Sulmet në Paris, Kupola dhe Solidariteti Patetik - Klan Kosova

Sulmet në Paris, Kupola dhe Solidariteti Patetik

123
string(12) "Slavoj Zizek" NULL
6 years më parë

Po, sulmet terroriste në Paris të premten duhet të dënohen në mënyrë të pakushtëzuar, pa rrethana lehtësuese. Ato duhet të dënohen ME TË VËRTETË, për ç’gjë nevojitet më shumë sesa një spektakël i thjeshtë patetik i solidaritetit nga të gjithë ne (popujt e lirë, demokratikë, të civilizuar) kundër Monstrumit Mysliman vrasës.

Në gjysmën e parë të vitit 2015, Europa ishte e preokupuar me lëvizjet radikale emancipuese (Syriza në Greqi, Podemos në Spanjë), përderisa në gjysmën e dytë vëmendja lëvizi drejt temës “humanitare” të refugjatëve – lufta klasore ishte shtypur në plotëkuptim të fjalës, për t’u zëvendësuar me temën liberal-kulturore të tolerancës dhe solidaritetit.

Me vrasjet terroriste të së premtes në Paris, më 13 Nëntor, edhe kjo temë (e cila ende i referohet çështjeve të mëdha socioekonomike) tash është eklipsuar nga kundërshtimi i thjeshtë i të gjitha forcave demokratike të zëna në një luftë të pamëshirshme me fuqitë e terrorit. Është e lehtë të imagjinohet çfarë do të pasojë: gjurmim paranojak për agjentët e ISIS-it në mesin e refugjatëve. (Mediat menjëherë raportuan gëzueshëm se dy terroristë kanë hyrë në Europë përmes Greqisë si refugjatë).

Viktimat më të mëdha të sulmeve terroriste në Paris do të jenë refugjatët, ndërsa fituesit e vërtetë prapa thjeshtëzimit në stilin je suis Paris do të jenë partizanët e luftës totale në të dyja anët.

Mënyra në të cilën VËRTET do të duhej t’i dënonim vrasjet në Paris është kjo: jo veç me përfshirje në shfaqjet patetike të solidaritetit antiterrorist, por me insistim në një çështje të thjeshtë cui bono. Nuk duhet të ketë “të kuptuar më të thellë” të terroristëve të ISIS-it (në sensin, “aktet e tyre të mjerueshme megjithatë janë reagime ndaj intervenimeve brutale europiane), por ata do të duhej të karakterizoheshin të tillë siç janë – si Islamo-Fashistë, të njëjtë me racistët anti-emigrantë europianë, pra si dy anë të së njëjtës medalje.

Sidoqoftë, ekziston edhe një aspekt tjetër, më formal, i cili do të duhej të na shtynte të mendonim – ajo është forma e sulmeve: trazimi i çastshëm dhe brutal i jetës së përditshme normale. Është me rëndësi të thuhet se objektet e sulmuara nuk kishin të bënin me establishmentin ushtarak ose politik, por me pop-kulturën e përditshme – restorantet, një sallë rocku dhe një stadium futbolli. Një trajtë e tillë e terrorizmit – trazimi i çastshëm – i karakterizon sulmet në shtetet e Perëndimit, në kontrast të plotë me shumë vende të Botës së Tretë, në të cilat dhuna është një realitet i përhershëm jetësor. Ndaluni dhe mendoni për jetën e përditshme në Kongo, Afganistan, Siri, Irak dhe Liban. Ku janë zërat e solidaritetit ndërkombëtar kur qindra njerëz vdesin atje?

Ne TASH duhet ta dimë se jetojmë në një “kupolë” ku dhuna terroriste është kërcënim i cili eksplodon kohë pas kohe, për dallim me vendet ku (me pjesëmarrjen ose me bashkëfajësinë e Perëndimit) jeta e çdoditshme përbëhet nga terrori dhe brutaliteti i pandërprerë.

Në veprën e tij In the World Interior of Capital, Peter Sloterdijk tregon se si në globalizimin e sotshëm sistemi botëror e ka përfunduar zhvillimin e tij dhe, si sistem kapitalist, tash i përcakton të gjitha konditat e jetës. Shenja e parë e këtij zhvillimi ishte Crystal Palace në Londër, vendi i ekspozitës së parë botërore në vitin 1851. Ekskluzivitet i paevitueshëm i globalizimit si konstruksion dhe zgjerim i brendësisë botërore, kufijtë e së cilës janë të padukshëm, por pothuajse të pakapërcyeshëm nga jashtësia, i banuar nga 1.5 miliard fitues të globalizimit. Një numër trefish më i madh ka mbetur jashtë.

