Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rusia – Fuqi nga Madhësia e së Keqes

123
string(11) "Rexhep Hoti" NULL
nga Rexhep Hoti 26.09.2018 20:58

 

 

Vazhdimi i tretë.

 

10.

 

Mundësia e arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kohën e fundit u përfol aq shumë nga faktorë të jashtëm e të brendshëm, sa që zbehja e saj në publik është duke shkaktuar zbrazëti. Kjo është duke ndodhur veçmas te pjesa e cila është duke e konsideruar Presidentin Thaçi si kreator të saj.

E vërteta, si gjithmonë në politikë, është aq e lëvizshme dhe aq e pamundshme ndonjëherë për ta kapur, sa spekulimi – jo pa të drejtë – ka mbetur si një mjet i fuqishëm i mediave, i ligjshëm e legjitim, edhe sot e këtë ditë. Është e zbërthyeshme qartë se filozofia e ndarjes, edhe si koncept edhe si praktikë politike, në këtë rast është projeksion real rus dhe serb. Shqiptarët nuk kanë të bëjnë me këtë çështje aspak, sepse ata historikisht vetëm i kanë ndarë e i kanë copëtuar të tjerët. Por edhe për aq sa janë, janë gjithashtu nga gërshërët e të tjerëve.

Ndarja është koncept i vjetër sa vetë instinkti dhe egoja njerëzore, që lindi me ndarjen e plaçkës dhe ajo u modifikua gjer më sot. Prandaj është logjike se shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë e ofruar në ajër nga strategë deri më tash anonimë për opinionin publik mbi një Marrëveshje të Normalizimit me Shënim Kufijsh Ndërmjet Dy Shteteve Sovrane, do ta quaja. Por, është e qartë gjithashtu se shqiptarët kanë nevojë për t’u bashkuar. Por, ky bashkim është shumë më i ndërlikuar sesa republikat shqiptare që i kanë ata. Aq më keq e më mjerim që ata pos një dëshire të kopjuar për bashkim nuk kanë as ide konkrete e as projekt të integrimit dhe unifikimit kombëtar.

Në rrafshin e faktorit të jashtëm, ndarja si koncept dhe jo vetëm, nuk është as në interes të SHBA-së e as në interesa të BE-së.

Arsyeja është e thjeshtë: ndarjet dhe krijimet e shteteve të reja nuk janë interesa që do t’i shkonin për shtati bashkësisë së shteteve. Këto të fundit gjithmonë e kanë rrezikun e ndarjes. SHBA e ka gjithmonë pikë të ndjeshme prapa kreut se mund t’i ndahen shtetet, duke qenë se ajo është republikë federale e krijuar prej 50 shtetesh dhe një qarku federal. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për BE-në edhe si bashkësi shtetesh në formim e sipër, por edhe si shtete veç e veç.

Me një fjalë, mund të themi se ndarja para se të cilësohet në aspektin e saj të përkatësisë politike, duhet të cilësohet në kuptimin e interesit strategjik, gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Mund të thuhet gjithashtu se gjithmonë dhe historikisht në parim fituesit janë ata që kanë përfituar nga ndarjet. Koncepte të tilla janë në vetvete origjinale.

Mbi premisa të tilla duhet të nisen edhe shqiptarët e frikësuar e të mbushur më shumë me ego e meskinitete triviale politike, sesa me kuptim boshtor të peshuar e strategjik të mbështetur në interesat e tyre, në radhë të parë.

Në kuptimin formal të shikimit del se shënjimi i kufirit që po flitet aktualisht ka rrjedhë ruse dhe serbe, sepse ata ishin gjithmonë fitues përballë tokave shqiptare. Por kësaj radhe fitues janë edhe shqiptarët, pavarësisht se Presidenti i Kosovës, që është vënë në ballë të këtij procesi nga dëshira të bëjë sa më parë, sa më shpejt dhe vetë, është duke bërë edhe gabime teknike e konceptuare që mund ta dëmtojnë realisht strategjinë e atyre që janë duke e projektuar një marrëveshje të normalizimit përfundimtar me shënim kufijsh.

 

11.

