Si të arrihet: ‘Kurrë më’ 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 15.11.2025 10:35 15.11.2025 10:35 Politika e mençur (ndryshe, fenomen gjithnjë e më i rrallë, jo vetëm ndër ne por edhe në shtetet më të zhvilluara të Perëndimit), nxjerr mësimet e duhura kur përballet me pengesat që shfaqen nga interpretimet e ndryshme të kornizës legale e shtetit dhe nga vetë zhvillimet konkrete në atë vend. Për më shumë, këto përvoja dhe këto mësime marrin formën e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, ashtu që në të ardhmen të mos përsëriten problemet madhore të cilat madje mund të evoluojnë në kriza të thella politike. Thuaja i gjithë ky vit politik në Kosovë na ka dhënë ‘ligjërata’ të cilat do të duhej të shërbenin si bazë për t’ia adaptuar Kushtetutën dhe ligjet e duhura ndërmarrjes që të shmangen tash e tutje krizat e këtilla politike. Një qëndrim dhe mendim i përbashkët i të gjitha subjekteve relevante politike në vend do të duhej të ishte: Kurrë më (kësi krizash politike). Teksa ne vazhdojmë të organizojmë zgjedhje të lira dhe të mira për pushtetin qendror dhe atë lokal, siç u pa edhe pas këtyre votimeve të fundit të muajit shkurt të këtij viti, ne jemi në gjendje që të shfrytëzojmë mungesën e formulimeve të duhura eksplicite në Kushtetutën e Kosovës, për ta bllokuar vetveten. Si demokraci parlamentare që jemi, dihet që krijimi i Kuvendit është themel mbi të cilin pastaj kompletohet pushteti qendror, me Qeverinë dhe me Presidentin e Kosovës. Teksa në Kushtetutën e Kosovës janë definuar pasojat e dështimit të zgjedhjes së Presidentit dhe të bërjes së Qeverisë, apo, në atë rast shkohet në zgjedhje të reja parlamentare, një gjë e tillë mungon kur bëhet fjalë për dështimin në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe në vet konstituimin e Kuvendit. Është kuptuar pra brutalisht qartë që nëse duam tash e tutje ta evitojmë këtë burim të krizës politike në vend, atëherë, do të duhej ta amandamentojmë Kushtetutën e Kosovës, për ta pamundësuar një përsëritje të këtyre telasheve të mëdha politike, sepse mund të merret me mend që në rast të një kërcënimi real për shkuarje në zgjedhje të menjëhershme, deputetët e Kuvendit të pathemeluar (ende) dhe entitetet politike do të bëjnë gjithçka për ta konstituuar Kuvendin. Në anën tjetër, që nga ajo situata e njohur e muajit mars të vitit 2011, apo, të Verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ne vazhdimisht përballemi me sprovën madhore të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. E dimë që në dy rrathët e parë të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duhet siguruar praninë dhe votimin e së paku 80 deputetëve, për të proceduar tutje, kur në rrethin e tretë Presidenti mund të marr postin e tij edhe me shumicën e deputetëve (apo, me 61 deputetë). Gjithmonë ka qenë vështirë të sigurohet quorumi fillestar për ta nisur ndërmarrjen e zgjedhjes së Presidentit, edhe kur ka pasur madje një shumicë të qëndrueshme qeverisëse. Duket që edhe në të ardhmen do të jetë kështu. Ndryshe, nuk kishin qarkulluar ditëve dhe javëve të fundit aq shumë fjalë që qytetarët e Kosovës mund të dalin edhe dy herë të tjera në qendrat e votimit, një herë si pasojë e krizës aktuale qeverisëse, e herën tjetër, pas dështimit në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Opsioni i një pajtimi të gjerë politik në vend për ta gjetur një kandidat/kandidate të pranueshme për të gjithë, me qëllim të anashkalimit të një krize politike të radhës, është krejtësisht joreal, dhe askush që provon të merret seriozisht me këtë politikën tonë, nuk do të merrej fare me te. Është e domosdoshme që të adresohet ky problem i cili është i pashmangshëm, sa herë që vjen koha për ta përzgjedhur të parin e shtetit. Kushtetuta e Kosovës këtu do të mund të ndryshohej në dy mënyra. Ajo e para do të definonte mundësinë që të konstatohet dështimi i dy raundeve të para në votimin për President, nëse nuk është arritur ajo shumica kualitative prej 80 deputetëve, dhe kalimi pastaj në raundin e tretë. Kjo e dyta do të parashihte zgjedhjen e Presidentit me vota të drejtpërdrejta të qytetarëve të Kosovës. Natyrisht, këto ndryshime kushtetuese do të hynin në fuqi vetëm për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2031. Në marsin e vitit 2026, gjithçka do të mbetet si është në fuqi prej vitit 2011 e këndej.