10:31, 20 Nëntor 2019 Autor: George Soros

Pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor 1989, shoqëritë e hapura dolën triumfuese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar u bë feja mbizotëruese. Tridhjetë vjet më vonë, megjithatë, nacionalizmi ia ka dalë të jetë shumë më i fuqishëm dhe shkatërrues sesa ndërkombëtarizmi.

Rënia e Murit të Berlinit natën e 8 nëntorit 1989, në mënyrë dramatike dhe të beftë, përshpejtoi rrëzimin e komunizmit në Evropë. Fundi i kufizimeve të udhëtimit midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimit, i dha një goditje vdekjeprurëse shoqërisë së mbyllur të Bashkimit Sovjetik. Në po të njëjtën mënyrë, ajo ngjarje shënoi një moment kulmor për ngritjen e shoqërive të hapura.

Unë isha përfshirë në atë që e quaj filantropinë time politike një dekadë më parë. U bëra një avokat i konceptit të shoqërisë së hapur, e cila më ishte frymëzuar prej Karl Popperit, mentori im në London Schoool of Economics. Popperi më kishte mësuar që dija e përsosur nuk ishte e arritshme, dhe se ideologjitë totalitare, të cilat pretendonin se zotëronin të vërtetën përfundimtare, mund të mbizotërojnë vetëm nëse përdorin mjete shtypëse.

Në vitet 1980, unë mbështesja disidentët në të gjithë perandorinë Sovjetike dhe në 1984 arrita të krijoj një fondacion në vendlindjen time, Hungari. Ai siguronte mbështetje financiare për çdo veprimtari që nuk ishte e inicuar prej shtetit njëpartiak. Ideja ishte që duke inkurajuar aktivitetet jo-partiake, njerëzit do të ndërgjegjësoheshin për falsitetin e dogmës zyrtare – dhe funksionoi për bukuri. Me një buxhet vjetor prej 3 milion dollarësh, fondacioni u bë më i fortë se Ministria e Kulturës.

U kapa fort pas filantropisë politike dhe, ndërsa Perandoria Sovjetike u shemb, krijova fondacione në njërin vend pas tjetrit. Buxheti vjetor u rrit nga 3 milion dollarë në 300 milion dollarë, brenda vetëm pak viteve. Ishin kohë të rrëmbyeshme. Shoqëritë e hapura ishin në ngjitje dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ishte feja mbizotëruese.

Tridhjetë vjet më vonë, situata është shumë ndryshe. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka ndeshur në pengesa serioze gjatë rrugës, dhe nacionalizmi është bërë feja mbizotëruese. Deri më tani, nacionalizmi ka rezultuar shumë më i fuqishëm dhe shkatërrues sesa ndërkombëtarizmi.

Ky nuk ishte një rezultat i pashmangshëm. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Shtetet e Bashkuara u shfaqën si superfuqia e vetme që mbijetoi, por ajo nuk arriti të përmbushë përgjegjësitë që i dha kjo pzitë. SHBA ishte më e interesuar të shijonte frytet e fitores së saj të Luftës së Ftohtë. Ajo nuk arriti t’i japë një dorë vendeve të ish bllokut sovjetik, të cilët ishin në gjendje të vështirë. Në këtë mënyrë, ajo iu përmbajt recetave të konsensusit neoliberal në Uashington.

Në këtë moment, Kina nisi udhëtimin e saj të mahnitshëm të rritjes ekonomike, mundësuar prej pranimit të saj – me mbështetjen e SHBA – në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Përfundimisht, Kina zëvendësoi Bashkimin Sovjetik si një rival të mundshëm ndaj SHBA.

Konsensusi i Uashingtonit supozonte se tregjet financiare janë të afta të korrigjojnë teprimet e tyre, dhe nëse jo, bankat qendrore do të kujdeseshin për institucionet e dështuara, duke i shkrirë dhe bashkuar në institucione më të mëdha. Ky ishte një besim i rremë, siç e demonstroi kriza globale financiare e viteve 2007-08.

Kriza financiare E vitit 2008 i dha fund mbizotërimit të padiskutueshëm global të SHBA, dhe fuqizoi shumë ngritjen e nacionalizmit. Ajo gjithashtu e ktheu valën, tashmë kundër shoqërive të hapura. Mbrojtja që këto shoqëri morën nga SHBA ishte gjithmonë indirekte dhe nganjëherë e pamjaftueshme, por mungesa e saj i linte ata të brishtë, përballë kërcënimit të nacionalizmit. M’u desh ca kohë ta kuptoja këtë, por provat ishin të padiskutueshme. Shoqëritë e hapura u detyruan të tërhiqen në mbrojtje, në mbarë botën.

Do të më pëlqente të mendoja se nadiri u arrit në vitin 2016, me referendumin e Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjedhjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump, por përgjigja ndaj kësaj nuk është e qartë. Situata për shoqëritë e hapura është përkeqësuar nga zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i inteligjencës artificiale. Ajo mund të prodhojë instrumente të kontrollit shoqëror që mund të ndihmojnë regjimet shtypëse, por që paraqesin një rrezik vdekjeprurës për shoqëritë e hapura.

Për shembull, Presidenti Kinez Xi Jinping i është futur krijimit të një sistemi të ashtuquajtur të kredive shoqërore. Nëse ai do të arrinte ta përfundonte, shteti do të fitonte kontroll të plotë mbi qytetarët e vet. Më shqetësues është fakti që, publiku kinez e sheh si tërheqës sistemin e kredive shoqërore, sepse u siguron atyre shërbime që u mungonin më parë, premton të ndjekë dhe gjykojë kriminelët dhe u ofron qytetarëve një udhëzues, se si të qëndrojnë larg telasheve. Edhe më shqetësues është fakti që, Kina mund t’ua shesë sistemin e kreditit shoqëror aspirantëve për diktatorë në të gjithë botën, të cilët më pas do të bëhen politikisht të varur nga Kina.

Për fat të mirë, Kina e Xi Jinpingut e ka një thembër të Akilit: varet nga SHBA që ta furnizojnë me mikroprocesorë për të cilët, kompanitë 5G, si Huawei dhe ZTE, kanë nevojë. Por fatkeqësisht, Trump ka treguar se ai vendos interesat e tij personale përpara interesave kombëtare, dhe 5G nuk përbën një përjashtim. Të dy ai dhe Xi janë në telashe politike në vendet e tyre, dhe në negociatat tregtare me Xi, Trump e ka vendosur Huawei në tryezë: ai i ka shndërruar mikroprocesorët në fisha kazinoje.

Rezultati është i paparashikueshëm, sepse varet nga një numër vendimesh të cilët nuk janë marrë ende. Ne jetojmë në kohëra revolucionare, kur rrezja e shanseve është shumë më e gjerë se zakonisht dhe rezultati është edhe më i pasigurt sesa në kohëra normale. Ne mund të varemi vetëm nga bindjet tona.

Unë jam i përkushtuar për realizimin e qëllimeve që ndjekin shoqëritë e hapura, fitoj apo jo në fund. Ky është ndryshimi midis punës për një fondacion dhe përpjekjes për të fituar para në bursë.

(Project Syndicate – Bota.al)

Lajme të tjera