Robert Kagan në një vështrim në “The Washington Post”, me titull “Besoni apo jo, Trump është duke e ndjekur skenarin që është i njohur në Rusi”, shpërfaq mendimin se Perëndimi e ka luajtur prej 10 vitesh lojën e Vladimir Putinit, i cili “e ka goditur Rendin Botëror”. Kjo pikënisje zë fill në çastin kur Rusia filloi të ndërhyjë në ish-republikat sovjetike, siç ishte rasti kur forcat ruse u dërguan në Osetinë Jugore në Gjeorgji për ta mbrojtur popullatën pro-ruse, me krijimin e krizave politike në Moldavi, me ndërhyrjet e drejtpërdrejtë në Ukrainë dhe marrjen e Krimesë përfundimisht. Të gjitha rastet e krizave dhe të ndërhyrjeve u panë me qetësi nga presidentët tradicionalë të SHBA-së, Bush dhe Obama. U ndal zgjerimi i NATO-s në hapësirat ku Rusia këmbëngulte se mbronte interesat e veta strategjike pavarësisht nga interesi i popujve dhe shteteve lokale. E vetmja masë që u ndërmor në këtë drejtim nga Perëndimi i Afërt dhe i Largët ishte çështja e sanksioneve.

Mirëpo, Putini me ndërrimin e pozicioneve nga kryeministri në president e kishte krijuar tashmë aurorën e shpëtimtarit dhe të burrështetasit të fuqishëm në kuadër të faktorit të brendshëm rus, nëpër vende me pozicione strategjike si Turqia, Siria, Irani. Rendi botëror po trazohej fuqishëm nga kanalet e nëntokës ruse. Ndërhyrjet nuk munguan as në SHBA, deri në aktivizimin e gjykatave, në krijimin e tollovisë brenda vetë administratës së Presidentit Trump, në shqetësimin e shërbimeve federale për siguri, si dhe në përplasjen e Presidentit me mediat.

Provokimet nuk mbeten të heshtura prej Rusisë as pranë hapësirave të Britanisë së Madhe e deri te shkundja tmerruese pranë shteteve skandinave. Kriza e Lindjes dhe ISIS-it ishin faktorë të tjerë që po e ndihmonin autoritarizmin dhe tiraninë, edhe si fenomene e edhe procese. Kjo i shkonte veçmas rrobave politike që vishte Presidenti Putin, i cili kishte fuqi absolute për të vendosur për shtetin e madhësisë së paanë, që në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik kufizohet pothuaj me të gjitha kontinentet dhe me të gjitha vendet strategjike të botës. Politika lëvizëse dhe kalorësiake e Putinit mbështetej fuqishëm në katër rrafshe kryesore:

 

  • në identifikimin e armiqve,
  • në gaz,
  • në nacionalizëm, dhe
  • në Madhësinë e së Keqes.

Në hapësirën e veprimeve të tilla, Putin është duke provuar për ta kthyer krenarinë e humbur pas shembjes së gjigantit prej Luftës së Ftohtë. Dhe realisht Rendi Botëror është duke i përjetuar krizat që janë duke mbirë vazhdimisht nëpër shtetet e ish-republikave sovjetike, prapa së cilave qëndron fuqishëm Putin. Njëra prej fuqisë që i mban në ethe shtetet e shumta nëpër kontinente është gazi rus.

 

12.

Pohimet e Robert Kagan-it mbi rrëfimin e ngjarjeve politike qëllojnë në shënjestër të çështjeve dhe proceseve si kronologji politike, të themi me figurë, brenda rrathëve të shënjuar me numra.

Por, ekziston një dallim nga goditja e qendrës deri te periferia. Në procese politike të makrobotës, imtësitë e bëjnë gjithashtu dallimin. Në fakt, nga praktika e aktiviteteve të gjertashme të administratës dhe të vet Presidentit Trump, “skenari i njohur” duket të jetë më pranë politikave ruse sesa ato të janë të njohura për mendjen e saj. Për të mos thënë se është duke lindur një partneritet i ri në Rendin Botëror. I heshtur gjithësesi ndërmjet dy shteteve të mëdha. Por, pyetja që ka mbetur pa përgjigje është: Cila është e vërteta në lidhje me këtë?! Një dërrmim përfundimtar për Rusinë e pambërthyer e të stagnuar seriozisht në zhvillim, novacione e avancime ushtarake?!

