Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rusia dhe aleatja e saj Serbia po shtyjnë një konflikt të ri në Kosovë

123
string(13) "Gabriel Gavin" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/12/Gabriel-Gavin.jpg"
nga Gabriel Gavin 23.12.2022 19:44

Në prill, mijëra demonstrues dolën në rrugët e Beogradit kur kishte nisur pushtimi rus i Ukrainës. Por, ndryshe nga mitingjet që po mbaheshin në vendet fqinje evropiane, protestuesit në kryeqytetin serb valëvitnin portretet e presidentit rus Vladimir Putin – dhe i bënin thirrje qeverisë së tyre të mbështeste Moskën në luftën e saj të përshkallëzuar kundër Perëndimit.

Vetëm disa ditë përpara se tanket të fillonin të lëviznin, gazeta tabloid më e njohur e Serbisë, “Informer”, kishte mbushur faqen e saj të parë me pretendime se “Ukraina sulmoi Rusinë”, duke paralajmëruar lexuesit se “amerikanët po e shtyjnë botën në kaos”. Për shekuj me radhë, kombi ballkanik ka mbajtur lidhje të ngushta ekonomike, politike dhe sociale me Moskën dhe ato lidhje vetëm sa janë thelluar pasi SHBA-ja dhe NATO-ja ndërhynë kundër forcave nacionaliste serbe në vitin 1999, ndërsa ata invaduan Kosovën në mes të shpërbërjes së shtetit jugosllav. Putin madje përmendi mbështetjen e Perëndimit për Kosovën, të cilën Moska refuzon ta njohë dhe Serbia e konsideron si territorin e saj, si një precedent për krijimin e shteteve të tij përfaqësuese në Donbasin ukrainas.

Megjithatë, tani, me luftën e Rusisë që ndan Evropën, qeverisë së Serbisë i është dashur të bëjë një sërë zgjedhjesh të vështira. Pavarësisht zhurmës dhe komploteve në vend, presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq, ka hezituar të përfshihet në konflikt dhe rrezikon të largojë ose aleatët e tij në Kremlin, ose partnerët e tij më të mëdhenj tregtarë në BE. Në prill, ndërsa lajmet për krimet ruse të luftës jehonin në mbarë botën, Beogradi iu bashkua 91 vendeve të tjera në votim për të përjashtuar Moskën nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, një lëvizje që Vuçiqi pranoi se ishte për shkak të “kërcënimit për t’u përballur me sanksione dhe presione në rritje”.

Në fillim të këtij muaji, pas një takimi me zyrtarët e BE-së, Vuçiqi këmbënguli se Serbia mbeti me vendosmëri kundër përpjekjeve për të izoluar Rusinë, por u zotua të mos binte në kundërshtim me kufizimet ekonomike perëndimore. “Përderisa mund të rezistojmë, pa rrezikuar interesat tona më vitale dhe shtetërore, ne do të rezistojmë”, shpjegoi Vuçiqi. “Kur nuk mundemi, do t’i drejtohemi njerëzve tanë, qytetarëve dhe do t’u tregojmë atyre pse Serbia nuk mund t’i rezistojë më vendosjes së sanksioneve”.

Megjithatë, tani tensionet politike po rriten dhe çështja e Kosovës po vjen sërish mes Serbisë dhe Perëndimit. Për më shumë se një javë, serbët etnikë në veri të shtetit të shkëputur, shtëpia e 1.8 milion njerëzve, kanë ngritur barrikada dhe kanë organizuar konfrontime me fqinjët e tyre me shumicë shqiptare. Trafiku është bllokuar, ka pasur shpërthime dhe një patrullë e policisë kosovare është vënë nën zjarr mes përkeqësimit të situatës, për të cilën vendasit thonë se është nxitur nga arrestimi i një ish-oficeri të policisë etnike serbe, i akuzuar për sulmin ndaj ish-kolegëve të tij.

Në të njëjtën kohë, një milici nacionaliste serbe ka urdhëruar anëtarët e saj të dalin në kufirin me Kosovën në shenjë mbështetjeje për bashkatdhetarët e tyre që jetojnë në anën tjetër të vijës së tensionuar të demarkacionit duke kërcënuar se do të përballen me ushtarët e NATO-s të vendosur në rajon. Grupi, i njohur si “Patrulla e Popullit”, besohet të ketë lidhje me grupin famëkeq mercenar rus, Grupin “Wagner”, i cili aktualisht po rekruton të burgosur për të luftuar luftën e Putinit në Ukrainë.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës kanë arritur kulmin disa herë këtë vit, me një sërë grindjesh për njohjen reciproke të dokumenteve të udhëtimit dhe hyrje-daljet për veturat me targa të lëshuara në juridiksionin e njëra-tjetrës. BE-ja, e cila ka luajtur gjithnjë e më shumë rolin e paqebërësit në rajon, ka ndërmjetësuar negociatat dhe deri më tani është shmangur një konflikt serioz. Tani, Brukseli, SHBA-ja dhe një numër organizatash ndërkombëtare po u bëjnë thirrje serbëve vendas që jetojnë në Kosovë që të çmontojnë barrikadat dhe të ndihmojnë në shmangien e shpërthimit të dhunës serioze.

Serbia, megjithatë, vetëm sa po bëhet më këmbëngulëse. Sipas kushteve të një rezolute të mëparshme të OKB-së, Vuçiqi ka kërkuar që NATO t’i japë leje atij që të dërgojë 1000 policë dhe personel ushtarak në veri të Kosovës, duke pretenduar se ata janë të nevojshëm për të mbrojtur serbët etnikë atje. Kjo kërkesë shënon herën e parë që një ndërhyrje ushtarake serbe është konsideruar që nga lufta e 1999 dhe, ndërsa analistët thonë se do të refuzohet me shpejtësi, përfaqëson një përshkallëzim serioz në retorikë dhe ka frikë për një konflikt të ri ushtarak.

Për disa, megjithatë, është e qartë se flakët po ndizen nga larg. “Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Ne nuk e dimë se si mund të bëhen operative në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë javë, pasi Kremlini u përfshi në mosmarrëveshje.

“Unë mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është pikërisht ky: tani që Rusia u plagos rëndë në Ukrainë pas invadimit dhe agresionit të saj, ata kanë interes për përhapje. Ata kanë interes të transferojnë përpjekjet e tyre luftënxitëse në Ballkan, ku kanë një klient që është në Beograd”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, Kurti ka kërkuar të përdorë kërcënimin për të nxitur integrimin më të madh me Perëndimin për kombin e tij, duke kërkuar të ketë të njëjtën mirëseardhje që kombet e tjera në kufijtë e sferës së ndikimit të Rusisë – si Moldavia – kanë pasur nga Brukseli. “Ka një luftë në Ukrainë, le të parandalojmë përhapjen. Anëtarësimi në BE do të ndihmonte”, vazhdoi ai. “Unë shoh një gatishmëri të caktuar në BE për të menduar ndryshe pasi kontinenti është në luftë”.

Për momentin, bisedimet e paqes po vazhdojnë. Por frika po rritet dukshëm se një Putin gjithnjë e më i dëshpëruar mund të përpiqet të hapë një front tjetër kundër Evropës dhe të ndajë kontinentin edhe më tej. /Klankosova.tv

Autori Gabriel Gavin është gazetar britanik. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme