Shkëlqimi tejkohe i “Gjurmëve” - Klan Kosova

Shkëlqimi tejkohe i “Gjurmëve”

123
string(16) "Shkëlzen Maliqi" NULL
5 years më parë
Këto ditë ka dal nga shtypi botimi i dytë i librit mbi muzikën e grupit “Gjurmët” autorë i së cilës është kompozitori dhe frontmeni i këtij grupi Migjen Kelmendi. Ripublikimi i librit pas më shumë se 15 vitesh, i përgatitur pas koncertit që është organizuar për “Gjurmët” në Palllatin e Kongreseve të Tiranës në dhjetor të vitit të kaluar, është pajisur me parathënie të reja nga tre autorë, të cilët vlerësojnë lartë rëndësinë e grupit dhe të librit. Ribotimi është sponsoruar nga Fondacioni “E dua Kosovën”. Me këtë rast po ua sjellim lexuesve tanë parathënien instruktive të Shkëlzen Maliqit.

Duke dëgjuar më 29 dhjetor 2015 koncertin e “Gjurmëve” në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, e kisha përshtypjen e në satisfakcioni monumental. Kjo jo vetëm pse muzika e një rock grupi shqiptar për herë të parë po shoqërohej nga Orkestra simfonike që muzikës së “Gjurmëve” i jepte madhështinë dhe thellësinë e papërjetuar më parë. Ajo vinte edhe nga prezenca e shumë miqëve të “Gjurmëve” që interpretonin këngët e tyre, gjë që tregonte se sa e gjallë dhe e pëlqyer është kjo muzikë ndër profesionistët e interpretimit.

Për më shumë, aty ishte edhe një audiencë masive e ardhur nga të gjitha viset shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni…, diasporë), e të gjitha brezëve, për të dëshmuar statusin evergreen të muzikës të grupit që, përndryshe, nuk është aktive që nga mesi i viteve ’80 të shekullit të kaluar.

Përndryshe, në koncert grupin nuk e pamë shumë, pos frontmenit Migjen Kelmendi, sepse koncerti nuk ishte gjithaq i “Gjurmëve”, sa një homazh i merituar për muzikën e tyre. Përmasa e homazhit bëri që Migjen Kelmendi me shokët, që dikur kanë menduar se janë pjesë e një brezi të humbur (siç shprehet autori në librin), pas një çerekshekulli trazirash, ikjesh dhe dramash historike të përjetuara – të ndihen si ngadhënjimtarë.

“Gjurmët” kanë qenë gjithnjë shumë më shumë se muzikë.

Libri që e mbani në dorë edhe është shkruar më herët, tani i ribotuar, për të treguar përmasat e gjëra socio-kulturore-politike të fenomenit “Gjurmët”.

Me një sinqeritet, stil sharmant, sens për detale, informata dhe analiza të sakta, përmes muzikës së “Gjurmëve”, Migjen Kelmeni na rrëfen historinë e një kryeqyteti pa lum, çfarë është Prishtina, si dhe historinë e Kosovës në vitet tetëdhjeta e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Në dukje fragmentare, me plotë figura letrare dhe kaptina të vogla refleksionesh esejistike, ky libër, si asnjë tjetër, përshkruan frymën, brengat dhe shpresat e asaj kohe. Po ashtu, zbardh edhe motivacionin që Migjenin dhe shokët i ka shtyer që të shprehen mu përmes muzikës, por që pastaj ua ka determinuar që të marrin vendime dhe veprime ekzistenciale dhe krijuese, duke e lënë muzikën e “Gjurmëve” që të bëjë edhe një jetë ndaras prej tyre.

Ky libër pohon se idetë e “Gjurmëve” kanë pasur fuqi transformuese, kur ato është dashur pothuajse domosdoshëm të shndërrohen në letërsi ose publicistikë. Mund të jetë ashtu në aspektin e vendimarrjeve personale, por në thelb suksesi i “Gjurmëve” është te vlera e muzikës që ata krijuan.

Opusi muzikor i “Gjurmëve” edhe nuk është aq i madh. Për gjashtë vjet sa ka qenë grupi aktiv (1980-1986), Migjeni ka kompunuar ose riorkestruar dhe përshtatur diçka mbi 30 këngë të zhanrit muzikor rokenrol, që më specifikisht janë të ndikuara nga një faze e zhvillimeve në rokenrol skenën botërore që emërtohen si muzikë Post-Punk ose Neë Ëave.

Muzika rokenrol në Kosovë ka qenë prezente edhe më  herët por nuk e ka pas karakterin dhe cilësinë që do ta arrinin “Gjurmët” dhe disa grupe tjera (p.sh. “Minatori”).

“Gjurmët” nuk do ta importonin muzikën New Wave, që do të thotë valë e re, thjesht si një huazim diktuar nga moda dhe nevoja që rinia kosovare pro-perëndimore të argëtohet nëpër disko-bare ose ahengje trendi të kohës. Për “Gjurmët” muzika Neë Ëave ka shërbyer si frymëzim që edhe në Kosovë të fillonte  freskia e qarkullimit të ideve dhe valëve të reja, duke krijuar nga këto frymëzime muzikë origjinale, të përshtatur dhe që i flet drejtpërsëdrejti kontekstit dhe pritjeve të rinisë kosovare.

Në libër Migjen Kelmendi tregon saktësisht se cilat kanë qenë burimet e frymëzimeve që atij i vinin nga bota, duke dëgjuar çdo natë Radio Luksemburgun, por edhe duke shfrytëzuar klimën politike liberale të viteve ’70 dhe ’80 në Jugosllavi, kur ky shtet kishte vendosur që të hapet ndaj botës dhe edhe kosovarët  fituan mundësinë që të udhëtonin dhe të punësoheshin gjithandej Evropës Perëndimore pa regjim vizash.

Por, kapja e trendi muzikor botëror në kohë reale, gjë që po ndodhte për herë të parë në Jugosllavi dhe në Kosovë, për “Gjurmët” ka qenë një sfidë më intriguese seç është shijimi i erërave të lirisë. Ajo që “Gjurmët” gjetën në muzikën perëndimore të kohës, nuk ishte thjesht pëlqimi dhe argëtimi, por fryma rebeluese kulturore dhe sociale në muzikën Punk dhe Neë Ëave. Në rock muzikën perëndimore të viteve ’70 kishte ndodhur një polarizim mes rokut të brezit të mëhershëm që po “ëmbëlsohej” dhe komercializohej, dhe një rocku alternativë që muzikën e shihte si medium për shprehjen e pakënaqësive sociale dhe politike. “Gjurmëve” kjo frymë u dukej koresponduese me rebelizmin që po përhapej te rinia kosovare.. Vetëm se për “Gjurmët” frymëzimi me rockun alternativë botëror nuk ka qenë thjesht kopjim, apo transplatim i modeleve të gatshme. Përkundrazi, kjo alterantivë subkulturore e   Perëndimkit ka qenë vetëm pikënisje për kërkime formash muzikore dhe tekstesh që i përshtateshin gjendjes, senzibilitetit dhe pritjeve të adhuruesve të muzikës në Kosovë.

Realizimi i një alternative muzikore të këtillë në Kosovë nuk ka qenë aspak ndërmarje i lehtë. Për më shumë, Migjeni pranon se nuk ka pas edukatë muzikore dhe se mezi kishte mësuar t’i dallonte notat. Ai muzikën e krijonte me intuitë, duke i “dëgjuar” motivet e këngëve fillimisht si “muzikë të brandshme”. Kuptohet këta tinguj të brendshëm nuk i vinin atij nga askund. Ai shpjegon se frymëzimet i kishte si rrjedhojë e një kulture prej autodidakti, duke qenë dëgjues i vëmendshëm, pasionant dhe inteligjent i rok muzikës botërore dhe jugosllave, nga njëra anë, si dhe muzikës shqiptare të gurrës popullore, nga ana tjetër.

Momenti tjetër i rëndësishëm është se “Gjurmët” i kanë kushtuar rëndësi të madhe teksteve të këngëve. Tekstet është dashur të janë gjithsesi origjinale dhe me porosi të qarta, ndonëse nuk ka qenë edhe aq lehtë që këto porosi të shprehen hapur në kushtet e ekzistimit të një cenzure ideologjike. Një pjesë interesante e librit përshkruan gjetjen e kodeve përmes të cilëve ua dredhnin punën censurës për të depërtuar me porosi të synuara tek masat.

Në fenomenin e “Gjurmëve” përthyhen disa momente që pasqyrojnë kontradiktat dhe konfliktet e kohës. Rebelizmi i këtij grupi ka qenë i dyfishtë: 1. Reagim ndaj rrezikut që i kanosej Kosovës pas vdekjes së Titos (1980), kur u patën paraqitur forcat centrifugale me synim shkatërrimin e federatës jugosllave, sidomos ato serbomëdha që agjitonin hapur heqjen e autonomisë dhe rigllabëritjen e Kosovës; dhe 2. Reagim ndaj moçalit izolacionist ose të rezervatit folklorik të brendshëm që në atë kohë bartësit e kulturës në Kosovë po e ndërtonin nga frika se modernizmi (i cili në Kosovë po vinte kryesisht përmes influencave kulturore jugosllave), mund të çoj drejt asimilimit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi.

Për këtë arsye “Gjurmët” janë perceptuar shpesh si  projekt i dyshimtë edhe nga pushteti i atëhershëm në Kosovë që angazhohei, me batica dhe zbatica, për barazi të plotë të shqiptarëve në Jugosllavi, edhe nga lëvizjet klandestine që e donin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Përderisa rebelizmi i parë ishte më i kuptueshëm si qëndrim patriotik përballë aspiratave dhe represionit të Serbisë, në frontin e brendshëm “Gjurmët” nuk e kanë pasur aq të lehtë të dëshmojnë se janë projekt emancipues. Në qarqet që nuk i njihnin fare burimet perëndimore të frymëzimit të muzikës së tyre alternative, ose kishin ca dije krejt sipërfaqësore mbi rokun dhe muzikën e stilit Neë Ëave në vetë Jugosllavi, “Gjurmët” keqkuptoheshin si mbjellës të farrave të huaja.

Megjithatë, e veçanta e “Gjurmëve” është se fal cilësisë së muzikës dhe sinqeritetit kanë arritur baraspeshën mes novatorizmit dhe avangardizmit në ndjekjen e trendeve globale, nga njëra anë, dhe respektimit të traditave lokale modernizuese, nga ana tjetër.

Lundrimi i “Gjurmëve” mes Skilës dhe Karibdës në ngushticën e kohës kur zhvillimet çonin drejt thyerjeve të mëdha historike është për t’u admiruar. Për më shumë, ky lundrim mes të qenit i hapur ose i “bunkerizuar” është aktual edhe sot. “Gjurmët” prej kohësh kanë treguar qartë se cilin drejtim duhet ta ndjekin shqiptarët dhe shoqëria kosovare.

Vetë tregimi i “Gjurmëve” për gjurmët e tyre është vërtet mahnitës.

Dhe, me që u zgjata dhe nuk thash shumë, – mbase edhe nga pamundësia e arritjes së nivelit të artikulimit që e ka ky libër, – ju ftoj që ta lexoni atë për ta zbuluar vetë burimet e shkëlqimit të “Gjurmëve”.