Pyetja që mund të shtrohet në mënyrë hipotetike është edhe kjo: A nuk e njeh strategjia e veprimit global e SHBA-së lojën e së vërtetës mbi shtetet që e pretendojnë fuqinë e kërcënimeve nukleare (Koreja e Veriut, Irani), apo të shteteve të fuqishme që e synojnë për vetën e tyre vendin e merituar në kreun e garës së mirëfilltë të Rendit Botëror (Rusia dhe Kina), apo “politikën e qengjit të butë” të bashkësisë së shteteve (BE-ja), e cila është duke u kërcënuar, ndër të tjera, edhe prej “rregullave dhe sistemeve të veta demokratike” e deri në ndërrimin e qeverive të shteteve demokratike europiane. Çfarë do të thotë realisht braktisja e BE-së prej Britanisë së Madhe?! Vetëm një Brexit?! Gabim. Sidomos gabim gjerman. Nuk mund të ketë BE mirëfilli pa Britaninë e Madhe apo pa një “realpolitikë” të Gjermanisë në raport me të. BE-ja nuk është vetëm fuqi kapitale e monetare, pavarësisht se nisja e ekzistencës së saj ishte interesi e jo ideali. BE-ja nuk mund të krijojë politika të plota pa ekuilibrin e forcave postmoderne.

Askush nuk e kishte kuptuar më mirë sesa Bismarck-u këtë. Dhe s’ka ndryshuar asgjë nga ajo kohë në këtë pikë. Ndaj deklaronte se harta e Afrikës për të ishte në Europë, ndërmjet raportit të interesave franceze dhe britanike. Dhe ai e kishte kuptuar se madhësia dhe fuqia e Gjermanisë qëndronte brenda hapësirës së saj, por e përcjellë me një “realpolitikë” të hekurt e jo me apetite të mëvonshme, prej së cilave rrodhën dy Luftëra Botërore. Jo me politika dinake të socialdemokratëve dhe të kristiandemokratëve për t’i rrëzuar qeveritë e Europës sa herë që për ta do të jetë e nevojshme.

Gjermania po dështon të pozicionohet fuqishëm përkrah politikave të Britanisë së Madhe. Dashuria e tyre më francezët është e destinuar të dështojë, sepse flirti është i natyrshëm në lidhjen e tyre. Flirti është përkthyer në dashuri dhe interes gabimisht, në këtë rast. Madje, as kjo nuk është e mjaftueshme edhe po të jetë e vërtetë. Dhe mbase Gjermania është e bindur se është rritur mjaftueshëm për ta shpërfillur Britaninë e Madhe. Mendoj se ky është gabimi i madh gjerman. Ky gabim nuk është vetëm arrogancë. Mbi këto gabim gjermanët janë duke dështuar për ta përshtatur edhe politikën e jashtme në koherencë me politikën dhe interesat amerikane, apo të paktën në hap me retorikën e saj.

Efekti Trump është epilogu. Kriza në Europë apo pranë saj (Brexit, Ukraina, Ballkani Perëndimor, Azia e Vogël dhe Lindja), nuk janë pasoja që kanë ndodhur me ardhjen e Presidentit Trump. Ky i fundit e ka ndryshuar gjuhën dhe kulturën politike të komunikimit në raport me interesat publike, ndërshtetërore dhe multilaterale. Ai vetëm ua hoqi perden skenave të tilla që të ajroseshin me dritën që e kishin akumuluar presidentët tradicionalë amerikanë. Veprimet e vërteta të Efektit Trump janë në linja globale – nga politikat doganore, tregtare e deri te ato monetare, të Drejtat e Njeriut apo trashëgimia kulturore, e deri të ngrohja globale.

Presidenti Trump e ka bërë më të dukshme një gjysmë të vërtetë që është duke e pohuar Putini, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shkatërruar sistemin ligjor ndërkombëtar dhe po vendosin një Rend Botëror unipolar. E vërteta është më e thjeshtë dhe më e drejtë. SHBA është duke i ripërkufizuar interesat në raport me parimet e saj klasike me marrëveshjet e saj kontraktuare. Me një fjalë, pas Luftës së Ftohtë, pas 11 Shtatorit dhe pas Pranverës Arabe, është duke ndodhur rotacioni normal i rishikimit të interesave nacionale amerikane, si në rrafshin global e po ashtu në rrafshin bilateral, me shtete a bashkësi shtetesh veç e veç. E natyrshme se Putini nuk do të parapëlqente të pohonte se me miliardat amerikane dhe europiane u rimëkëmb Rusia e shembur prej së cilës lindi vetë ai edhe në cilësinë e kryeministrit dhe të presidentit, për ta integruar Rusinë e dashur në ekonominë botërore.

Dhe pyetja legjitime do të ishte: me cilat parime dhe me cilat të drejta të unifikohet sistemi i një ligji ndërkombëtar kur Rusia, Kina dhe superfuqitë tjera të ngjashme nuk i respektojmë ligjet e humanizmit, të kapitalit dhe perspektivën e lirë të popujve?

 

13.

