Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shkuarja e Presidentit Ahtisaari 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 16.10.2023 14:37
Blerim Shala
Blerim Shala

Më së mirë jam ndier kur kam qenë mësues. Mësues kam qenë fare në fillim të karierës sime.

Në këtë mënyrë u pati përgjigjur Presidenti Martti Ahtisaari, atëbotë Emisari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, kur u pyet prej Delegacionit të Kosovës që merrte pjesë në bisedimet e Vienës  (2006, 2007), se kur ka qenë më i kënaqur me punën e vet si politikan dhe si diplomat.

Në të vërtetë, duket që Presidenti Ahtisaari, i cili vdiq sot në Helsinki, në moshën 86 vjeçe, asnjëherë nuk e ka braktisur qasjen e tij të një mësuesi kur i është vënë në ballë të adresimit të çështjeve më komplekse ndërkombëtare. 

Ai është përpjekur vazhdimisht që politikanët dhe diplomatët e shteteve të ndryshme, ta marrin vesh shumë qartë se për çka bëhet fjalë në trajtimin e një problemi. Nuk ka lënë fare vend për dyshime apo keqkuptime. 

Ahtisaari në dy zhvillimet kyç për Kosovën ka pasur rol shumë të rëndësishëm, mbase edhe vendimtar.

Së pari, në muajin qershor të vitit 1999, atëherë kur ende shërbente si President i Finlandës, i shoqëruar nga ish-Kryeministri i Rusisë, Viktor Chernomyrdin, ai ishte tepër i sakt në përçimin e mesazheve të Bashkësisë Ndërkombëtare  (atëherë të përfaqësuar me grupimin e shteteve më të zhvilluara në Botë, G7 dhe Rusisë) Slobodan Miloševićit se çka do ta gjenë ate dhe Serbinë, nëse nuk i pranon Parimet e G7-tës dhe Rusisë për përfundimin e luftës apo të fushatës së Aleancës Veri-Atlantike. 

Kur lideri serb i cili tashmë ishte i akuzuari i ICTY-t  (Tribunalit ndërkombëtar për krime lufte të kryera në territoret e ish-Jugosllavisë) për të gjitha tmerret e shkaktuara në Kosovë, në dy vitet e luftës, iu dorëzua Ahtisaarit dhe Chernomyrdinin, në fillim, pakush në kryeqytetet e Perëndimit i besoi. Milošević tashmë kishte bërë namin kudo në Perëndim, me rrenat dhe mashtrimet e tij sa herë faktorët kryesorë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-ja, mundoheshin të impononin paqen në Kosovë.

Por Ahtisaari ishte i sigurt që e kishte kryer detyrën e tij, apo, që ia kishte dalë ta bindë ‘Kasapin e Ballkanit’  (që ishte ‘profesioni’ kryesor i Slobodan Miloševićit), për t’u dorëzuar, apo, për tu larguar nga Kosova.

Ai, si rëndom, kishte të drejtë. Dihet çka ndodhi më pas me Marrëveshjen teknike ushtarake të Kumanovës dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kosova u çlirua. 

Së dyti, Presidenti Ahtisaari u caktua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, në tetorin e vitit 2005, të merr përsipër ndërmarrjen ndërkombëtare të zbardhjes së statusit të Kosovës. 

Pak ditë më pas, ai do të caktohet në Washington me përfaqësuesit e shteteve të Grupit të Kontaktit  (pos pesë shteteve kryesore të Perëndimit, aty ishte edhe Rusia), prej të cilëve do ta merr Udhërrëfyesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, në trajtë të Dhjetë Parimeve themelore.

Aty ishin edhe parimet që Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen para vitit 1999-të, që territori i Kosovës nuk mund të ndahet dhe që poashtu, Kosova nuk mund t’i bashkohet asnjë shteti tjetër.

Kur në fillim të dhjetorit (të vitit 2005) u takua sërish me diplomatët e Grupit të Kontaktit dhe hetoi që aty ka hezitim se si duhet proceduar më tutje, ai, me atë qetësinë dhe saktësinë e njohur, ua lexoi parimet e mësipërme të vet këtij trupi politik dhe diplomatik ndërkombëtar, për të shtuar më pas: ‘Unë nuk shoh këtu që ju keni lënë tjetër variant të zgjidhjes së statusit të Kosovës, pos pavarësisë së saj. Çfarë më mbetet mua është të negociojë për të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë dhe për rolin që Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta ketë në shtetin e Kosovës…’.

Megjithatë, Ahtisaari e dinte fare mirë që teksa epilogu i procesit të prirë prej tij ishte i qartë fare në fillim  (pavarësia), nuk do të jetë lehtë që të mbërrihet tek një konsensus ndërkombëtar për këtë epilog. 

Këtë zatën Ahtisaari iu pati thënë në fund të takimit të parë me Ekipin e Unitetit, të prirë nga Presidenti Ibrahim Rugova, të mbajtur në Rezidencën e tij, me 22 nëntor të vitit 2005.

Ai i pati listuar tri pengesa të mëdha në këtë aspekt: Refuzimin e Serbisë për ta pranuar pavarësinë, kundërshtimin eventual të Rusisë dhe mugesën e konsensusit në BE për shtetin e Kosovës.

U vërteta edhe një herë se sa mësues i mirë ka qenë Presidenti Ahtisaari. 

Kanë kaluar 18 vjet prej atëherë, Kosova është bërë shtet i pavarur me 17 shkurt të vitit 2008-të, por te tri këto pengesa janë të gjalla sot e kësaj dite dhe Kosova ende nuk e ka mbërri stabilitetin e duhur ndërkombëtar. 

 

lajme të ngjashme