Si flasim për Hashim Thaçin 123 string(8) "Jon Leka" NULL nga Jon Leka 25.02.2016 16:25 25.02.2016 16:25 Për njërën palë është hero i gjallë për tjetrën djalli i inkarnuar për të humneruar kosovarë. E pashembullt, agresive, kryesisht perverse, e pamëshirshme është kampanja kundër Hashim Thaçit. Edhe leninistët më të vjetër duket se braktisën arkivolin e anonimitetit për ta bërë «shërbimin e fundit ndaj atdheut». Apeli është i kristaltë: Njeriun, që me çdo kusht donë të bëhet president, duhet kryqëzuar patjetër! Nga njëra anë një turmë e përdalë të përkujtojnë darkën makabre të perëndive ku Demetri nga hakmarrja han mish njeriu e nga ana tjetër apologët që mjafton t’i parafytyrosh nesër për të mos i dalluar aspak nga të parët. Në mes këtyre zjarreve gjendet jo vetëm kandidati për përzhitje, por edhe i shkreti qytetar, ai që përtej këtyre klubeve të përzhurgëve maratonik rri i shtangur dhe nga urrejtja dhe frika që ia imponojnë të zgjedhurit e tij nuk dinë kah të ikë. Viktima pra, të cilit këta politikanë tok ia kanë përlarë qiellin mbi kokë e ndërkëmbë nuk i kanë lënë as një copë tokë. As i paanshmi, ai objektivi nuk e ka më mirë, më lehtë, ngase mjafton vetëm një «oh» për ta përplasur, paragjykuar, dënuar me dhunë në varkën e Karonit që të lundrojë nga njëri breg i ferrit tek tjetri i mëferrit. Çka ndodhë vërtetë në atë shtetin e ri që nga gazi, tendat, korrupsioni, dhuna, mashtrimet, plagët e rrudhat duket si një që me shekuj ka vuajtur në ndonjë bastijë? Kush e bën atë të duket kështu? Hashim Thaçi, Isa Mustafa apo gjithë bashkë? Një shoshitje tezash, faktesh, shpifjesh, akuzash e analizim të kategorive të involvuara ndoshta na ndihmon të kuptojmë më shumë, se për ç ‘luftë bëhet fjalë, ndoshta! PRO HASHIM THAÇIT Teza 01 – «Gjarpri» ka qenë një nga figurat kryesore në krijimin e UÇK-së. Verifikimi 01 – Ushtria e Kosovës ka nisur formimin e saj shumë më herët, atëbotë kur HTH ishte ende në LDK. Involvimi i tij në organizimin e luftës së armatosur do të ndodhë veç pas kyçjes së tij në LPK të diasporës. Instalimin e tij si përfaqësues e bëri organizata në fjalë, njerëzit e caktuar të saj. Teza 02– HTH është personaliteti kyç i historisë më të re kosovare, sidomos më meritori në fitimin e pavarësisë së Kosovës, ngase ka udhëhequr proceset që nga Rambujeja e deri në shpalljen e pavarësisë. Verifikimi 02 – Ai është njëri nga personalitetet kyçe të historisë më të re kosovare. Në Rambuje ishte i deleguari i «krahut të luftës» e jo bërësi i kauzës. Deri para ardhjes në pushtet – nëpërmjet votës legjitime demokratike – HTH kishte vetëm ndikimin minimal në proceset politike, sociale ekonomike të vendit, aq sa kishin edhe vendorët tjerë, kur dihet se vendin e menaxhonin ndërkombëtarët. Teza 03 – Ministri i jashtëm aktual është politikani më i përgatitur, më i aftë dhe me më përvojë që ka sot Kosova. Verifikimi 03 – Bazuar në statistikat e zgjedhjeve qëndron fakti se HTH mori gati trefish më shumë vota se gjithë liderët opozitarë bashkë. Po në zgjedhjet e fundit dëshmoi se mund t’i fitojë zgjedhjet i vetëm, si personalitet, madje pa partinë. Ose pikërisht për këtë kur kemi parasysh shkallën e kalbësisë brenda kësaj partie. Qëndron poashtu fakti se Thaçi sot është njëri nga politikanët më me përvojë në politikën e brendshme dhe të jashtme – e natyrshme pas një udhëheqje të gjatë të vendit. Teza 04 – Askush më shumë se Hashim Thaçi nuk e meriton të jetë president i Kosovës. Verifikimi 04 – Nëse thirremi në kushtin e pasjes së legjitimitetit të elektoratit (e propozojnë dy partitë më të mëdha të vendit) pa asnjë dilemë Hashim Thaçi ka të drejtë të jetë presidenti i Kosovës. Edhe për nga aftësitë, përvoja dhe përkrahja (njohja) e jashtme nuk ekziston asnjë pengesë relevante. Në traditën e sistemeve politike mirëpo ekziston një konsensus që t’i jepet prioritet fragmentit kushtetutar që kërkon nga presidenti të jetë unifikues. Këtë të fundit ia refuzojnë mirëpo rreth 25% (opozita) e përfaqësuesve të elektoratit me supozimin se ai s’mund të jetë i tillë – konstatimet janë spekulative pasi ende nuk ka qenë në detyrë. Se sa racionale, legjitime dhe «popullore» janë arsyet e kundërshtarëve më vonë tek përshkrimi i kategorive kundër tij. KUNDËR HASHIM THAÇIT Teza 01 – Është shkaktar i dorëzimit të Mitrovicës. Me këtë shiti sovranitetin e vendit. E bëri këtë ngase ishte spiun i francezëve, të cilët punonin gjatë tërë kohës në favor të serbëve. Verifikimi 01 – Që të shkojë në Mitrovicë, Thaçi u detyrua nga forcat ndërkombëtare e jo eksplicit me urdhër të francezëve. Në atë fazë, pas zbulimit të spiunëve francezë në shtabin e NATO-s, në favor të serbëve fjala e parisienëve më shumë i dëmtonte ata se sa i ndihmonte, ngase vendimet merreshin pa asistencën franceze. Kjo akuzë lidhet natyrisht edhe me «shoqërinë» e Thaçit me një spiun francez. Ende nuk dihen detajet konkrete se ç’ka ndodhur. Por një gjë duhet pasur parasysh: Para, gjatë dhe pas Rambujesë të gjithë personat e involvuar në krizën kosovare (edhe gazetarë, aktivistë më pak të rëndësishëm) kanë pasur kontakte me njerëz të shërbimeve sekrete të llojllojshme amerikane, franceze, italiane, izraelite, gjermane, iraniane e madje edhe të shteteve të Afrikës. Kosova mirëpo nuk pësoi dëme nga këto lidhje, përkundrazi ajo fitoi pavarësinë. Rezultati e ka fjalën e jo aksionet e veçanta. Teza 02 – Ka premtuar vende pune, liberalizimin e vizave, gjëra që as i ka plotësuar e as që jep shenja t’i plotësojë. Verifikimi 02 – Ka manipuluar qëllimisht për të fituar sa më shumë vota. Zotëri Thaçi nuk i takon asaj shtresës së politikanëve iluzorë, por më shumë asaj pragmatike dhe e ka ditur që asgjë nga ato që i premtonte nuk do të mundet t’i realizojë aq shpejtë. Po kush nuk e bëri këtë? Opozita e atëhershme (LDK dhe Mustafa) premtonin të njëjtat. Opozita tjetër madje premtoi edhe realizimin e kauzave që edhe po të kishin marrë mandatin për sundim të përjetshëm nuk i realizonin dot për 20 vitet e ardhshme. Natyra e këtillë e mashtrimit të elektoratit nuk është specialitet «made by kosovars», por është teknikë që me të madhe ndodhë edhe në SHBA, Britani, Zvicër. Nuk është etike, por kështu është. Teza 03 – Me marrëveshjet e nënshkruara për Demarkacionin dhe Asociacionin Thaçi për të ruajtur pozitat në pushtet shiti definitiv Kosovën tek serbët dhe atë jo vetëm Mitrovicën, por i mundësoi Serbisë të ketë pushtet të përhershëm mbi Kosovën! Verifikimi 03 – Gabimi i madh i qeverisë aktuale në kontekst me «Marrëveshjet» qe përjashtimi që në fillim i partive opozitare dhe shoqërisë civile. Jo se të fundit do të pranonin, ngase hasmëritë kishin marrë dhénë, porse qeveria do të demonstronte unitet dhe respekt në vendime kaq të rënda dhe patjetër të komplikuara për vendin. Ndoshta me këtë do të kishte edhe alibi të mirë pse «Marrëveshjet» duhej të modifikohen sipas vullnetit të shumicës e jo të 5%. Përkundrazi sidomos Thaçi vazhdonte po me atë arrogancë prej mbreti që e kishte bërë modus para dhe pas zgjedhjeve të fundit. Nga ana tjetër, ata që kanë informacione të mjaftueshme mbi dialogun në Bruksel e dinë që është njëri nga më kokëfortët dhe pakompromisët në krahasim me tjerët kur bëhet fjalë për interesat e Kosovës. Dihet botërisht se shumë herë zbutet duke u thirrur nga ndërkombëtarët si amerikanët, britanikët, gjermanët që duhet t’i japin garancitë shtesë për ta zbutur deri tek nënshkrimet. Poaq dihet se Thaçi këtë mllef ndaj «miqve» e ka shprehur disa herë edhe publikisht duke