SHBA-ja dhe Republika e Gjenocidit 123 string(11) "Rexhep Hoti" NULL nga Rexhep Hoti 09.09.2018 11:34 09.09.2018 11:34 Vazhdimi i dytë. 5. Fituesja e tretë do të jetë SHBA Duke e zgjidhur çështjen shqiptare dhe serbe, SHBA-ja do ta ketë zgjidhur një kontekst të rëndësishëm historik e aktual ku praktikisht ndahen Lindja dhe Perëndimi në Europë. Aty ku zunë shkas luftërat botërore, kontinentale dhe ballkanike. Qartësimi i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, edhe me bekimin e Rusisë, ia shton kredencialet administratës së Trump-it, i cili, duket sheshit, nuk ka “simpati” për europianët, pavarësisht se ai vetë dhe bashkëshortja e tij janë me prejardhje europiane. Presidenti Trump nuk dëshiron garë në Rendin e Ri Botëror me bashkësinë euroatlantike të shteteve me statusin e tyre të deritashëm financiar, tregtar, diplomatik dhe politik, pa i rishqyrtuar marrëdhëniet e partneritetit. Papajtueshmëria e tij me aleancën ushtarake përballë europianëve, me politikat doganore, monetare e tregtare, është duke i dhënë efektet e para të lëvizjeve në skenën botërore. Veçmas ndaj gjermanëve është i dukshëm mosdurimi. Presidenti i supershtetit haptas nuk është duke u pajtuar që gjermanët të ngrohen prej rusëve, të bëjnë “tregti të trashë” me ata e, në anën tjetër, të mbrohen nga amerikanët me koston e financimit të gjertanishme. Ai e hoqi dushkun në samitin e fundit të NATO-s (2018) dhe u kërkoi më shumë financime, më shumë investime partnerëve. Madje, pa diskrecion e me brutalitet. Dhe sihariqi është se e lavdëroi Shqipërinë, e cila ia kupton shpirtin atij. Shqiptarët në Europë, rrjedhimisht në Gadishullin Ballkanik, janë pika më e fuqishme për SHBA-në, jo vetëm në kuptimin gjeostrategjik. Shqiptarët për SHBA-në janë filozofia e stabilitetit, jo vetëm në rajonin ku shtrihen. Ata janë shumë më të rëndësishëm sesa janë serbët me shtetin e tyre të izoluar dhe etnikisht jokompakt për rusët, fjala vjen, pra për filozofinë Lindore të Bllokut të Afërt e të Largët. Prandaj, normalizimi i shqiptarëve me serbët për administratën amerikane hap dritaren e filozofisë gjeostrategjike të trumpizmit mbi rirregullimin e territoreve në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se SHBA-ja e sotme e ka avancuar kursin e politikave të veta në tri rrafshe: ndaj vetvetes, ndaj partnerëve të saj tradicionalë, dhe ndaj konkurrentëve e kundërshtarëve. Kjo do të thotë se rirregullimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor do të jetë i mundshëm dhe me çmime të arsyeshme vetëm në qoftë se rregullohen, përkatësisht në qoftë se bëhen normale, marrëdhëniet ndërmjet tyre. Shqiptarët dhe serbët nuk duhet të kenë hesapet e hapura. Përkundrazi. Ky rirregullim duhet të fillojë i pari. E më pas procesi do të vazhdojë në rrjedhë të kontrolluar e pa plumba. E pritshme se kjo “Strategji e jashtme” nuk mund të lindë e të rregullohet prej popujve lokalë të Gadishullit. Shqiptarët apo serbët kanë mundësi t’i hapin sirtarët e imagjinatës, por jo më shumë. Ata as nuk kanë fuqi ta hapin Kutinë e Pandorës, e as ta mbyllin atë. Ata mund ta lexojnë vetëm ngjarjen që është e shkruar për legjendën e saj. As shqiptarët, as serbët, nuk kanë energji mendore dhe standard konsensusi për t’i përgatitur marrëveshjet. Ata, madje, nuk mund t’i rirregullojnë ende detyrat e