Shteti i përjetshëm i Kosovës - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shteti i përjetshëm i Kosovës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
30.11.2022 09:09

Çlirimi i Kosovës nuk është aksident historik. Pavarësia e Kosovës nuk është rastësi politike. Shteti i Kosovës nuk është dukuri kalimtare. Orientimi pro-perëndimor i Kosovës, dhe i shqiptarëve në përgjithësi, është fat dhe domosdoshmëri. Gjithçka tjetër ri-sjell tragjeditë për Kosovën dhe për shqiptarët si komb.

Këtyre fjalive dhe qëndrimeve kategorike do të mund të shtoheshin edhe shumë të tjera të po kësaj natyre.

Të gjitha këto pohime i rrinë mirë çdo 28 nëntori, dhe kështu ishte edhe këtë vit, kur u shënua 110 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

28 nëntori i dha identitetin shtetëror shqiptarëve kudo që ishin në atë kohë, në vitin 1912.

Kjo ditë i bëri ata me shtet. Por ky shtet nuk arriti atëbotë të përfshijë të gjitha territoret e këtyre anëve të Evropës, të cilat ishin të banuara me shumicën evidente shqiptare.

Janë të shumta arsyet pse ta zëmë Kosova mbeti jashtë Shqipërisë. Ato dihen prej të gjithë neve. Njëra prej këtyre arsyeve ka të bëjë me atë kontekstin ndërkombëtar evropian të asaj kohe. Ai ishte thuaja tërësisht i pafavorshëm për përfshirjen e Kosovës në Shqipërinë e sapokrijuar, dhe të konfirmuar më pas me Konferencën e Londrës  (1913).

Ndryshe, të mos mashtrohemi: Drejtësi në marrëdhënie ndërkombëtare nuk ka. Këtë e kemi marrë vesh një herë e mirë në vitet 1912/ 1913.

Sidoqoftë, kujtimi për 28 nëntorin si të tillë, ngritja e flamurit kombëtar dhe krijimi i shtetit të cunguar shqiptar, ishin ai motivi kryesor i mbijetesës së shqiptarëve të Kosovës.

Shqiptarët këndejpari e kishin identitetin kombëtar, gjithherë të rrezikuar nga një shtet okupues  (Serbia), dhe besonin e luftonin me të gjitha mjetet e mundshme që ky identitet, një ditë, të shërbejë si faktor determinues për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në një shtet të vetëm.

Të gjitha lëvizjet politike dhe ushtarake në Kosovë, në atë harkun kohor 1912-1989  (deri në rënien e Murit të Berlinit pra), të djathta apo të majta, kanë qenë pak apo shumë të drejtuara kah bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Rrethanat në Kosovës dhe në atë shtetin e përbashkët, RSFJ-në, ndryshuan me themel këtë orientim në fundvitet e tetëdhjeta, kur nisi shembja e Komunizmit dhe kur u paralajmërua fundi i ‘Luftës së Ftohtë’.

Lëvizja e sapokrijuar politike në Kosovë, e cila gjeti veten tepër mirë në ato rrethanat e reja në Evropë dhe në ish-Jugosllavi, diti të dyzojë synimin e saj për demokratizimin e Kosovës, me përputhjen e këtij demokratizimi me vullnetin nacional të shqiptarëve të Kosovës, për të pasur të drejtat e barabarta me të gjithë popujt dhe njësitë e atëhershme federale.

Konteksti ndërkombëtar ndryshoi në favor të Kosovës dhe në dëm të Serbisë, por po të mos ishte gjeturia politike e shqiptarëve të Kosovës dhe Lëvizjes së tyre demokratike, të prirë nga Dr.Ibrahim Rugova, nuk do të bëhej gjë prej gjëje, apo, shqiptarët e këtyre anëve serish do të përfundonin si humbës.

Në këtë kontekst të ri ndërkombëtar, dhe me një Shqipëri e cila doli e rrënuar në çdo aspekt të mundshëm në fund të Komunizmit, për kosovarët nuk kishte opsion tjetër pos që në vijim të zhvillimeve të njohura në ish-RSFJ, (përplasjet kushtetuese në mes të njësive federale të përcjella me luftë), të përqafojnë solucionin e shtetit të pavarur të Kosovës, dhe që çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit të Kosovës, ta kërkojnë në partneritetin me SHBA-në dhe me Perëndimin.

Na doli mirë në fund, sepse u përcaktuam mirë. Dinin çka kërkonim. Dinim si të kërkonim: Një herë me fjalë e me politikë, pastaj, me luftën që na u imponua. Dinim me kë duhej të bëheshim bashkë (me Amerikën dhe Perëndimin), që kërkesat e tona të sendërtoheshin dhe të bëheshin realitet: Një herë me çlirimin e Kosovës (qershor, 1999), e pastaj, me pavarësimin e Kosovës  (shkurt, 2008).

Nuk kemi çka t’i justifikohemi kurkujt që zgjodhëm të bëheshim shtet.

Shteti i Kosovës pra, është një epilog i natyrshëm i historisë së shqiptarëve të Kosovës prej vitit 1912, deri në vitin 1999.

Ky shtet do të jetë sa të ketë shqiptarë në Kosovë.

 

 

lajme të ngjashme