Si ia bëri marifetin Bideni Evropës 123 string(14) "Marwan Bishara" string(60) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/12/images.jpeg" nga Marwan Bishara 04.12.2022 20:58 04.12.2022 20:58 Evropa nuk po gjen përgjigje. Qëkur Rusia e zuri Evropën në befasi në Ukrainë, Amerika e ka marrë partnerin e saj transatlantik për të garantuar. Me një lloj të ri të luftës së ftohtë që ka nisur midis Moskës dh Uashingtonit, kontinenti është lënë në të ftohtë, edhe fjalë-për-fjalë, por edhe figurativisht. Të shtangur dhe të destabilizuar, Bashkimi Evropian është ndarë mbi atë se si duhet t’i përgjigjet këtij rivaliteti mes superfuqish. Ndonëse të vendosur për ta mbështetur luftën e Ukrainës për liri dhe pavarësi nga Rusia, evropianët po ashtu janë të kurthuar nga pasojat e saj. Disa, si puna e Hungarisë, duan një formë akomodimi për Rusinë, teksa të tjerët, si Suedia dhe Polonia, duan akomodim më të madh për Amerikën. Mirëpo, ndërmjetësit politikë dhe ekonomikë të kontinentit po kërkojnë pavarësi më të madhe nga të dyja. Franca dhe Gjermania, të cilat një kohë të gjatë e kanë kundërshtuar presionin e ShBA-së për ta zgjeruar NATO-n në Ukrainë, janë xhindosur me administratën e Bidenit se si po e përdor manipulativisht frikën nga Rusia për t’i avancuar interesat e Amerikës në kurrizin e tyre. Mirëpo, Amerika nuk po heq dorë dhe po shtyn përpara për një strukturë sigurie të stilit të luftës së ftohtë në Evropë. Derisa jam duke i shkruar këta rreshta, Sekretari i Shtetit Antony Blinken po e udhëheq një takim NATO-je të ministrave të huaj në Rumani, ku tre mijë trupa amerikanë janë të stacionuar aty ku në samitin e NATO-s më 2008, ShBA-ja kishte shtyrë fort për zgjerimin e aleancës për Ukrainën, deri në shqetësimin e aleatëve më të mëdhenj të vet. Revista britanike atlanticiste, the Economist, raporton që “populizmi ekonomik amerikan dhe çarjet gjeopolitike po e kërcënojnë garueshmërinë afatgjate të Bashkimit Evropian”, dhe paralajmëron që “nuk është në rrezik vetëm prosperiteti i kontinentit, por edhe shëndeti i aleancës transatlantike”. Gjermania, e cila është bërë më e varur nga Rusia për energji dhe nga Kina për eksport dhe investime, është e palumtur me tentimet e ShBA-së për shkëputjen apo kufizimin e lidhjeve ekonomike të Perëndimit me Moskën dhe Pekinin. Vizita e kancelarit Olaf Sholz në Kinë më herët gjatë këtij muaji synonte riparimin e sigurisë dhe stabilitetit të raporteve gjermano-kineze. Berlini mund t’ia ketë dalë që ta mbushë depon e gazit për këtë muaj, mirëpo shtrydhja energjie dhe çmimet astronomike po i minojnë ekonomitë gjermane dhe ato të tjera evropiane. Me çmimet e gazit gjashtë herë më të larta se sa mesatarja e tyre afatgjatë dhe zvogëlimin e konsiderueshëm furnizimit me gaz rus në Evropë, nuk është e qartë se si do t’i mbijetojë kontinenti 2023-ës. Në fakt, zgripi i energjisë, kombinuar me dimrin e ftohtë, mund t’i shkaktojë 100 mijë vdekje shtesë nëpër Evropë – më shumë se sa numri i vdekjeve ushtarake në Ukrainë. Mirëpo, në vend që t’u ndihmojë aleatëve të vet për ta sulmuar krizën e energjisë, ShBA-ja po u merr gati katërfish më shumë evropianëve për gaz natyror se sa që atyre brenda Amerikës. Ndërkohë, Akti i Bidenit për Reduktimin e Inflacionit e që po i lan gjigantët korporativë amerikanë me qindra miliarda dollarë në subvencione, po i pret konkurrentët e vet evropianë, teksa shtysa populiste made in America po e minon tregun transatlantik. E gjitha kjo e ka provokuar Evropën që ta akuzojë Amerikën për përfitim nga lufta dhe për thithjen e investimeve të tyre, duke e minuar tregun fer dhe të lirë në të njëjtën kohë. Shkurtimisht, ata po e akuzojnë atë që po i përsërit politikat e Kinës, e që e sjellin