Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Të gjitha llojet e normalizimit  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 30.04.2021 15:06

‘Stina’ e Non-Paperave për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, me gjasë do të  vazhdojë edhe në të ardhmen. 

Pas atij të parit, i cili i atribuohej Kryeministrit të Qeverisë së Sllovenisë, Janez Janšës, e  ku flitej për një ri-rregullim të madh të kufijve të shteteve të cilat u krijuan pas zhbërjes së  ish-RSFJ-së, pasoi ky i dyti, i cili për dallim të atij të mëparmit, ishte më ‘modest’ në  synimet e tij: Ai merrej kryekëput me mundësisë së përmbylljes së bisedimeve midis  autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit. 

Megjithëse, kësaj radhe, nuk u gjet dot (me siguri të mirëfilltë), autori i këtij Non-Paperi,  njëlloj si herës së parë, edhe këtu pati ‘masa të mëdha higjenike’ (‘larje masive e duarve’  prej tij), dhe ‘distancim politik’, i cili madje arriti edhe trajtën e një deklarate kategorike  mohuese të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrellit, në paraqitjen e përbashkët para  gazetarëve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas takimit të tyre në Bruksel. 

Në të vërtetë, si rrallëherë viteve të fundit, u shfaq një konsensus i gjërë ndërkombëtarë  (në të gjitha kryeqendrat), madje, edhe kosovarë (në politikën kosovare), si kundër  ‘zbardhjes’ së këtij Dokumenti në javën kur në Bruksel Kryeministri Kurti pati një sërë  takimesh në nivelin më të lartë, ashtu edhe kundër vet përmbajtjes së tij. 

Non-Paperi i ri i publikuar pak ditë më parë në ‘Koha Ditore’, prezenton një sërë ideshë  dhe propozimesh, së bashku me një rekapitulim të procesit të dialogut në Bruksel. Si në rastin e parë, në atë Non-Paperin ambicioz për ndryshimin e madh të kufijve, në  adresimin e çështjeve kombëtare shqiptare, serbe dhe kroate, ashtu edhe në këtë të dytin,  moria e ideve dhe propozimeve mund të dërgojë në drejtimin i cili me gjasë nuk është  synuar fare prej hartuesve të tyre: Në ‘mbytjen’ e këtyre propozimeve, apo, thënë ndryshe,  në ‘diskualifikimin’ e tyre. 

Teksa Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit, të bëra publike me 2 nëntor të vitit 2005, kur  nisi Ndërmarrja ndërkombëtare e adresimit të statusit të Kosovës, me Presidentin Martti  Ahtisaari si Emisar Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, synonin ta definonin  ‘territorin’ e negociatave në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe të Beogradit, duke  menjanuar opsionet të cilat ishin krejtësisht të papranueshme për shtetet anëtare të Grupit  të Kontaktit (SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Rusinë), tek  Non-Paperat, ndodhë e kundërta: Ofroheshin modelet e zgjidhjes së problemeve të  trashëguara në këto anë të Ballkanit, apo edhe të dialogut të instancave më të larta të  Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. 

Non-Paperat provojnë të bëjnë atë që realisht askush, nga kryeqendrat e Perëndimit, duke  përfshirë këtu edhe Washingtonin dhe Brukselin, nuk dëshiron ta bëjë: Të imponojë  zgjidhje për problemet e mbetura të Ballkanit, ku spikatet edhe ky i normalizimit të  marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. 

‘Modus Operandi’ i SHBA-së dhe i BE-së, kur bëhet fjalë për arritjen e Marrëveshjes  Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, dallon shumë prej atij të aplikuar gjatë  luftës në Kosovë (në vitet 1998, 1999), në vijim, gjatë Konferencës Paqësore të 

Rambouilletit (shkurt, mars, 1999), dhe gjithashtu, në atë kapitullin e Procesit të Vienës të  përcaktimit të statusit të Kosovës (në vitet 2006, 2007). 

Gjatë luftës, Grupi i Kontaktit dhe Bashkësia Ndërkombëtare imponoi paqen në Kosovë,  fillimisht me përmbajtjen e Dokumentit të Rambuilletit, pastaj, edhe me Fushatën e  Aleancës Veri-Atlantike (në pranverën e vitit 1999), dhe me vënien e Kosovës nën  Administrimin Ndërkombëtarë (UNMIK). 

Gjatë Procesit të Vienës, Bashkësia Ndërkombëtare ofroi Parimet themelore (të Grupit të  Kontaktit), dhe ndërmjetësimin në mes të palëve (Prishtinës dhe Beogradit), për të  mbërritur tek një Marrëveshje për statusin e Kosovës. 

Tani, apo, qysh se kanë nisur Bisedimet e Brukselit (një herë në nivelin teknik, në vitin  2011, e pastaj, edhe në atë politik, në vitin 2012), qëndrimi bazë ndërkombëtarë është që  vet autoritetet më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, me një ‘lehtësim’ nga BE-ja, duhet  të mbërrijnë tek Marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës  dhe Serbisë. 

SHBA-ja në dy Administratat e fundit, të Presidentëve Biden dhe Trump (në harkun kohor  2018-2021), ka bërë me dije që thelbi i kësaj Marrëveshje është njohja reciproke e Kosovës  dhe Serbisë, teksa edhe në BE, në Bruksel, dhe tek shtetet kryesore të saj (në Gjermani  dhe në Francë), nuk ka shumë dyshime se çka duhet të ndodhë në fund të këtyre bisedimeve  të gjata në Bruksel. 

Megjithatë, Qeveritë kryesore perëndimore në parim nuk duan ta marrin përgjegjësinë për  gjetjen e asaj ‘Formule magjike’ apo të ‘Passowordit’ (‘Fjalëkalimit’), i cili do t’i hapte  dyertë e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, pa të cilin nuk  mund të sigurohet perspektiva evro-atlantike për Kosovën (anëtarësimi në Paktin NATO  dhe në BE), dhe perspektiva evropiane për Serbinë (Serbia nuk ka pretendime të hyjë në  Paktin NATO). 

Për këtë shkak, nuk duhet fare të habitë i gjithë ai ‘ritual’ zyrtar i ‘larjes së duarve’ nga  Non-Paperat të cilët dolën në shesh në dy javët e fundit. Me siguri të madhe mund të  parashihet reagimi i njejtë në të ardhmen, nëse sërish do të ketë Dokumente testuese të këtij  lloji. 

Çfarë mund dhe duhet të bëjnë në kryeqendrat kryesore perëndimore, veçmas në ato të BE së, duke përfshirë këtu edhe vet Brukselin, si Kryeqytet i Bashkimit Evropian, është që të  zhbllokojnë sa më parë që është e mundur, Procesin e integrimit të WB6 (të gjashtë  shteteve të Ballkanit Perëndimor), në BE. 

Janë në shpërputhje evidente pretendimet e BE-së dhe të shteteve kryesore të Evropës, për  ta ndihmuar në mënyrë thelbësore mbylljen e çështjeve të mbetura në këto anë të Evropës,  me raportin Kosovë – Serbi si çelës të stabilizimit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, dhe  ngecja e planifikuar e procesit të integrimit të këtyre shteteve në BE, deri në jetësimin e  reformës së brendshme në BE. 

Kjo qasje ka pasë afat të skaduar të përdorimit qysh në momentin kur është miratuar, dy  vjet më parë, në Bruksel. 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme