Rroftë gjykata, poshtë gjykata 123 string(13) "Xhemal Ahmeti" string(66) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/12/xhemal-ahmeti.jpg" nga Xhemal Ahmeti 22.12.2020 16:22 22.12.2020 16:22 Gjykata Kushtetuese zgjon Kosovën me një situatë të re. Brenda dyzet ditëve e në kohë pandemie duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Përveç kësaj ajo konkretizoi një normë e cila përjashton njerëzit e penalizuar nga politika. Problemi kapital mirëpo që gjeneroi vendimi i saj është si përherë: çka pas muajve të humbur dhe pas zgjedhjeve? Rinisje nga zeroja famlartë që si muzikë të vetmen ka refrenin gjenial: kush me kë? Kështu ngase Kosova nuk është tokë me mentalitetin përmbi që lejon sundimin në stilin e Ramës së Tiranës. Çka do ndodhë pas edhe një vend-ri-numërimi? Në komedinë «hainephélai» [Rétë] Aristofani [423 p.e.s.] nxjerr retë në skenë për t’u treguar athinasve se jo Zeusi i dënon ata me rrufe, por ato vetë janë shkaktare të zjarreve dhe viktimave: Retë! Kush i dënon kosovarët me zgjedhje edhe në kohë pandemish? Me zgjedhje që përveç humbjes së kohës nuk do ta sjellin asnjë risi. Disa thonë kështu e ka demokracia. Cili lloj i demokracisë e ka kështu? 1. «Demokraci është mundësia për të zgjedhur. Diktaturë donë të thotë detyrimi për të votuar» [dikë nga ansambli i të njëjtëve]. Ky citat i gdhendur në memorie pa emrin e autorit duket sikur më së sakti përshkruan gjendjen e qytetarëve të Kosovës. Ata janë të lirë për të zgjedhur, por jo sipas ligjeve dhe afateve. Ata detyrohen të votojnë edhe atëherë kur plotë vdesin për shkak të epidemisë. Ata votojnë e zgjedhin njerëz që ligjërisht as duhet kandiduar. Kush i detyron dhe kush ushtron diktaturën kësaj radhe kur mbi kokat e tyre s’janë më as Enver Hoxha e as Josip Broz Tito? Gjykata Kushtetuese? Jo. Paaftësia e partive politike për tu siguruar votuesve sistem të qëndrueshëm dhe pafuqia e pamundësia e masave për ta votuar në kohën e duhur një elitë serioze janë kësaj radhe diktatorët në veprim e sipër. Diktatura pra si vepër e një kolektivi të paaftë për të menaxhuar me lirinë e tij. Në këto kushte atëherë «zgjedhjet» – siç thotë Barack Obama përvojëshumë [Genios, 2019] – «nuk përbëjnë demokracinë», por shërbejnë si instrument i riprodhimit të krizës së përhershme të një shoqërie. Si bërthama të kësaj krize opinioni publik pandeh politikanin e korruptuar, atë që politikën e konsideron artin për t’ia marrë paret të pasurit dhe votën të varfrit, duke i mashtruar që të dy se i mbron nga njëri tjetri; atë që zgjedh e votohet në sajë të zërave të kontrabanduar tualeteve dhe kthinave të parlamentit; atë që saherë ndihet xhepabosh u vë zjarrin institucioneve e saherë ndihet në pushtet mbush ato – institucionet – me militancën e tij zvarranike ose penaloafine. Prandaj problemi se do mbahen zgjedhjet e reja është minimal ndaj shenjës që vuri Gjykata Kushtetuese kësaj radhe me normën kundër të penalizuarëve. Pa norma të llojit s’ka shtet ligjor. Është pikërisht kjo normë që – po u implementua –do të sjell risinë, ngase tjetër ndryshim të gjendjes nuk do të ketë. Pse? Para se të dalim tek gjendja e partive le ta sqarojmë se për ç ‘normë bëhet fjalë. 2. Gjykata Kushtetuese vendosi ashtu siç pritej: suspendoi «Qeverinë Hoti» si jolegjitime. Vota e njërit nga deputetët të penalizuar do të jetë arsyeja se pse qytetarët e RK-së brenda dyzet ditëve duhet të dalin në zgjedhje. Kështu shikuar sipërfaqësisht. Në esencë mirëpo gabimi qëndron më shumë tek KQZ, e cila nuk reagoi as më herët e as më vonë për votën dhe statusin ilegal të Arifit brenda Parlamentit. Se pse Gjykata Kushtetuese nuk nënvizon edhe këtë fajësi mbetet borxh i saj ndaj publikut. Vendimi i Gjykatës pra nuk rrëzon vetëm qeverinë aktuale, por edhe gdhend një normë të re, jashtëzakonisht të rëndësishme për demokracinë pluraliste të një shteti ligjor: ajo sjell diçka që është dashur të konkretizohet ligjërisht moti: politikanët me vepra penale ende në zbatim s’kanë ç ‘kërkojnë në politikë! Kjo i del si bumerang partisë që bëri ankesën. Jo vetëm për arsye se disa nga timonierët e saj qendror janë të penalizuar, porse me një vendim të tillë ngushtohet edhe e ardhmja e metodës vepruese politike të saj: një pjesë jo modeste e LVV është penaloafine në mënyrë të përhershme dhe në kushtet e një shteti ligjor rigoroz, plotë prej tyre nuk do të kishin të drejtë të kandidojnë as komunave. Plotë prej tyre që veprojnë në kuadër të kompanive globale e qeverive të huaja e vendore për të krijuar monopole mbi energjinë, komunikacionin e segmente tjera me mjete politikisht të korruptuara as nuk do merrnin guximin të afirmoheshin nga partitë që synojnë pushtetin. Prandaj pika kyçe e debatit aktual mediave, pas vendimit është ajo që militantët e partisë në fjalë e quajnë «hile» të gjykatës. Sa hile ka aty në të vërtetë? Apo është si rëndom: «Rroftë gjykata!» [kur vendos në favor tonin] dhe «Poshtë Gjykata!» [kur vendos në disfavor tonin]? Edhe Donika Kadaj Bujupi tha se vendimi nuk është në rregull pasi «ne jemi të dënuar me kusht»! Donë të thotë prapashtesa «me kusht» shfajësim, lirim? Shikuar nga substanca e kodeve penale – siç e kupton një që njeh filozofinë e së drejtës edhe pse jo jurist- dënimi me kusht nuk është shfuqizim i dënimit (do të ishte vetepërjashtimi më alogjik i mundshëm i gjykimit në vete), vendimit por përcakton vetëm kualitetin e sanksionit që del si rezultat i dënimit. Përndryshe do të ishte shfajësim. S’do të kishte vendim – as në provë. Rëndom kjo formë e vuajtjes së lehtë preferohet për të penalizuarit që për veprën e llojit dënohen për herë të parë në jetën e tyre dhe të cilëve u jepet një shans për risocializim në besim. Ky është karakteri primar interpretativ i prapashtesës «me kusht. Njerëzit e dënuar për vepër penale – pavarësisht formës se si gjykata përcakton vuajtjen e dënimit – përballë KQZ dhe ligjeve janë njerëz të dënuar dhe këtu çdo interpretim ndryshe donë të thotë koketi në interes të sabotimit të mundësisë për realizimin e shtetit ligjor. Prandaj më mirë se të krijoheshin kauza publike për gjëra të kota, do të ishte mirë që partitë të hiqnin dorë përfundimisht nga mbështetja e kandidatëve të penalizur. 3. Tjetra subtemë që thamë se do ta trajtojmë pas sqarimit të «normës së re të Gjykatës Kushtetuese» është pandehja jonë se s’do ketë asnjë ndryshim, por vetëm rizgjatje të krizës – në çdo aspekt të saj. LVV mund t’ia dal të fitojë 50% të votave atëherë nëse në zgjedhje dalin vetëm anëtarët e saj dhe të Mustafa Bajramit e Labinote Demit, ndërkaq tjerët vendosin kësaj radhe të bëjnë pauzë. Ajo nuk do t’i bëj mbi 30% as me Listën e Vjosa Osmanit. Aktualisht ajo flirton me PDK-në, e cila mirëpo në këto zgjedhje nuk do të dalë njëjte e fortë siç doli në zgjedhjet paraprake. Kështu që linja ec drejt një koalicioni LVV+PDK+AAK + Vjosa Osmanin me një a dy shoqërues. Ose pa AAK e cila atëherë do të mbetej në opozitë bashkë me LDK. E fundit do të humbë minimum në përqindje por s’do të ketë aleatë për të qeverisur sërish, ngase ashtu i ka krijuar vetë relacionet. Në një Qeveri të këtij formati ndërrohen akterët por assesi substanca. PDK përkundër elementit religjipoat (që ka marr hov dominimi si në LVV) që e afron thellë me LVV-në do të jetë më arrogante gjatë ndarjes së pushtetit se ç ‘ishte LDK. Pa udhëheqës dhe në kohë të vështira për atë, ajo e di se vetëm me pushtet mund të rigjenerohet, ndryshe jo. LVV nga ana tjetër nuk disponon me kuadro serioze për të rezistuar partnerët në kërkesat e tyre. Konkretisht: si do që do të dalë kombinimi Kosova do të përballet edhe me një qeveri problemesh dhe konfliktesh. Mund të ndodhë edhe më keq. Retë e Arsitofanit megjithatë e pranojnë se jo ato por Zeusi alias Allahu apo Jahwe janë dënuesit me rrufe, prandaj më mirë siç thoshte Kurt Tucholsky: «njeriu i ka dy këmbë dhe dy bindje: njërën për kohët kur është mirë dhe tjerën për kohën kur gjendet në krizë; për të fundit ka religjionin».E me këtë,as norma për dekriminalizimin e politikës nuk do ta ndihmojë Kosovën të mbetet në kontinent. Ajo do të vazhdojë si duket fluturimin e saj drejt «havasë» ose drejt … 4. Ose ndodhë ndryshe. Një koalicion, i cilës do qoftë përbërje, para apo post elektoral vendos të shfrytëzoj normën e dekriminalizimit, premton kontraktueshëmreformat në arsim, gjyqësi,në politika të jashtme dhe të brendshme (drejt Evropës), bën ndarjen shpateske të xhamisë nga shteti dhe institucionet dhe të tjera si këto, kështu duke vendosur vërtet ta lëviz Kosovën para. Përndryshe Viti i Ri me halle të Mesjetës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.