shtëpisë, ashtu siç i kanë rregullat dhe përgjegjësitë me ligje e Kushtetutë. E shqiptarët që jetojnë në gjashtë shtete alarmohen si shtriga që e vajton humbjen e fshesës e jo fuqinë e magjisë. Ata nuk duan ndryshim kufijsh sepse duan të jetojnë të copëtuar, të mjerë, shërbëtorë e të ligë. Prapësia shqiptare ka provuar jorrallë ta këmbejë atë pozicion të rremë me vlerën. Jo rastësisht edhe shumë heronj shqiptarë janë njerëz me marrëzi e me njolla të shumta përgjatë aktivitetit të tyre jetësor e të mos flasim për klasën e saj politike. 6. Pas një Presidenti me karakter e frymë sociale, dhe pas presidentëve tradicionalë amerikanë, SHBA-ja hap një kurs të ri në epokën e Mijëvjeçarit të Tretë drejt avancimeve të supershtetit në koherencë me rrethanat e krijuara për terrenet e ndjeshme të pikave strategjike amerikane nëpër botë. Përpara se demokracia amerikane ta mbajë në këmbë të fuqishme e krenare kombin, rrjedhimisht popullin e saj, atë e mban kapitali amerikan, i cili i respekton normat e demokratike për aq sa e do nevoja përballë interesave amerikane, por jo më shumë se kaq. Liria amerikane ndërlidhet në ëndrrën e pafundme amerikane, e cila ligjin dhe Kushtetutën e vet e bën Zot suprem e jo demokracinë, e cila i duhet thjesht si një mjet për të lëvizur. Prandaj atje kishte telashe deri vonë me raca, me të drejta e me ngjyra e jo vetëm me demokraci për të gjithë apo me politika sociale. Ishte po ajo Kushtetutë e SHBA-së edhe atëherë edhe sot. Dhe ky është ndryshimi thelbësor i SHBA-së, me të gjitha shtetet tjera të fuqishme të botës. Prandaj Francis Fukuyama ka të drejtë kur thotë se arsimi në Amerikë është klasë. Natyrisht se është i tillë. Sepse vlera materiale dhe mendore e valorizojnë njëra-tjetrën me një filozofi të përsosur në krahasim me vendet e tjera, pa iu nënshtruar domosdoshmërisht proceseve demokratike e sociale, drejtësisë dhe të vërtetës. Edhe togfjalëshi i shpikur “Truri i kapitalizmit” për Harvardin, fjala vjen, nuk është rastësi. Në përkthimin barbar ballkanik të kësaj filozofie i bie të themi “dija blihet” në Amerikë, “dija është kapital”. Djersa respektohet njësoj sikurse liria. Në mos më shumë. Prandaj në SHBA me një “çip” të papërfillshëm edhe nga masa e një apo e dy gramëve ke vlerë të paimagjinueshme materiale brenda tij. Çka do të thotë se edhe trendi i superzhvillimit në supershtetin e Botës nuk ka nevojë për hapësirë të paanë të shtrirjes së industrisë së zhvillimit. Ekonomia amerikane është sinonim i atomit. Ajo është e koncentruar, thënë me figurë, e padukshme, por shpërthimi i saj mbulon tërë planetin në rrezatimin e saj drejt aplikimeve të saj prej ekonomive tjera botërore, të cilat janë të ndërvarura nga kjo filozofi e zhvillimit ekonomik. Dhe kjo ekonomi e papeshë, e pamasë, e butë, digjitale, e mban botën në memorien e vet që nga Moska në Berlin, nga Tokio në Pekin. 