Rruga drejt Bashkimit Evropian - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rruga drejt Bashkimit Evropian

123
string(11) "Gazmir Raci" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/12/Raci-1.png"
23.12.2022 12:13

Rruga drejt anëtarësimit përfundimtar natyrisht që është e mundimshme, me plot sfida por edhe rezultate në të mirë të jetës së përditshme të qytetarëve sepse niveli i jetesës duhet të jetë i atij niveli sa është edhe në vetë shtetet anëtare në Bashkim Evropian tani.

Republika e Kosovës tashmë ka aplikuar për të marrë statusin e vendit kandidatë në BE andaj është me rëndësi për neve në këto momente të shihet përvoja dhe qasja që kanë ndjekur shumica e shteteve nga Ballkani Perëndimor që kanë kaluar nëpër këtë proces. Nga ajo çka kemi parë dhe kemi dëgjuar vërehet se koha mesatare e pritjes midis paraqitjes së kërkesës dhe marrjes së statusit të kandidatit për vendet në rajon ka qenë diku nga 2 – 3 vjet pritje, analiza, raporte etj.

Maqedonia Veriore kishte një periudhë minimale pritjeje prej 21 muajsh, nga ku me 22 mars 2004 e kishte paraqitur kërkesën dhe se më 16 dhjetor 2005 ajo e mori statusin e vendit kandidat, ndërsa hapjen e negociatave e mori tek tani gjatë këtij vitit d.m.th. që nga 2005 e deri 2022 Maqedonia Veriore së bashku me Shqipërinë për shkak të problemeve rajonale dhe atyre të brendshme kanë pritur për t’i çelur negociatat për anëtarësim. Kujtojmë këtu problemin e moszgjidhjes së emrit që ka pasur për një kohë të gjatë Maqedonia me Greqinë dhe se kjo ishte bërë pengesa kryesore në rrugën drejt BE-së për Maqedoninë, por edhe pse ajo arriti një ujdi me shtetin helen përsëri iu paraqitën probleme nga Bullgaria.

Mali i Zi priti për 2 vjet, nga 15 dhjetori 2008 deri më 17 dhjetor 2010. Serbia priti për një kohë pak më të gjatë, një total prej 26 muajsh. Serbia paraqiti aplikimin për anëtarësim më 22 dhjetor 2009 dhe mori statusin e kandidatit në 1 mars 2012.

Shqipëria është e shquar nga kjo mesatare vetëm për shkak të problemeve të brendshme politike dhe periudha e saj e pritjes për statusin e kandidatit ishte 5 vjet. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim më 28 prill 2009, edhe përpara Serbisë, por ajo mori statusin e kandidatit më 24 qershor 2014 dhe se këtë viti i hapi negociatat për anëtarësim. Reforma në drejtësi për Shqipërinë ka qenë sfidë e madhe në këtë drejtim.

Prapa Bosnjës është vetëm Kosova, e cila nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizimi dhe Asociim me BE në 27 tetor 2015 pasi që në Bruksel ishin arritur disa marrëveshje në kuadër të dialogut Teknik që kishte filluar në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2011.

Kosova tashmë ka filluar një fazë të re në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE edhe pse ka dy sfida me të cilat do të ballafaqohet tani. Sfida e parë ka të bëjë me 5 shtetet anëtare në BE që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe sfida e dytë ka të bëjë me procesin e stërzgjatur të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Në dakordimet e fundit në Bruksel me Serbinë për çështjen e targave në kuadër të marrëveshjes për lëvizjen e lirë për herë të parë thuhet se Grupi i veçantë në kuadër të zbatimit të MSA-së për dialogun do të riaktivizohet për të vlerësuar kohë pas kohe rezultatet në këtë dialog dhe do t’u raportohet shteteve anëtare për sjelljen e palëve. Kurse për Serbinë kapitulli 35 do të jetë në mbikëqyrje të zbatimit sepse është i lidhur drejtpërdrejt me zotimet që i ka pranuar Serbia në dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Lidhja e këtyre dy gjërave duket që e ka bërë BE-në tashmë më aktive edhe në matjen e performancës së palëve dhe raportimin e tyre në përmbushjen e kritereve politike edhe në rrugën drejt anëtarësimit për secilën palë.

Në rrugën e anëtarësimit përpos Kritereve politike që kanë të bëjnë me stabilitetin e institucioneve ato lidhen poashtu edhe me zhvillimin e demokracisë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut si dhe respektin për minoritetet. Kriteret ekonomike në këtë rrugëtim janë gjithashtu të rëndësishme sepse ato lidhen me aftësinë për të ndërtuar një ekonomi tregu funksionuese si dhe aftësinë për të absorbuar presionin kompetitiv si dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian kurse tek Kriteret ligjore (“acquis“) duket që Kosova ka ecur mirë në këtë drejtim sepse ka të bëjë me platformën e të drejtave dhe të detyrimeve të cilat duhet t’i respektojnë shtetet anëtare në kontekstin e Bashkimit Evropian dhe se gjatë gjithë kohës së nxjerrjes së ligjeve nga ana e institucioneve të vendit ato paraprakisht kanë kaluar filtrin e pajtueshmërisë apo jo me rregullat e Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim rol të madh kanë luajtur edhe Misioni i EULEX-it por edhe vetë Zyra e Bashkimit Evropian e cila kohë pas kohe kujdeset edhe për pajtueshmerinë e akteve ligjore dhe nënligjore sidomos ato kur nuk janë në përputhje me rregullat e BE-së.

Si përfundim, Republika e Kosovës duhet të gjejë një mundësi për të iu qasur pak më ndryshe 5 shteteve mosnjohëse që janë në kuadër të Bashkimit Evropian me qëllim që premtimet e Bashkimit Evropian karshi Ballkanit Perëndimor për zgjerim të përmbushen vetëm atëherë kur edhe Kosova së bashku me 5 shtetet tjera në këtë pjesë do të mund të integroheshin së bashku në BE. Nëse ndonjëra prej tyre hyn veçantë, siç mund të jetë rasti i Serbisë, atëherë Ballkani Perëndimor do vazhdojë të jetë vatër krize sepse Serbia deri tani nuk ka treguar që është serioze në bashkëpunimin rajonal sepse ka tentuar kohë pas kohe me veprime konkrete të ndërhyjë në Bosnje, Mal të Zi dhe në Kosovë duke i mirëmbajtur strukturat paralele në veri të Kosovës edhe pse në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 është pajtuar që do t’i shuajë të gjitha ato.

Republika e Kosovës, duke qenë shoqëri e re, shtet i ri, vital me rini konkurruese, me luftë të ashpër kundër krimit e korrupsionit dhe prijëse e lirës së mediave në Ballkan por edhe lojale e pashoqe ndaj politikes së jashtme të BE-së, atëherë ajo meriton t’i jepet mundësia për t’u bërë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian, këtë konstatim e pati këto ditë ish-Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, diplomatja kroate RomanaVlahutin.

lajme të ngjashme