14:04, 15 Tetor 2019 Autor: Edi Rama

Vendimi i Akademisë Suedeze për t’ia dhënë Peter Handkes Çmimin Nobel për Letërsi, javën e shkuar, ishte lëvizje tronditëse që duhet ta shqetësojë politikën, po aq sa botën e letërsisë.

Shkrimtari austriak është mbështetës i njohur i ish-liderit nacionalist serb, Sllobodan Millosheviq, dhe një nga apologët e furtunave gjenocidale të tij, në luftërat e të 90-ave në Jugosllavi.

Me gjithë dëshmitë e pakundërshtueshme për krimet e regjimit serb, Handke mori pjesë në gjykimin e ish-diktatorit në Hagë dhe më pastaj edhe në varrimin e tij. Mbrojtësit e vendimit të Akademisë Suedeze pretendojnë se pikëpamjet e Handke nuk duhet përzierë me aftësinë e veçantë artistike dhe kontributin e tij për letërsinë.

Disa thonë se qëllimi i gjithmonshëm i shkrimtarit austriak ka qenë që të jetë provokues dhe që bindjet politike jokonvencionale të tij duhen parë si pjesë e një përpjekje më të gjerë për të nxitur debat dhe për ta çliruar politikën nga shtrëngesat e tepërta. Por, ndarja e veprës së Handke nga bindjet e tij politike do të përbënte gabim të madh.

Duke marrë parasysh pranimin që u ka bërë krimeve të Millosheviqit dhe shpërfilljen me të cilën i ka trajtuar viktimat e gjenocidit, spastrimit etnik dhe torturës, arti i Handke është thellësisht politik.

Një nga shembujt më të zymtë, të rrëfimit plot cene të Handke, gjendet tek libri i tij “Rrugëtimi për tek lumejtë: Drejtësi për Serbinë”, i publikuar më 1997, në të cilin ai dokumenton jetën e përditshme të serbëve, pas përfundimit të luftërave që patën nisur më 1990. Siç nënvizon në epilog, qëllimi i tij nuk ishte të mbledhë “fakte të liga”, por të ofrojë një rrëfim të burimshëm që do ta ndërtonte paqen. Serbët e këtij rrëfimi janë krejt të zakonshëm, me xhepa të zbrazët dhe shpirtra të pafajshëm, që flenë në bodrume pa ngrohje. Ata hanë sarma dhe kajmak, ndërsa pinë verë Smederevo.

Në këtë ritregim, serbët na vijnë si njerëz të lënduar nga përçimi i Evropës, e cila ua ka kthyer shpinën. Duke vënë llupën tek jeta e përditshme e serbëve, Handke nuk e jep të plotë fotografinë e tragjedisë së etnive tjera dhe forcon rrëfimin e kampionit serb Sllobodan Millosheviq, ardhja e të cilit në pushtet u ushqye nga ideja se serbët ishin viktima që duhej të gjente mbrojtës, për t’ua mbrojtur liritë dhe dinjitetin. Handke është habitshëm i heshtur për rolin qendror të Serbisë në tragjedinë ballkanike të të 90-ave, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës.

Mizoritë e kryera aty nga regjimi i Millosheviqit ai i paraqet si projektime të mediave perëndimore dhe jo si fakte të dokumentuara nga Gjykata Ndërkombëtare te Drejtësisë për krimet në ish-Jugosllavi. Duke injoruar faktet, Handke amniston dhe mbron fushatat gjenocidale të liderit serb. Në këtë mënyrë, ai mundohet ta rishkruajë historinë.

Injorimi i ambicieve hegjemone dhe gjenocidit shtetëror të Serbisë e lejon atë t’i paraqesë Slloveninë dhe Kroacinë si nismëtare të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe t’ia japë Millosheviqit meritat e paqes pas-dejtoniane në Jugosllavi.

Vepra e Handke nuk mund të veçohet nga shërbimi politik që i ka bërë liderit serb. Pamfletët e tij politik nuk janë letërsi – atajanë thirrje për të urryer që forcojnë paragjykime. Nuk kam dyshime se Handke duhet lexuar, studiuar e diskutuar. Por, ngritja e veprës së tij, mbi kandidatët tjerë të merituar për Çmimin Nobel, ishte gabim i pakujdesshëm. Siç e ka përshkruar shkrimtari dhe kritiku Hari Kunzru, “Ai është shkrimtar i mirë, që kombinon njohjen e thellë me verbërinë etike tronditëse”.

Çmimi Nobel nuk do ta bëjë Handken shkrimtar të madh. Por, me zgjedhjen e shkrimtarit austriak, Akademia Suedeze ka arritur suksesshëm ta ulë shumë vlerën e çmimit dhe ta zhysë veten edhe në një tjetër skandal që do t’ia nxijë namin në dekadat që vijnë.

(Botuar në Politico.eu. Përkthyer nga Klan Kosova)

Lajme të tjera