7. Për t’iu kthyer ndërlidhjes së politikave amerikane në lidhje me faktorin shqiptar e serb mund të themi se SHBA-ja e djeshme dhe BE-ja e sotme e kanë pranuar krijimin e një Republike Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë me investimin e gjenocidit serb dhe e ka bërë realitet (1995). Kjo vepër e zezë e njerëzimit për pak sa nuk u dekorua me çmim prej burrështetasve të pasardhësve të sojit si Aleksandër Gorshakov, i cili i propozoi Bismarck-ut të mbante në Berlin një Kongres për Ballkanin. Kryeministri rus, që e kishte njohur nga afër kryeideatorin e Europës së Bashkuar, Klemens von Metternich, një shekull e gjysmë para se ajo të themelohej realisht, e kishte zgjedhur Kongresin e Berlinit si mundësinë e fundit në karrierë që të mos shuhej si një llambë që nxjerrë tym, si në romanët me Oliver Twist-in, por dëshironte të binte poshtë si një yll, siç thoshte vetë. Prej brumit të pasardhësve të Luigjit të XVI, reformatorit që rrodhi nga dinastia e sundimit absolut, i cili me veprën e vet e krijoi jovlerën e investimit francez në vlerë nacionale dhe përrallën e madhe mbi revolucionin borgjez-francez e vari si një farsë gjeniale gjer në atë pikë sa historia nuk mund ta duronte të vërtetën e revolucionit për t’ua rrëfyer brezave të ardhshëm. Nga perspektiva e rrotullimit të vlerave, mund të thuhet se zbulimi më i madh i revolucionit francez ishte gijotina. Por është e dukshme se filozofia e trumpizmit, sado që shumë faktorë kulturorë, strategjikë e gnoseologjikë janë duke e vlerësuar thjesht si një aventurë të rrezikshme presidenciale, nuk është spontanitet, mërzi e brengës prej kamjes së tepërt, por është vendimmarrje e saj. Fuqia ekonomike e familjeve të mëdha amerikane është duke u ripozicionuar në marshimin e ri të mijëvjeçarit. Dhe ajo është koherente në vetvete me gjithë dallimet e dukshme, madje, edhe brenda krahut të saj republikan. Kjo filozofi nuk do të ndalet në nivelet triviale ose jo të vlerësimeve të tilla. Politikat e trumpizmit do ta fuqizojë rolin dhe shtrirjen etnike të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor në përpjesëtim me lirinë, hapësirën, kompaktësinë dhe investimin e tyre kombëtar dhe ajo, më të drejtë, ka krijuar kakofoni të mendimit te shoqëria civile, media, në botën e kulturës e të mendimit. Madje, edhe në rrafshin e politikes së jashtme, e gjithë “dashuria me rusët”, shkëmbimet e paautorizuara të email-eve e veçmas misteri i “fake news” që janë vlerësuar me të drejtë si një prodhim rus i kohëve të fundit, janë për t’u rimarrë në konsideratë të një rishqyrtimi të serishëm. Hapësira e mendimit nuk mund ta flejë mendjen e saj pa e provuar edhe mundësinë e një Loje të Madhe, e vërteta e së cilës mund të bëhet e ditur kur koha t’i ketë mbuluar me pluhurin e arkivave trezorët e agjencive të inteligjencës amerikane. 8. Realitetet territoriale janë në anën e shqiptarëve. Në këtë kontekst ka peshë të shumanshme normalizimi shqiptar dhe serb, sepse e ardhmja në Gadishullin Ballkanik nuk duhet t’i zë shqiptarët e serbët në gjendje lufte, rrjedhimisht amerikanët dhe rusët nuk duhet të kenë qëndrime të ndryshme për kontekstin në fjalë kur është në pyetje Kosova dhe Serbia, ndër të tjera. E klasa politike e Kosovës e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme, sikurse ajo në Shqipëri apo në vendet ku shtrihen aktualisht shqiptarët, me përjashtime simbolike, e cila nuk e meriton Lirinë, e ka lexuar diku se ekziston një Kuti e Pandorës dhe e ofron qëndrimin e kundërshtimit kundër shënimit të kufijve me Serbinë, në formën “të gjithë kundër të gjithëve”, pa e ditur çfarë do e çfarë ofron!? Ajo nuk rresht së përplasuri me një individ, e nuk arrin t’i përkufizojë interesat e veta. Ajo pranon të jetojë në gjashtë shtete, ashtu siç ia përcaktuan fatet të tjerët, që historikisht jo vetëm i robëruan, por i dhunuan e përdhunuan. Ata nuk kishin kurrë partnerë seriozë gjersa nuk erdhën amerikanët, pa e harruar Austro-Hungarinë. Klasa politike e Kosovës dëshiron sot t’i mbrojë kufijtë që ia ka lënë ish-pushtuesi realisht, pa e pasur të qartë e pa shikuar më gjakftohtësi çështjen në fjalë. Ajo llafoset poshtë e lartë pa e peshuar mendimin, sepse egoja e saj ka përballë një individ që duhet ta godasë. Ajo e do të rrëzuar Presidentin Hashim Thaçin, me atdhe e pa atdhe, sepse në thelb edukata, kutilla, qëndrimi i saj është i mjerë, egoist, i thatë, hakmarrës, përdallues. Ajo s’e kupton sa e pafuqishme bëhet, sa e pavlerë, në qoftë se nuk ia del të ofrojë bashkëpunimin me propozime e projekte konkrete. 9. Natyrisht se shtjellimet e lartshënuara ofrojnë edhe kuptimin e vatrave potenciale të krizës në Gadishull. Kjo është e vërtetë e madhe. Por, ky është tagri që e ka lënë ende trashëgim padrejtësia historike e popujve dhe e pushtimeve në Gadishullin Ballkanik. Prandaj kjo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënkupton katër fitues, por jo edhe europianët. Mbase jo edhe të gjitha shtetet fqinje dhe rajonale. Dhe ironia është se ata as nuk mund ta pengojnë realisht. BE-ja nuk e kanë marrë seriozisht vendlindjen e Europës, e që është Gadishulli Ballkanik. Ashtu siç është e vërteta e madhe se shqiptarët jetojnë në tokat e tyre në gjashtë shtete në mënyrë të dhunshme. Nuk ka asgjë pa rrezik në këtë nivel të zhvillimit, por urtësia shqiptare e përcjellë me durim e vendosmëri, është ana e shtigjeve që i hap perspektivat në Ballkanin Perëndimor. Natyrisht se SHBA-ja me këtë “hap të ri” në politikat ballkanike dhe jo vetëm, e mban “të frikësuar” BE-në, e cila e ka mbyllur popullin e Kosovës në karantinë. Natyrisht se serbët joshen me mundësinë e bashkimit me territore që i krijuan me gjenocid. A nuk e patën bekimin e botës së avancuar demokratike për ta krijuar Republikën e Gjenocidit në Bosnje dhe Hercegovinë nën dorëzaninë e Bashkimit Europian dhe të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në B&H?! Ballkani Perëndimor veçmas për një kohë të gjatë do të notojë midis frikës së një stabiliteti të garantuar nga amerikanët dhe rusët, po që se “marrëveshja e normalizimit” arrihet me metodën e përcaktimit të kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë?! BE-ja nuk kishte kurrë respekt për Ballkanin, aq më pak për pjesën e Ballkanit Perëndimor. Edhe më pak për Shqipërinë, e pothuaj aspak për Kosovën, të cilën e flijoi për t’i ikur luftës, do të mund të thoshte Eduard Grey, por e zuri padrejtësia e saj. Duket sikur qëndrimi i Otto von Bismarck-ut për Ballkanin: “Duhet t’ua bëjmë të qartë mirë këtyre hajdutëve të deleve, qeveritë europiane nuk kanë nevojë të zhytën në pasionet e rivalitetet e tyre”, më tepër do ta ketë plotësuar konceptin Realpolitik të filozofisë së tij. Ngjashëm do ta ketë arsyetuar edhe copëtimin e tokave shqiptare në Kongresin e Berlinit, sidomos kur e përcaktonte rolin e tij në Kongres në cilësinë e një “Sekseri të ndershëm”. Por, këtë përcaktim e nënkuptonte vetëm përballë Fuqive të Mëdha. Shqiptarët i shpërndanë si ndihmat humanitare nëpër shtete tjera me popull e territor. (Vazhdon) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.