Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ruleti rus i Putinit

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 29.09.2022 15:19

Shumë vite më parë, në rrethana krejtësisht të tjera ndërkombëtare, por me mësymje dhe ambicje tashmë të njohura të tij, Vladimir Putinit, Presidentit të Rusisë i ishte bërë një pyetje nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, të cilët anë atë kohë ende kishin guximin t’i drejtoheshin në këtë mënyrë.

Pyetja kishte të bënte me një rrezik imagjinar, të një përplasjeje të madhe atomike në mes Rusisë dhe Perëndimit, kur do të rrezikohej i gjithë njerëzimi.

Përgjigjja e Putinit, siç është shënuar më pas nga njëri prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë ishte kjo: Nëse Rusia nuk do të ekzistojë si shtet, pse duhet Bota të ekzistojë?

Apo, thënë ndryshe, nëse Rusia shkatërrohet, kështu duhet të ndodhë me të gjithë Botën e lume.

Ky rast, i cili asokohe ishte pjesë e një bisede të lirë dhe krejtësisht spontane me Vladimir Putinin, ka ngjyrime ogurzeza në vjeshtën e vitit 2022, kur Lufta në Ukrainë i ka dalë thuaja krejtësisht nga dora liderit rus, dhe kur ajo ka shënuar një kthesë evidente, e cila është befasuese edhe për Perëndimin, dhe vet pushtetin e Ukrainës.

Putin para disa ditësh paralajmëroi çfarë do të bëjë në Frontin e Ukrainës, kur shpalli atë ‘mobilizimin e pjesshëm’ të forcave rezerviste e cila do të përfshijë mbi 300 mijë trupa të reja ruse të cilat do t’i hedhë, ashtu të papërgatitura për një luftë të mirëfilltë, në kasaphahen e Ukrainës lindore.

Nuk ishte hera e parë që Putin dhe njerëzit më të afërt të tij paralajmëruan mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në këtë luftë. Por, kësaj here, këtë mundësi, Putin e sforcoi disafish, duke konkluduar që nuk po bën blof.

Presidenti Biden, në përgjigjen e tij ndaj kësaj mundësie, i është drejtuar Putinin dhe publikisht, duke thënë tri herë: ‘Mos e bën këtë…’.

Dihet që Moska zyrtare ka marrë edhe porosi të qarta dhe të rrepta konfidensiale për këtë mundësi.

Por, realisht, kryeqendrat perëndimore nuk duan assesi të përballen me këtë sfidë tej mase të rrezikshme, e cila edhe si e tillë  (vetëm si mundësi), vlerësohet si një skenar apokaliptik për Evropën, Perëndimin dhe gjithë Botën.

Putin shumë shpejt, me gjasë qysh këtë të premte  (me 30 shtator), synon ta ndryshojë rrënjësisht kontekstin politik, kushtetues dhe ushtarak të Luftës në Ukrainë.

Pas një Referendumi të rremë në katër rajonet administrative të Ukrainës, të mbajtur ditëve të kaluara, në të cilin kinse u shpreh ‘lirshëm’, vullneti i qytetarëve të kësaj anës së shtetit të Ukrainës për bashkim me Federatën e Rusisë, Putin e ka ndërmend që ta pranojë ‘me entuziazëm’ kërkesën për përfshirje në territorin e shtetit të Rusisë të këtyre rajoneve.

Në këtë mënyrë, do të formalizohet synimi dytësor i Putinit dhe Rusisë së tij  (ai parësor dështoi në muajtë e parë pasiqë nuk arrita ta rrëzojë nga pushteti Volodymyr Zelenskyyn dhe ta instalojë një pushtet kukull në Kijev), apo, zgjerimi territorial i Rusisë kah Perëndimi.

Në anën tjetër, përfshirja e kësaj pjese të Ukrainës në Rusi, do ta fuqizonte mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, sepse vazhdimi i luftimeve në Donbas, do të vlerësohej dhe sanksionohej si rrezikim i tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të Rusisë si shtet.

Pra, armët bërthamore do të mund të përdoreshin si ‘mbrojtje nga agresioni i jashtëm’, siç do të mund të klasifikohej në atë rast lufta e mëtejme e Ukrainës për kthimin e kontrollit mbi këto territore të okupuara nga Rusia.

Kërcënimi i Putinit me ndërhyrjen me armë bërthamore në këtë luftë, ka edhe porosinë kryesore politike për Kijevin dhe Perëndimin: Ose do të pajtoheni me bashkimin e këtyre katër rajoneve Rusisë, ose do të detyrohem të hedh në front arsenalin atomik për realizimin e qëllimeve të mija, në këtë rast, të mbrojtjes së Rusisë (të territorit të ri të saj), nga Armata e Ukrainës dhe përkrahësit e saj Perëndimor.

Është ky një ‘Rulet Rus’, i cili në vend të një plumbi të vetëm në atë revolen që ka gjashtë vende për plumba, ka armë bërthamore.

Teksa tyta e këtij ruleti i është drejtuar Kijevit dhe Perëndimit.

Duket që nuk ka dyshim, kësaj here, që Putin e ka seriozisht, sepse pos humbjeve në fushëbetejën ushtarake gjatë javëve të fundit, ai u përball edhe me disfata politike dhe diplomatike, sepse u kuptua, së fundi, që as Kina dhe India nuk dëshirojnë më të rrezikojnë pozitën e tyre ndërkombëtare, për shkak të këtyre aventurave shumë të rrezikshme të liderit rus.

Në anën tjetër, as mobilizimi i forcave shtesë për Frontin e Ukrainës, nuk po i ecën mirë Putinit dhe regjimit të tij.

Po të pyeteshin rusët e thjeshtë, me gjasë, shumica absolute e tyre do të insistonte në arritjen e paqes në Ukrainë. Sot dhe menjëherë.

Herën e fundit kur rusët ishin masivisht kundër një lufte, ishte në vitin 1917, në atë vitin e parafundit të Luftës së Parë Botërore.

Nuk do të kishte kurrë Revolucion Bolshevik  (të tetorit të vitit 1917), pa këtë vullnet të qartë të rusëve për ndaljen e luftës në frontin perëndimor me Armatën e Gjermanisë.

Putin e di shumë mirë këtë mësim.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme