Tallja dhe ulurima e filmit ‘Don’t look up’ - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tallja dhe ulurima e filmit ‘Don’t look up’

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
09.01.2022 12:06

Çfarë fitoni kur bëni përzierjen e këtyre ‘përbërësve’ shëndetësor, politik, ekonomik, teknologjik: Pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, (i cili aktualisht është në Stadin Omicron apo Covid 5.0, në bazë të valëve të Pademisë), Presidentin Trump, Rrjetet Sociale, Show bisiness-in, Reality Show-in e të gjitha formave, obsesionin me telefonat celular dhe me teknologjinë bashkëkohore?

Përgjigjja e sakt është: Kështu bëhet filmi ‘Don’t look up’ i regjisorit amerikan Adam McKay, i cili tash e disa javë mund të shikohet në Platformën ‘Netflix’, ku rolet kryesore i luajnë Leonardo DiCaprio dhe Jennifer Lawrence.

‘Don’t look up’ është i tëri film satirik, me elemente edhe të parodisë së filmave të zhanrit katastrofik  (ku njerëzimi i kanoset shfarosja), teksa poashtu vërehet edhe preokupimi i McKay-it me ndryshimet e mëdha klimatike të cilat në të një të ardhme jo fort të largët, mund të ketë pasoja të pariparueshme për Tokën dhe jetën në te.

‘Don’t look up’ mund të përshkruhet edhe si një film-klithmë për zgjimin nga dremitja e një Qytetërimi Perëndimor i cili ka orarin e jetesës 24/7, në të gjitha trajtat e mundshme, teksa harron që i gjithë ky rrëfim mund të kryhet a të përfundojë së shpejti, qoftë nga një super-virus i cili do të ishte më i fuqishëm se Covid-19  (e ky deri tash i ka infektuar 300 milionë njerëz dhe ka mbytur gjashtë miliona veta), apo, edhe nga një Super-Kometë, e cila në fillim të filmit të McKay-it, zbulohet nga dy shkencëtarë, të personifikuar nga DiCaprio dhe Lawrence.

Sekush që nisë ta shikojë filmin ‘Don’t look up’, dhe nuk ka informacione paraprake, do të mendojë pas pesëmëbëdhjetë-njëzet minutave që ky është një tjetër film i gjinisë së shpëtimit nga katastrofat natyrore, apo, që kur të merret vesh për kërcënimin e përmasave të shfarosjes së jetës në gjithë planetin  (pas gjashtë muajsh, kur kometa do ta bie në Tokë), Presidenti Amerikan, i gjithë shteti, më tej, madje, e gjithë Bota do të mobilizohet për të shpëtuar nga një tmerr i këtij lloji.

Megjithatë, natyra e vërtetë e këtij filmi apo e naracionit artistik kuptohet kur dy shkencëtarët takohen në Shtëpinë e Bardhë me Presidenten Orlean të cilën e luan Meryl Streep.

Presidentja Orlean i ka të gjitha tiparet e Presidentit Trump. Ky portretizim i saj bëhet qëllimisht nga regjisori McKay.

Orlean në fillim nuk i merr seriozisht dy shkencëtarët. Pastaj, nisë të shqetësohet për pasojat për zgjedhjet e mesit të mandatit të saj, por më në fund bindet që duhet drejtuar raketat bërthamore në qiell, për t’ia ndryshuar trajektoren kometës. Pak para se të urdhërohet veprimi final kundër kometës, Orlean urdhëron kthimin e raketave bërthamore në bazë. Arsyeja e vetme është bindja e sigurtë e një businessman-i dhe inovatori teknologjik  (një Mark Zuckerberg pak më i moshuar, por aludimet në te janë shumë të qarta), që ai posedon me ‘armët’ të cilat do ta copëtojnë kometën për ta bërë atë fare të parrezikshme kur të bie në mijëra pjesë në oqean. Teksa, kometa si e tillë, ka në vete shumë minerale të cilat janë ari vet për teknologjinë bashkëkohore apo, për celularët.

Megjithatë, ky operacion në fund dështon, apo, kometa e plotë bie në Tokë duke shënuar fundin e jetës në Tokë, teksa Presidentja Orlean, në anijen kozmike të prodhuar nga ky ‘guru’ i teknologjisë  (tani këtu aludimet janë për Elon Musk-un), dhe me të përzgjedhurit e tjerë nisen për të gjetur një planet të ri të ngjashëm me tokë. Kur të mbërrinë aty, të gjithë dalin lakuriq prej anijes kozmike  (si në fillet e jetës biblike, te Adami dhe Eva), i gëzohen jetës së re, por fatkeqësisht, Presidentja Orlean mbytet nga një specie e ngjashme me dinosaurët.

Filmi ‘Don’t look up’, nuk ka skena tronditëse, kur çahet Toka në mes, kur fshihen nga faqja e dheut qytete të tëra, kur zjarri vullkanik shkreton Tokën, kur uji oqeanik përmbytë dhe fundosë gjithçka.

Në të vërtetë, të thuash, i gjithë filmi ka skena rrënqethëse, dhe njëkohësisht tragji-komike.

Ato fund e krye na shfaqin marrëzinë e njerëzimit të sotëm në Perëndim, indiferencën e mediave më të mëdha amerikane të cilat nuk i lëvizë dot prej vendit as paralajmërimi që kometa do ta zhbëjë Tokën, apo që ky lajm nuk ka gjasa të bëjë kurfarë gare me një tjetër të prishjes së lidhjes së dashurisë në mes të një këngëtareje dhe një DJ-i, çorodinë e një politike të identifikuar me Presidenten Orlean, e cila ka problemin elementar me të kuptuarit dhe të definuarit të realitetit, mbrapshtinë e thuaja të gjithëve të cilët fillimin dhe përfundimin e botëkuptimit të tyre e lidhin me gjithësinë e mbyllur në një telefon celular dhe në faqet e rrjeteve shoqërore.

Pak para se të ndodhë katastrofa e rënies së kometës në Tokë, në Amerikë ndodhë rreshtimi i dy politikave të mëdha, të cilat nuk bazohen dot as në orientimet klasike politike (e majta, e djathta, qendra, etj), as në atë dyluftimin e njohur dhe të vazhdueshëm në mes të Milton Friedman-it dhe John Maynard Keynes-it, për qasjen ekonomike dhe sociale  (për rolin që duhet ta ketë shteti në ekonomi), as në gjë tjetër, pos në të drejtën për të këqyrë çka po ndodhë në Qiell.

Presidentja Orlean, në një stil klasik trump-ist, i prinë Lëvizjes së emërtuar Don’t look up  (Mos këqyr lart, sepse atje nuk ka kurfarë rreziku, apo që gjithçka do të përfundojë mirë), teksa kundërshtarët e saj thërrason njerëzit të Look up  (Shiko lart), apo, të shohin që kometa po vjen dhe do t’i shkatërrojë të gjitha.

Kaq e thjeshtë është puna. Çka po të shohin sytë. Atje kah Qielli.

Ferri rëndom na shfaqet diku thellë në Tokë. E këtu na bie prej Qielli.

Kjo zatën mund të na ndodhë edhe me ndryshimet e mëdha klimatike, të cilat poashtu nga Qielli do të na sjellin Fundin e Botës.

E kemi ditë qëmoti, apo thënë më mirë, e kemi marrë vesh, që përparimi i jashtëzakonshëm shkencor dhe teknologjik është neutral ndaj moralit dhe infiderent ndaj njerëzores.

Por tash e sa kohë, po e kuptojmë që njeriu i Perëndimit ka nisur të bëhet neutral ndaj vetes dhe indiferent ndaj fatit të tij dhe të Tokës ku jeton.

Prandaj, Adam McKay tallet me këtë njeri dhe njëkohësisht ulurinë përmes kryeprotagonistëve të filmit, për ta ringjallur ate para se të bëhet vonë, shumë vonë.

 

 

lajme të ngjashme