besuar të privilegjohen serbët në këtë dialog. Serbia nuk do të ketë pushtet mbi Kosovën asnjëherë më. Bëhet fjalë për një integrim hapash të serbeve problematikë në sistemin e Kosovës. Nga ana tjetër si do të reagonin opozitarët ndaj këtyre marrëveshjeve? Do t’i shpallnin luftë Bashkësisë Ndërkombëtare? Jo, do të firmosnin edhe me më pa zhurmë. Teza 04 – Thaçi e ka thelluar varfërinë dhe ka rrit korrupsionin në vend. Verifikimi 04 – Statistikat e shumta flasin një gjuhë konkrete: Kosova në vitin 2000 nuk është më e varfër se në vitin 1998 e kështu deri sot. Pra kemi të bëjmë me rigjenerimin e një vendi tërësisht të shkatërruar, të djegur me njerëz e kafshë, me banorë të deplasuar botës dhe që duhej të niste nga zeroja. Një vend që «riparoi veten» gati po me një shpejtësi marramendëse (jo falë Thaçit e politikës por as me pengesat e saj) si Gjermania e pasluftës. Ndërsa të varfër ka edhe Zvicra. Pra nuk qëndron problemi tek thellimi i varfërisë, por tek dëshira e njerëzve për të dalë më shpejtë se ç ‘është e mundur nga varfëria. Më shumë duket një luftë me premtimet e vetëfabrikuara që nuk realizohen aq shpejtë si ëndrrat. Thaçi gjatë kohë jo se nuk luftoi korrupsionin, por kishte dhe ka rreth vetes më shumë të korruptuar se sa që lejohet. Falangat e tij ta krijojnë përshtypjen e Italisë që as sot e kësaj dite, shtatë dekada pas LDB ende të mos çlirohet nga diktati i mafiozëve dhe të korruptuarve në çdo segment të jetës. Pyetja që implikohet në këtë rast mirëpo është: a kanë të korruptuar, tenderashë, hajna partitë opozitare që duan ta marrin pushtetin? Rrastë. Pra nuk kemi të bëjmë me Thaçin vetëm si problem korrupsioni por me një shoqëri, të cilën në këtë drejtim ende nuk e ka kapur metanoja. Teza 05 – Thaçi është i akuzuar për trafikim organesh dhe shkak i sjelljes së Gjykatës Speciale, e cila e barazon viktimën me xhelatin? Verifikimi 05 – Ata që janë marrë me vite me materialet e Dick Marty-t e dinë fare mirë se raporti është sajesë e ngritur me burime të shërbimeve sekrete serbe e ruse. Ndoshta ai nuk do të kishte suksesin që pati e ka, nëse në të nuk do të bashkëpunonin asistentë kosovarë; gazetarë, publicistë, botues, dëshmitar të hapur e të fshehtë. Bëhet fjalë për një rrëfim fiktiv për ta dëmtuar Kosovën e Thaçi do të ishte njëri nga viktimat. Mjeku nigerian i martuar me serben dëshmoi perversionin e aksionit. Edhe do të ketë padi (për shkak të dëshmitarëve e jo materialeve konkrete), por Thaçi nuk do të ulet në bankën e të akuzuarit se nuk ekziston asnjë indikacion konkret që do t’i ndihmonte kësaj. KONKLUZIO E TEZAVE DHE VERIFIKIMEVE Nëse kjo analizë me teza e verifikim të tyre lartë është e drejtë, atëherë kemi të bëjmë me portretin e një njeriu të aftë politikisht, të zgjuar, pragmatik dhe dëgjues të skajshëm të aleatëve dhe miqve. Kemi të bëjmë me një politikan që në kalkulimet e tija për ta ruajtur pushtetin duron edhe të keqen pranë vetes, pra nëse jo materialisht strukturalisht del i korruptuar, si gjithë tjerët (PD e Aganit, Memli Krasniqi dhe falangat tjera tejet të dëmshme për Kosovën). Në përballje mirëpo me profilin e liderëve tjerë aktual në politikë mbetet më i përshtatshmi dhe më konstruktivi për Kosovën. Ndoshta për këtë arsye e ka kaq zor opozita të mobilizojë masat, të cilat duket sikur dinë edhe vetë t’i bëjnë krahasimet elementare. Thaçi është po aq (ndoshta e dhe më shumë) patriot sa liderët tjerë; dallimi tjetër është se ai din më shumë se tjerët, shumica e të cilëve nuk përfillen nga ata që e ruajnë sot Kosovën. Analiza poashtu tregon se hasmëria formëkampanje aktuale ndaj Thaçit nuk ka të bëjë me kauzat dhe politikën konkrete kosovare (kush thotë se tjerët do të punonin më mirë pa u prishur me botën?), por me