Mendja politike nuk i nënshtrohet qëllimeve kurrë gjer në fund, por vrapon pas saj si një dashnor i marrë. As atëherë kur ajo mbetet me të vërteta e veta në imagjinatë. Krijimi i vatrave të krizave është një rrugëtim me plot pengesa për të gjitha shtetet e fuqishme të botës që po mundohen ta ruajnë subjektivitetin e fuqisë shtetërore në kuadër të Rendit Botëror e jo vetëm për ato që e pësojnë. Përjashtim bën vetëm SHBA-ja. Ajo është rrënjosur midis dy oqeaneve dhe mban drejtpeshimin e botës reale, si Zeusi perënditë dhe Njerëzimin. Madje edhe atëherë kur ajo involohet fuqishëm për t’i zgjidhur ato, ose duket sikur i ka harruar disa shtete e nuk ka kohë as për t’i përshëndetur.

Supershteti i botës ka krijuar terrene të tilla, madje hapësira edhe jashtë orbitave të planetit për ta zhvilluan kryegarën e interesave gjithmonë. Rusia e fuqishme e autoritarizmit të Putinit është një grumbull i stërmadh i një magazine të braktisur brenda së cilës ka gjithçka, por pothuaj asgjë për një kompletim mirëfilli. Kinezët janë një shtet që bazën fundamentale të fuqisë dhe të bumit të vet ekonomik e kanë në sasi dhe jo cilësi, në falsifikim dhe në shfrytëzim të njerëzve. E të mos flasim për veprimet e pamençura të Presidentit Erdogan, i cili është duke e ngrënë suksesin që dikur e kishte arritur vetë dhe me hapa të sigurt është duke e krijuar klasën e të burgosurve politikë që herët e vonë do ta rrënojë atë bashkë me sistemin në krijim e sipër. Gjermania e fuqishme dhe e disiplinuar nuk mund “ta përjashtojë” Britaninë e Madhe nga BE-ja e t’i ndërrojë qeveritë nëpër shtetet e BE-së. Ashtu siç nuk mund t’ia marrë pafundësisht të rinjtë e kombit shqiptar (edhe nga shtetet përreth), vetëm e vetëm se republikat shqiptare kanë një klasë politike të padinjitetshme, të papërgjegjshme e të korruptuar.

Krahasimi i fundit ndonëse i thënë për ta përmbushur një simbolikë të rrjedhës së gjërave dhe të proceseve, do të dalë edhe te marrëveshja e fundit, mbase, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet shënjimit të kufijve ndërmjet tyre, dhe si e tillë sqaron përse BE-ja është jashtë interesave në qoftë se projekti ndërkombëtar i sponsorizuar nga ata që kontribuuan në pavarësinë e Republikës së Kosovës do t’i lë jashtë shtetet e BE-së – edhe ato që e kanë njohur dhe janë shpenzuesit kryesorë, e edhe ato që ende nuk e njohin atë. Veprimi i një projekti të tillë presupozon më ndryshe gurët e interesit në rrafshin global. Prandaj prapa këtij supozimi ka shumë paqartësi e shumë enigma. Ato nuk janë për shkak të ndasive në rrafshin globale. Ato janë të tilla sepse varen nga fuqia e një marrëveshjes ndërmjet dy vendeve sovrane e të pavarura të cilat do të mund të arrinin në një marrëveshje të përbashkët të shteteve sovrane për njohje reciproke dhe për shënimin e kufijve ndërmjet tyre.

Kufiri nuk e ndan vetëm Republikën e Kosovës prej Republikës së Serbisë. Ky kufi e ndan realisht Perëndimin prej Lindjes, pavarësisht në qoftë se Serbia do të integrohet ose jo në BE. Prandaj, kufiri me Kosovën nuk është vetëm çështje e sovranitetit të Kosovës e as dëshirë e lojës së egove të nipave dhe të mbesave të neokolonializmit, të cilët atdheun e kanë shndërruar në kartë kreditore me të cilën i rimbursojnë xhirollogaritë personale. Me një fjalë: edhe bëhen të pasur, edhe patriotë, e edhe e shkelin dhe e përdhosin atdheun në emrin e atdheut.

Prandaj, interesi i Rusisë është i madh në këtë ndarje dhe ajo radhitet në pozitën e katërt pas shqiptarëve, serbëve dhe amerikanëve. Rusët e kanë gjithashtu kufirin e tyre në Serbi, në të cilën nga bankat, te hekurudha, te industria ushqimore e deri te patundshmëritë e ndryshme e kanë vulën ruse, ndërkaq pjesa ushtarake e deri të paradat janë ceremoni, frymë dhe investim rus.

 

(Fund)

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme