Si zgjidhen dilemat e shtetit bektashi 123 string(15) "Gazmend Demolli" string(71) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/03/g-1-e1648732229324.jpg" nga Gazmend Demolli 03.10.2024 17:31 03.10.2024 17:31 Entiteti i ri i propozuar nga Edi Rama shtron një sërë çështjesh që, në shikim të parë, duket se janë të pamundura për t’u zgjidhur. Por, nëse ekziston vullneti politik, duhet të ekzistojnë edhe zgjidhjet praktike. Le të zbërthejmë problemin në pjesë të ndara që eventualisht mund t’i zgjidhim dhe më pas t’i rikthehemi çështjes së faktit nëse duhet bërë apo jo. Zgjidhja përmes demarkacionit Është e qartë se, nëse formohet një entitet i tillë, pra një shtet sovran, shteti shqiptar do të duhet të bëjë një demarkacion të kufirit shtetëror me këtë entitet. Demarkacionet e kufijve janë të zakonshme ndërmjet shteteve dhe kryesisht zhvillohen në periferi. Kosova ka bërë një demarkacion të tillë me shtetet fqinje, jo pa kundërshtime politike, për të cilat nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje në kushtetutë dhe në ligje. Janë rishikuar hartat dhe riorganizuar administrimi i atyre njësive territoriale, por nuk ka pasur probleme juridike, pasi organizimi kushtetues i pjesës së mbetur pas demarkacionit mbetet i njëjtë. Zvicra dhe Italia, tani së voni, kanë rivendosur një pjesë të kufirit të tyre në Alpe për shkak të shkrirjes së akullnajave, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Por, a mund të ketë demarkacion që nuk është në periferi, por thellë brenda një territori? Sigurisht që mundet, por në këtë rast shfaqen domosdoshmërisht çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje, veçanërisht lidhur me bashkëpunimin territorial për të mundësuar furnizimin me energji, ujë, shërbime komunale dhe të tjera. Këto çështje janë të ngjashme me ato që shfaqen kur një ambasadë e huaj vendoset brenda një territori, zakonisht në kryeqytet. Pra, nëse e analizojmë çështjen përtej vullnetit, çështjet praktike që shfaqen për shtetin shqiptar për formimin e këtij entiteti sovran thjeshtësohen në dy: demarkacioni i kufirit administrativ dhe ofrimi i bashkëpunimit territorial, si në rastin e një ambasade. Por si mund të bëhet demarkacioni me një shtet që ende nuk ekziston? A mund të bëhet demarkacioni paralelisht? Apo duhet që fillimisht shteti shqiptar ta njohë deklarativisht një shtet që fillimisht nuk ka territor, dhe më pas të bëjë demarkacionin për t’i ofruar territor? A mund të ketë një shtet pa territor? Dematerializimi është një veçori e shekullit XXI. Shembulli më konkret është dematerializimi i monedhave përmes kriptovalutave, diçka që më parë ishte e pamundur konceptualisht. Por, a mundet që një shtet të mos ketë territor kur njihet nga një shtet tjetër, së paku për një kohë të shkurtër? Është si hipotekat e bankave që japin kredi për një pasuri që ende nuk ekziston, por ku të gjitha informatat valide tregojnë se në të ardhmen do të ketë një pronë dhe një objekt. Në këtë rast, shteti shqiptar do të njihte një shtet që në një moment të caktuar nuk administron një territor të caktuar. Nuk është e nevojshme të përdorim shembuj nga Lindja e Mesme, sepse ato janë qorrsokak. Pra, të përcaktojmë rrjedhën e ngjarjeve si duhet të ndodhte. Urdhri Bektashi solemnisht shpall formimin e një shteti, territori i të cilit ka një sipërfaqe prej zero hektarësh. Shteti shqiptar e njeh këtë shtet të ri dhe fillon të bëjë marrëveshjen e demarkacionit. Demarkacioni votohet në Qeveri dhe Kuvend dhe nënshkruhet nga Kryetari i Republikës. Qeveria obligon Bashkinë e Tiranës dhe kompanitë publike që t’i ofrojnë shtetit të ri të gjitha shërbimet publike që zakonisht ofrohen një ambasade të huaj në vend. Të gjitha këto mund të bëhen brenda një dite të vetme në mënyrë të koordinuar. Nevojitet vetëm vullneti. Vullneti politik Vullneti politik që del nga plani i Kryeministrit Edi Rama për të krijuar një shtet të ri musliman në Tiranë, në formën e një enklave sovrane të urdhrit Bektashi, përfaqëson një përpjekje të qartë për të promovuar tolerancën fetare dhe diversitetin kulturor në Shqipëri. Rama synon të krijojë këtë entitet si një mesazh për botën, duke theksuar rëndësinë e harmonisë fetare, veçanërisht në një vend ku komunitetet e ndryshme fetare kanë bashkëjetuar për shekuj. Kjo nismë reflekton një vullnet të fortë politik për të krijuar një model të ri bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes besimeve, një qëllim që Rama e përshkruan si mbrojtje të “thesarit të tolerancës fetare” të Shqipërisë. Por vullneti politik duhet të zgjerohet për të marrë formën e përkrahjes deklarative nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga Presidenti Begaj. Në këtë pikë, duhet zhvilluar diskutime të shtruara edhe me përfaqësuesit e forcave opozitare vendore që të arrihet një konsensus kombëtar që do ta bënte edhe më të fuqishëm këtë proces. Diskutimi do të duhej të bëhej edhe me përfaqësuesit e grupeve të tjera religjioze vendore që të arrihet edhe konsensusi tjetër madhor. Nëse bashkëjetesa fetare është sot në formën më të mirë të mundshme, kjo duhet të dëshmohet edhe në akte. Nuk duhet, në asnjë mënyrë, që ky proces, që ka në themel bashkëjetesën, të shkaktojë përçarje politike dhe komunitare, dhe të shfrytëzohet për poena politik. Janë disa gjëra që janë më të mëdha sesa vetë politika. Në mungesë të konsensusit politik dhe komunitar, mund të shkohet edhe në referendum, por a është vërtet kjo një çështje për të cilën duhet zhbërë shoqëria? Projekt humanist madhështues Bashkëjetesa shembullore fetare në Shqipëri meriton një madhështim dhe promovim ndërkombëtar. Në këtë kohë luftërash, promovimi i bashkëjetesës shqiptarët e ngre në një piedestal të popujve të mëdhenj që vendin e kanë në tryezën e parë. Një popull të lashtë evropian që ka shumë për të qenë krenar. Ka shumë gjëra që mund të japë njerëzimit, jo vetëm deklarativisht, por edhe përmes vullnetit për të bërë gjëra të mëdha humaniste. Sepse një projekt i tillë është para së gjithash humanist. Sikurse shumë gjuhë në botë janë në rrezik zhdukjeje si pasojë e globalizmit, sikurse shumë kultura janë në rrezik zhdukjeje, sikurse shumë zakone janë në zhdukje e sipër, e mos të flasim për florën dhe faunën, po ashtu edhe mënyrat e besimit janë në tretje dhe rrezik zhdukjeje në një periudhë afatgjatë në favor të religjioneve të mëdha. Dikush mund të argumentohet se njerëzimit i mjafton vetëm një gjuhë, vetëm një religjion, vetëm një kulturë, por uniformiteti që jemi duke e krijuar ngadalë do të zhdukë edhe dëshirën për të zbuluar vetë kuptimin e botës, do të shuajë kuriozitetin, do të na bëjë të gjithëve automatë nga mishi që hanë McDonald’s, pinë Coca-Cola, dhe shikojnë të njëjtat gjëra në Netflix. Shumë më lehtë të manipuluar dhe të qeverisshëm. Uniform në uniforma me logo të korporatave. Madhështimi i të veçantës, i së mirës, i humanes do t’i bëjë të tjerët kuriozë për ne. Do të ngritë respektin për ne, si njerëz, si kulturë, si territor. Madhështimi shton vlerë Vlera e shtuar nga ky akt humanist do të ndihej te secili shqiptar në botë. Respekti i shtuar do të përmirësonte jetët e shumë bashkatdhetarëve që përballen sot me paragjykime të ndryshme. Është naïve të mendohet se ky akt i vetëm do të lajë të gjitha mëkatet dhe se, si me një shkop magjik, gjithçka do të bëhet mirë. Madhështimi duhet të bëhet në secilin aspekt të jetës, në secilën pjesë të territorit. Duhet të madhësohet dhe promovohet natyra dhe mënyra e jetesës autoktone: bjeshkët, malet, lumenjtë, grykat. Duhet të lartësohet kultura, letërsia. Kadare ka bërë shumë në madhështimin e këtij populli, dhe të tjerë do të vazhdojnë. Sanktuarizimi i lumit Vjosa në një park kombëtar ishte një madhështim. Thethi është një tjetër rast i lartësimit të autencitetit. Mrizi i Zanave. Shumë aspekte të jetës, territorit dhe shoqërisë shqiptare meritojnë madhështinë. Meritojnë kujdes. Bregdeti i bukur. Uji i kaltër. Të huajt do të vijnë në numër gjithnjë e më të madh për të marrë një copëz të kësaj kulture dhe për të përjetuar të veçantën. Shqipëria ka kapacitet të madh zhvillimor përmes një turizmi cilësor në gjithë territorin e saj. Një turizëm malor dhe bregdetar, një turizëm gastronomik dhe kulturor. Ka potencial të bëhet një vend që ofron mundësi për konferenca ndërkombëtare, konferenca dhe seminare biznesi. A e dini sa peshon industria që lidhet me konferencat dhe seminaret e biznesit? Një mijë miliardë në vit. Dhe është në rritje. Shqipëria ka kapacitete dhe atraktivitet ekonomik që të jetë një nga vendet që mund të përfitojnë nga kjo vlerë, lidhjet ajrore, hotelet, çmimet, por i mungon pak promovim dhe kurioziteti I të tjerëve për këtë vend. Prestigji. Madhështia. Këto janë gjëra që do të luanin rol të madh për këtë gjeneratë, për rininë. Që të gjejë mundësinë aty ku peshon më rënd. Por, të mos keqkuptohemi, ata nuk do të vijnë të vizitojnë shtetin e ri Bektashi, por popullin e mirë që e mundësoi këtë. Sepse pak janë popujt që mund të bëjnë këtë. Është populli shqiptar, më fisniku ndër popujt. Më fisniku. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.