krejtësisht diçka tjetër. Me çka? Këtë e mësojmë nga analizimi i akterëve që kanë marrë fjalën publikisht. KATEGORITË: SULMUESIT DHE ELOZHUESIT Politika – Fatmir Limaj është i bindur se procesin kundër tij për korrupsion e ka dhuratë nga Thaçi për ta likuiduar nga skena politike. Sado që të mbajë Limaj maskën në vend nga analiza edhe më sipërfaqësore e biografisë dhe sjelljeve të tij dhe të tjerëve rreth tij lehtë identifikohet burimi i mllefit. Haradinaj jo vetëm se beson, por edhe e dinë se Thaçi është shkaktar për dobësimin e partisë e tij, madje duke ia instrumentalizuar njerëzit kryesor që e këshillonin. Askush nuk mund të harroj se vetë Haradinaj thoshte vazhdimisht pas Hagës «jemi në dialog se bëhet fjalë për interesa nacionale dhe qeveria punon mirë». Ndryshimi, respektivisht kthjellja e Ramushit ndodhi më vonë dhe sa më shumë qartësohej puna aq më shumë u egërsua ish komandanti. Përdhosja do të ndodhë pastaj me përvojën e VLAN-it ku urrejtjes iu shtua edhe një protagonist: Isa Mustafa! E ky i fundit bashkon Ramushin me Albin Kurtin. Kurti që gati sa ra në dashuri me «ish- titistin e LDK-së» apo «qyqen» siç e quan sot. Albin Kurti përveç mllefit se mungoi në datat kyçe të historibërjes iu shtua edhe ai xhelozisë dhe inatit pse «t’ia fusë» një Isë kur veten e konsideron ideolog të pazëvendësueshëm të kauzave kombëtare. Këto janë të gjitha armiqësira personale, inati, por këto janë motori i dhunës, gjithë asaj që është përtej operimit brenda institucioneve dhe rregullave të demokracisë. Dhe këta primatë kanë fat se në krah kanë plotë njerëz të frustruar -po aq personalisht të motivuar – edhe në media dhe në shoqërinë civile. Për Hashim Thaçin janë shkruar edhe monografi gjysmë fiktive. Nga kush? Nga ndonjë i dështuar politikisht që me çdo kusht donte të bëhej president por e refuzuan amerikanët dhe i «dëmtuari» e perceptoi si intrigë të Thaçit? Nëse bastisim biografitë e më të zjarrtëve që shkruajnë mediave kohëve të fundit ndeshemi me emra autorësh që janë endur me javë e muaj nëpër Prishtinë duke lut halla, teze, miq, kolegë e varrës të Thaçit dhe Mustafës që t’i bëjë ambasadorë në vende të caktuara të perëndimit; që t’i imponojë me zor në bordin e RTK-së; që t’iu jap poste si ministra kulture e të ngjashme. Po aq agresivë (me një «objektivitet» të kalkuluar e shpifur) janë ish këshilltarët, ish deputetët, miqtë të tij me ëndrra të parealizuara për poste e benificione. Këta dihen dhe njihen dhe lexohen për çdo ditë si thirrësit dhe nxitësit më aktivë për rrëzimin e qeverisë, aq egër e aq absurd madje duke shpallur edhe datat e stinëve ndryshe nga kalendari astronomik. Në anën tjetër për çdo ditë ndeshemi me tekste ministrash e këshilltarësh të zv/kryeministrit Thaçi që janë poaq të neveritshëm sa të parët me elozhet e tyre të stilit «qeni për të Zotin e tij». Këta madje edhe më pak ia vlen t’i trajtosh. MASAT DHE TJERËT Kritika objektive vjen nga gazetarë e media që nuk janë të këtyre taborëve mirëpo fatkeqësisht këta të luftës personale përbëjnë diskursin për mbi 90%. Të paktë janë publicistë e intelektualë që vërtet janë detektues të revoltës së masave për premtimet e parealizuara, për sistemin arsimor për toke, për shëndetësinë që më shumë sakaton e vret se sa shëron dhe për shumë probleme tjera me të cilat përballet populli, ajo masë që nuk merr pjesë në këtë orgji luftarake primatësh pushtetomaniakë. Do të zgjidhet apo jo Thaçi president, kjo nuk është çështja. Më mirë ai se sa ndonjë analfabet në politikë e që prish çdo lidhje me botën. Me rëndësi është të dihet se do të shpëtojë Kosova pa rënë në kaos gjatë luftës personale të primatëve primitivë të armiqësuar ndërmjet veti apo jo? Ata nuk bëjnë luftë për vendin, kjo është më se e sigurt!