Rrjedhimisht, “brendësia botërore e kapitalit nuk është një agora, ose panair i tregtisë nën qiellin e hapur, por më shumë një serrë që i ka sjellë brenda të gjitha që dikur ishin jashtë”. Kjo brendësi, e ndërtuar mbi tepritë kapitaliste, përcakton gjithçka: “Elementi kryesor i Epokës Moderne nuk ishte që toka rrotullohet rreth diellit, por që paraja rrotullohet rreth tokës”.

Pas procesit i cili e ka transformuar botën në një glob, “jeta sociale mund të zhvillohej vetëm në një brendësi të zgjeruar, në hapësirë të brendshme të klimatizuar lokalisht dhe artificialisht”. Pas dominimit të kapitalizmit kulturor, të gjitha përmbysjet botëformuese janë frenuar: “Në kushte të tilla ngjarjet historike nuk mund të ndodhnin më. Eventualisht mund të kishte aksidente vendore”.

Atë që Sloterdijk e potencon me saktësi është se globalizimi kapitalist nuk nënkupton vetëm hapje dhe pushtim, por gjithashtu edhe një glob të vetë-mbyllur që e ndan të Brendshmen nga e Jashtmja e vet. Dy aspektet janë të pandashme: shtrirja globale e kapitalizmit është e bazuar në mënyrë që ta përfshijë një ndarje radikale klasore tejpërtej mbarë globit, duke i ndarë ata që janë të mbrojtur nga sfera prej atyre që gjenden jashtë saj.

Sulmet e fundit terroriste në Paris, njashtu si ardhja e refugjatëve, janë përkujtues momentalë të botës së dhunshme jashtë Kupolës sonë, të botës e cila për ne – të brendshmit – shfaqet kryesisht në TV dhe në online raportet për shtetet e largëta të dhunshme, por jo si pjesë e realitetit tonë. Për këtë arsye, e kemi për detyrë të bëhemi plotësisht të vetëdijshëm mbi dhunën brutale që është e përhapur jashtë Kupolës sonë – jo vetëm dhunën religjioze, etnike dhe politike, por edhe dhunën seksuale.

Ky aspekt assesi nuk guxon të injorohet si i parëndësishëm. Nga Boko Haram dhe Mugabe deri te Putini, kritika antikolonialiste e Perëndimit përherë e më shumë shfaqet si refuzim i konfuzionit “seksual” Perëndimor, dhe si kërkesë për rikthimin e hierarkisë tradicionale seksuale.

Unë, natyrisht, jam krejtësisht i vetëdijshëm sesi eksportimi i menjëhershëm i feminizmit Perëndimor dhe të drejtat individuale njerëzore mund të shërbejnë si mjet për neokolonializmin ideologjik dhe ekonomik (të gjithëve na kujtohet mënyra në të cilën disa feministe amerikane e përkrahnin intervenimin e SHBA në Irak si mënyrë për t’i çliruar gratë e atjeshme, ndërkohë që rezultati është saktësisht i kundërt). Por, kjo absolutisht nuk bën të nënkuptohet si leksion që majtistët Perëndimorë duhet të bëjnë “kompromis strategjik” duke i toleruar heshtazi “zakonet” për poshtërimin e grave dhe homoseksualëve në emër të një beteje “më të madhe” anti-imperialiste.

Prandaj, le ta kthejmë luftën klasore – dhe rruga e vetme për ta bërë këtë është që të insistojmë në solidaritetin global të të eksploatuarve dhe të nënshtruarve. Pa këtë pikëpamje globale, solidariteti patetik me viktimat e Parisit është një amoralitet pseudo-etik.

Përkundër gjithë paqartësisë me të cilën përcillet fluksi i refugjatëve drejt Europës, shumë prej tyre pa dyshim përpiqen të ikin nga kushtet e tmerrshme në vendet e tyre.

Një ditë pas sulmeve në Paris, njëri prej tyre dha një koment joemocional në TV: “Imagjinojeni një qytet tjetër si Parisi, në të cilin gjendja e jashtëzakonshme që mbretëron sot këtu është tipar i përhershëm i jetës së përditshme me muaj, ose me vite. Kjo është ajo prej së cilës po ikim ne”.

E vërteta e kësaj deklarate nuk mund të injorohet.

 

 

Përkthyer nga klankosova.tv