Shteti i Kosovës si vlerë supreme politike 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 17.02.2022 09:21 17.02.2022 09:21 Shteti i Kosovës këtë të enjte i mbushë 14 vjet jetë. Për krijimin e tij, u dashtë të luftojnë, të përpiqen, të vuajnë, të mundohen, të sakrifikohen, në të gjitha mënyrat e mundshme, breza të tërë për 96 vjet të plota, që prej okupimit nga Serbia, në vitin 1912. Secila familje shqiptare në Kosovë e ka një rrëfim të vetin për kontributin e saj për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Mbase, nuk ka familje shqiptare e Kosovës që prej vitit 1912 deri në vitin 1999 (kur Kosova u çlirua, përfundimisht), nuk ka pjesëmarrës në njërën nga luftërat e bëra prej nesh këndejpari, nuk ka dikë të vrarë dhe të humbur në këto luftëra, nuk ka dikë që është torturuar, rrahur dhe burgosur, nuk ka dikë që është shpërngulur në Turqi, nuk ka dikë që është larguar me dhunë në vitet e nëntëdhjeta dhe jeton sot e kësaj dite në Perëndim. Jetëshkrimi i krijimit të shtetit të Kosovës pra është tërësi e biografive tona individuale dhe familjare. Rrallëkund është shënuar diç e tillë, me ndonjë popull, kur ka ndodhur bërja e një shteti të ri. Shteti i Kosovës pra, është fëmijë i të gjithë neve, teksa ai sot është Prind i të gjithë neve. Apo, të gjithë ne jemi fëmijët e tij. Ky është paradoks në vete dhe njëkohësisht, realitet i padiskuteshëm politik, shoqëror dhe ekzistencial. Pritëm shumë vite që Kosova të bëhet shtet, dhe në atë 17 shkurtin e vitit 2008, askush prej nesh, dhe me gjasë, askush prej miqve tonë në SHBA dhe në shtetet kryesore të Perëndimit, nuk ka mundur të imagjinojë dot që shteti i Kosovës nuk do të bëhet rrëfim i përfunduar, i rrumbullakësuar, i kryer, 14 vjet më pas. Kemi paramenduar, asokohe, që brenda pak viteve, do të bëhemi shtet anëtar i OKB-së dhe i të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare, që brenda një decenie do të mund të hymë në Aleancën Veri-Atlantike, që pastaj, do të jemi edhe pjesë përbërëse e familjes së madhe evropiane në BE. Këto pritje tona nuk u sendërtuan. Dihet pse. Evropa dhe Bota e sotme, e vitit 2022, nuk ka thuaja gjë të përbashkët me atë të vitit 2008. Duket që vlerësimi i shtetit të Kosovës, në përgjithësi, varet nga perspektiva nismëtare, dhe nga ajo qasja krahasimtare. Nëse këtë shtet e analizojmë nga ajo perspektiva historike, e gjithë atyre decenieve të robërisë dhe të vuajtjeve të gjithëllojshme, dhe të atyre viteve të luftës së fundit (1998, 1999) të cilat nuk kanë si të mos kujtohen prej të gjithë neve që i përjetuam dhe i mbijetuam ato, atëherë natyrisht që pos që ky shtet shihet si arritje kulmore e të gjithë neve, ai është edhe një lloj i gjeneruesit të shpresës dhe optimizmit për të gjithë ne. Por, ajo perspektiva tjetër, e pritjeve tona prej këtij shteti, në atë dimrin e para 14 viteve, shfaq një deficit evident të arritjeve të përgjithshme të shtetit të Kosovës, i cili (deficit) gjithsesi, nuk është rezultat vetëm i joni, por edhe i rrethanave të ndërlikuara rajonale dhe ndërkombëtare. Por, jemi këtu ku jemi. Shteti i Kosovës është vlera supreme politike e të gjithë neve. Në këtë aspekt së paku, ky është një fakt që nuk diskutohet dot. Shteti i Kosovës pra është fati jonë final politik. Fati jonë final qytetërues është Perëndimi. Në kuadër të tij, ne do të jemi pjesë e Alenacës Veri-Atlantike dhe e Bashkimit Evropian. Do t’i mbërrimë edhe këto qëllime. Kjo është e sigurtë. ©Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.