pyetjen: me një mik si ky, kush ka nevojë për Pekinin? Bash kështu ka rrjedhur drama transatlantike, saqë e ka nxitur presidentin francez Emmanuel Macron që t’i bëjë thirrje BE-së që “të zgjohet” sepse “as amerikanët e as kinezët nuk do të na lënë hapësirë”. Udhëheqës të tjerë evropianë kanë kërkuar që Uashingtoni të konsultohet dhe koordinohet me partnerët evropianë para se të marrë vendime strategjike që janë vitale për mbijetesën e tyre apo për aleancën transatlantike. Këto shtete pothuajse fare nuk po koordinohen apo konsultohen mes vete, se lëre më të bashkohen prapa një strategjie të përbashkët që ia vlen për një sfidë të madhe me të cilën të gjithë ata po përballen e që po vjen nga lufta e re globale për pushtet. Largimi i Britanisë nga BE-ja, grindja e nxehtë midis Francës dhe Italisë, tensionet e vazhdueshme midis Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore, ftohja e raporteve midis Francës dhe Gjermanisë, nuk po ndihmojnë fare. 27 shtetet anëtare të BE-së mund të mos pajtohen të gjitha njëzëri, mirëpo Parisi dhe Berlini duhet të pajtohen nëse duan që t’ia dalin në ndaljen e krizës. E megjithatë, presidenti Macron dhe kancelari Scholz deri tash kanë dështuar që të punojnë së bashku, siç kishin bërë suksesshëm paraardhësit e tyre gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë: që nga Valery Giscard d’Estaing dhe Helmut Schmidt, te François Miutterrand dhe Helmut Kohl, Jacques Chirac dhe Gerhard Schroeder, e madje edhe Macroni dhe Angela Merkeli. Kjo po e lë Evropën të cenueshme, të ndarë dhe të ekspozuar. Amerika nuk ka hezituar që të përfitojë nga ndarja dhe mosveprimi evropian. Paradoksalisht, Bideni, i cili kishte premtuar që ta rikthente besimin në partneritetin transaltantik, po e krijon krizën e besimit transaltantik. Në fakt, përqafimi i fortë që po ia jep Evropës po e shfaq një sfidë më të madhe për kohezionin evropian se sa agresiviteti luftarak i George Bushit, indiferenca e Barack Obamës dhe inati e armiqësia e Donald Trumpit. Fakti që Bideni po sillet i befasuar nga reagimi i Evropës apo duke e luajtur injorancën e zëtit tij, e përkeqëson edhe më shumë këtë gjë. Në thelb, duket sikur Bideni po ia bën sot Evropës atë që presidentët e shkuar amerikanë e bënin në kulmin e Luftës së Ftohtë, duke e mbajtur Rusinë jashtë, Gjermaninë poshtë, Francën anash, dhe ShBA-në, epo mirë, në qendër. Për më shumë se një shekull, Amerika në mënyrë të përsëritur ka intervenuar në Evropë, përfshirë edhe luftimin në dy luftëra botërore dhe një lufte të ftohtë, për të siguruar që asnjë fuqi apo koalicion fuqish nuk do ta dominojë kontinentin , dhe me të botën. Kjo nuk e ka nijet që të ndalet tani. Në atë mënyrë, Bideni e ka shfrytëzuar mundësinë për ta paraqitur agresivitetin luftarak të Rusisë në Ukrainë për ta rikthyer ndikimin në venitje të Amerikës në Evropë. Kur vjen puna te dominimi global, Uashingtoni është dëshmuar i pamëshirshëm ndaj armiqve e miqve po ashtu. Britania e ka ngrënë këtë pas Luftës së Dytë Botërore kur ShBA-ja e kishte shantazhuar perandorinë ekonomikisht të bankrotuar që të përfitojë koncesione gjeopolitike. Mirëpo kjo nuk është domosdo rrjedha më e mirë e veprimit sot. Nëse është puna për t’i bërë ballë edhe Rusisë luftarake edhe Kinës në rritje në një botë gjithnjë e më multipolare, Amerika, në fakt bota, është më mirë me një Evropë të fortë dhe të bashkuar, dhe jo të dobët e të ndarë. Evropa mund të ketë telashe me racizmin mbizotërues dhe fashizmin që po rritet, mirëpo BE-ja e ka dëshmuar që është një vepruese më e urtë dhe e përgjegjshme se sa anëtarët e vet individualë. (Publikuar në Aljazeera, përkthyer nga Klankosova.tv). *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.