Të gjithë në pritje të Deus ex Machina - Klan Kosova

Të gjithë në pritje të Deus ex Machina

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
6 years më parë

Në Kosovë pothuajse të gjithë janë në pritje të një ngjarjeje, të një fuqie të jashtme apo të “një diçka” që do ta ndryshojë për të mirë gjendjen qoftë në rrafshin vetjak, qoftë në atë të përgjithshëm. Edhe ata që angazhohen për ndryshim të gjendjes, pak-a-shumë e dinë se pa një Deus ex Machina planet ose idetë e tyre nuk do të realizohen.

Kritikët, opinionistët dhe analistët sipas të gjitha gjasave e kanë kuptuar se opinionet, shkrimet apo fjalimet publike nuk po kanë efekt tash e shumë vjet. Elektorati po ndryshon tepër ngadalë, për të mos thënë fare, si pasojë e fjalëve dhe shkrimeve. Shumë prej folësve dhe shkruesve të Kosovës (jo të gjithë) në fillim besonin se UNMIK-u do t’i zgjidhte problemet, në mos të gjitha atëherë të paktën shumicën prej tyre. Më vonë besuan se EULEX do të ishte zgjidhja. Tani po besojnë se Gjykata Speciale do t’i zgjidhë (ose më saktë lidhë) problemet që sipas tyre janë kryesisht njerëzit e luftës.

Në pothuajse të njëjtën gjendje shprese është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Udhëheqësia e kësaj partie po ashtu e ka kuptuar se elektorati po ndryshon tepër ngadalë. Dhe shpresa e vetme se do të ketë ndryshim të shpejtë është Gjykata Speciale. Vlen të thuhet këtu se nuk është fare vështirë të kuptohet se kush është “tifoz” i një Deus ex Machina të quajtur Gjykata Speciale. Ndjekja e diskursit dhe diskutimeve na bën të qartë se janë juniorët e politikës në LDK ata që prijnë në këtë drejtim shumë më tepër se Seniorët. Prapë, për të qenë korrekt duhet potencuar – jo të gjithë.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjithashtu shpreson se ekziston një forcë e cila në momentin e fundit do ta pengojë Partinë Demokratike të Kosovës që ta prishë koalicionin. Shpreson po ashtu se ekziston një forcë e tretë, përtej Isa Mustafës, që do t’i mbajë të gjithë deputetët në sallë kur të votohet Presidenti. Lidhja Demokratike shpreson se një ditë, një forcë do ta zbusë opozitën.

Një grup tjetër i njerëzve, që mund të quhen politikanët në pritje, beson se do të ndodhë diçka që së pari do t’i largojë shumicën e politikanëve ekzistues nga skena politike; pastaj si me dorë, do të bëjë që elektorati i Kosovës të mos sillet si tifoz kundrejt liderëve dhe partive politike ekzistuese dhe t’i votojë ata; pastaj që të ndodhë diçka që do t’iu sigurojë të holla për krijimin e një force politike e të mos i shpenzojnë të vetat.

Në Partinë Demokratike të Kosovës shpresojnë se: do të ndodhë diçka që do ta stopojë pjesën më të madhe të Gjykatës Speciale; se deputetët e LDK do të rrinë të gjithë në sallë kur Hashim Thaçi të votohet për President. Shumica e udhëheqësve shpreson se do të ndodhë diçka që do të bëjë që ai vet të mos jetë në listë. Shpresojnë që EULEX nuk do të ngatërrohet shumë më tepër në punët e drejtësisë. Shpresojnë se edhe pas zgjedhjeve të ardhshme do të jenë në pushtet sepse nuk i besojnë opozitës…

Në opozitë ka grupe të ndryshme që shpresojnë në Deus ex Machina të ndryshme; duke e ditur se është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që bashkimin kombëtar mund ta arrijnë vet, besojnë se gjithsesi diçka do të ndodhë ashtu që e gjithë bota ta kuptojë se ai bashkim përpos që është i drejtë është po ashtu në të mirë të Shqiptarëve, Serbëve, Europës dhe gjithë botës. Problemi qëndron në faktin se për ndryshim nga të parët, ky grup ende nuk e ka identifikuar saktë se çka duhet të ndodhë për t’ia arritur qëllimit përpos se duhet këmbëngulur për ta mbajtur gjallë njëfarë momentumi.

Tjerët besojnë se diçka do të ndodhë në mënyrë që elektorati të mos sillet si tifoz dhe ta kuptojë se si duhet votuar për të mirën e vet.

Të gjithë bashkë shpresojnë se dikush apo “një diçka”, një ditë, do t’i thotë Isa Mustafës që për të mirën e tij, për të mirën e LDK dhe për të mirën e Kosovës, duhet të japë dorëheqje; dhe se kjo është mënyra e vetme për t’i zhbërë marrëveshjet pasi që po refuzon t’i tërheqë nënshkrimet. Aq më tepër, besojnë se Isa Mustafa do të jetë i dëgjueshëm. Dhe pastaj shpresojnë se do të ndodhë diçka dhe t’i fitojnë zgjedhjet.

Populli nga ana tjetër beson se një ditë, një forcë e caktuar do të bëjë që të gjithë politikanët e korruptuar do të largohen nga skena; se në pushtet do të vijnë njerëz të rinj, mundësisht nën 15 vjet në mënyrë që të mos korruptohen duke blerë vetura dhe të kënaqen me nga një iPhone që kushton jo më shumë se dyfishi i rrogës së tyre. Që pastaj të vijë një forcë nga jashtë dhe të na sjellë të holla, vende pune, liberalizim të vizave dhe çdo gjë tjetër të mirë.

Dhe në fund Presidentja. Edhe ajo shpreson se do të ndodhë diçka që do të bëjë që: Hashim Thaçi të heqë dorë nga Presidenca; ose t’i thotë dikush apo “një diçka” që të heqë dorë; dhe aq më tepër, që ai të jetë i dëgjueshëm. Ajo shpreson që të ndodhë diçka shumë e habitshme dhe të gjithë të pajtohen se Ajo duhet të jetë kreu i shtetit edhe për një mandat.

Deus ex Machina është një ngjarje, një forcë, një njeri apo një send, është “një diçka” që në mënyrë të befasishme dhe të menjëhershme i zgjidh problemet në dukje të pazgjidhshme.

Problemi i Kosovës nuk qëndron në faktin se eventualisht nuk mund të gjendet “një diçka” që eventualisht do t’i zgjidhte shumicën, në mos jo edhe të gjitha problemet. Problemi i Kosovës qëndron në faktin se shumë grupe njerëzish kërkojnë zgjidhjen e problemeve të ndryshme, kështu që duhen shumë Deus ex Machina. Aq më keq, në të shumtën e rasteve problemet janë kontradiktore. Zgjidhja e problemit të një grupi shkakton probleme të grupet tjera, gati në secilin rast.

Në këto rrethana, fitues do të jetë grupi që e gjen emëruesin më të madh të përbashkët dhe e gjen “një diçka” përmbi perceptimet ekzistuese.