinë e Vladimir Putinit. Vučić dëshiron ta mbajë në dorë ende ’Kartën ruse’, për bllokimin e kërkesës së mundshme të Kosovës për t’u bërë pjesë e OKB-së. Zatën, vetëm përmes Rusisë dhe Kinës, dy shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova mund të pengohet për t’u anëtarësuar në OKB. Serbia, siç u tha tashmë, nuk ka kurfarë roli në këtë kontekst. Nëse Vučić dhe Beogradi do ta respektojnë deri në fund Nenin 4 të Marrëveshjes Themelore, (e nuk shihet se si do të mund ta shmangin këtë respektim të saj), atëherë, rruga e Kosovës kah OKB do të ishte e hapur, së paku sa i përket Serbisë. Në atë rast, Rusia e Putinit nuk do të kishte kurfarë obligimi politik për ta mbrojtur Serbinë në OKB, siç ka bërë deri më sot. Zatën, qëndrimi i Mokës zyrtare deri së voni ka qenë që Rusia do të pajtohet me cilindo qëndrim të Serbisë për dialogun me Kosovën. Natyrisht, tash e një vit, apo që prej se ka shpërthyer Lufta në Ukrainë, gjërat kanë ndryshuar me themel në këtë aspekt, apo Putinit nuk do t’i bëhet fare vonë për Serbinë. Megjithatë, Vučićit dëshiron disi ta mbajë Rusinë pranë vetes. Prandaj ai flet pa ja nda që kurrë nuk do të pajtohet që Kosova të hyjë në OKB. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.