Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Siguria e kërcënuar rajonale

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 17.09.2022 10:29
blerim shala

Të enjten, me 15 shtator, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili nuk fsheh pretendimet e tij për të qenë lider i të gjithë serbëve në Balkan, e pa të udhës që në Bijelinë të Bosnjës dhe Hercegovinës, ta shënojë 15 shtatorin, ‘Ditën e unitetit dhe flamurit serb’.

Kjo festë është fare e re, e viteve të fundit, dhe është, mbi të gjitha, rezultat i Projektit ‘Srpski Svet’  (‘Bota Serbe’), i cili është kopje e atij të ‘Botës Ruse’, në realizimin e të cilit po punon Vladimir Putin që nga 24 shkurti në Ukrainë, kur forcat e tij ushtarake e sulmuan një shtet të pavarur.

Së bashku me Vuçiqin, në këtë manifestim ishin edhe Milorad Dodik, lideri i serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Patriku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirie, deputetë dhe qeveritarë serbë.

Edhe pse preteksti i këtij tubimi ishte një rrugë që duhet t’i lidhë një qytet në Serbi me një tjetër në Bosnjë, fjalimet që u mbajtën këtu, nuk lënë vend për kurfarë dyshimi. Vuçiq dhe politikanët e tjerë serbë që ishin të pranishëm këtu, e kishin në mend një tjetër ’rrugë’: Atë të bashkimit të Republikës Serbe me Serbinë.

Vuçiq zatën në një moment potencoi, në fjalimin e tij, që ’të gjithë duhet të bashkohen nën flamurin serb’.

Tek e mbrama, ishte kjo porosi që i shkonte mirë ’Ditës së unitetit dhe të flamurit serb’.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë e shfrytëzoi këtë qëndrim të tij në Bosnjë dhe Hercegovinë, që t’ua dërgoj një mesazh të sertë Perëndimit dhe Kosovës, duke thënë që ’po duan të na grabisin Kosovën, por ne do të ruajmë çdo centimetër toke të Serbisë’.

Manifestimi me të gjitha tipare klasike serbomadhe, që u zhvillua në Bijelinë, aty ku në fillimet e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë  (në vitin 1992) janë vrarë boshnjakë dhe shqiptarë, dhe janë dëbuar dhjetëra mijëra boshnjakë, iu qep debatit parlamentar në Kuvendin e Serbisë për zhvillimet në dialogun e Brukselit, nga pranvera e vitit të kaluar e deri më tash.

Presidenti Vuçiq edhe këtu dëshmoi se se i vendosur dhe këmbëngulës është ai në dialogun e Brukselit, edhe pse përpiqej, kohë pas kohe, të tregonte që ka vullnet për të bërë Marrëveshje, pos tjerash, sepse paqja është interes i te dy palëve dhe i gjithë rajonit.

Megjithatë, pa kurfarë dyshimi, ky debat në Kuvendin e Serbisë, të gjitha fjalët që u dëgjuan aty, janë një tjetër konfirmim që skena politike e Serbisë, në tërësinë e saj, nuk ka fare vullnet që të bëjë Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, me të cilën këto dy shtete dhe këta dy popuj do të hynin në një epokë të paparë të respektimit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit.

Te dy këto ngjarje, pra, debati tej mase problematik parlamentar në Beograd dhe shënimi i Ditës së unitetit dhe të flamurit serb në Bijelinë, u evidencuan pak ditë pas lansimit të një nisme të re francezo-gjermane  (me mbështetje të plotë amerikane dhe evropiane), e cila u bë gjatë vizitës në Prishinë dhe në Beograd të Miroslav Lajčakut, Emisarit Special të BE-së për dialogun e Brukselit dhe Ballkanin Perëndimor, dhe të këshilltarëve diplomatik të Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz.

Vet Presidenti Vuçiq, në një konferencë për shtyp të mbajtur një javë më parë, potencoi që thelbi i kësaj nisme është që çështja e raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës duhet të zgjidhet shpejt me një Marrëveshje, sepse tema e sigurisë së kësaj pjese të Ballkanit ka një prioritet të madh në Bashkimin Evropian.

Pra, bëhet fjalë për një urgjencë politike dhe diplomatike dhe mbi të gjitha, për urgjencë të sigurisë.

Por çfarë ndodhi ditëve të kaluara në Beograd dhe në Bijelinë, nuk ka si të mos shihet dhe të vlerësohet si burim i një shqetësimi të madh në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe përgjithësi, në rajon.

Lideri serbe Vuçiq në takimet e tij me diplomatët perëndimorë, me siguri do të thotë që e tëra është një performansë e tij mediatike  (në radhë të parë), me qëllim të ruajtjes së kontrollit të tij politik në Serbi dhe në Republika Srpska, apo që ai është i përkushtuar për  ta bërë Marrëveshjen me Autoritetet e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, ashtu siç i ka ardhur fundi politikës së tij ’Edhe Rusia, edhe BE-ja’, njëlloj i ka kaluar afati i përdorimit të kësaj qasjeje të tij që kinse është dyzim i nacionalizmit publik dhe pragmatizmit konfidensial.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme