Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rreshtimet e Kosovës dhe Serbisë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 29.12.2022 08:26

Mënyra se si Kosova dhe Serbia u rreshtuan përballë një kthese tjetër të madhe në historinë e Evropës, të shkurtit të këtij viti, dëshmon që elitat politike të Serbisë nuk kanë mësuar gjë nga pësimet katastrofale prej vitit 1989-të e tutje.

Krahasimi i dy ngjarjeve kur u ndërruan kapitujt e historisë dhe të politikës në Evropë dhe në Botë  (apo, edhe kur ndryshuan epokat), gjegjësisht të 9 nëntorit të vitit 1989-të (kur ra Muri i Berlimit) dhe 24 shkurtit të vitit 2022-të  (kur nisi agresioni i Rusisë në Ukrainë) , na shfaqë një të njejtin konkludim në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Si në atë nëntorin e vitit 1989, ashtu edhe në shkurtin e këtij viti, Kosova u rreshtua andej kah duhej, kah është faktikisht e domosdoshme historikisht, apo me Perëndimin.

Si në vjeshtën e vitit 1989, njëlloj edhe në dimrin e vitit 2022, Serbia kundërshtoi një rrjedhë të natyrshme dhe të drejtë të historisë, teksa zhvillimet e vazhdueshme në politikën serbe janë në raport të përplasjes me këtë rrjedhë të historisë.

Rënia e Komunizmit tridhjetë e më shumë vjet më parë, ishte interes jetik i shqiptarëve të Kosovës, sepse në këtë mënyrë u ri-hap çështja e Kosovës, brenda një procesi të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Përfundimi i ‘Luftës së Ftohtë’, me fitoren e madhe të SHBA-së, ishte një goditje fatale për interesat e Serbisë për ruajtjen e ish-RSFJ-së, sepse ky shtet mund të ekzistonte vetëm si shtet komunist dhe sipër ndarjes së madhe të Evropës dhe Botës në dy blloqe të mëdha politike.

Kur ra Komunizmi dhe kur mori fund ‘Lufta e Ftohtë’, ish-Jugosllavia mbeti pa themele, dhe godina e saj u bë copë e grimë, duke u rrënuar në luftëra të njëpasnjëshme, prej Sllovenisë deri në Kosovë.

Po mos të ndodhte ajo shembja e Murit të Berlinit, nuk do të shkatërrohej Jugosllavia aq shpejt.

Sidoqoftë, Serbia e atëhershme  (e Slobodan Milošević-it), bëri një përzgjedhje të gabuar, e cila i kushtoi shumë shtrenjtë. Në të vërtetë, edhe Serbia e sotme  (e Aleksandar Vučić-it), ende paguan ‘këstet’ e ‘borxhit politik dhe historik’ të atij gabimi kapital të vitit 1989.

Mënyra se si Kosova dhe Serbia u rreshtuan përballë një kthese tjetër të madhe në historinë e Evropës, e cila kryekëput është ‘prodhim rus’, dëshmon që elitat politike të Serbisë nuk kanë mësuar gjë nga pësimet katastrofale politike dhe historike prej vitit 1989-të e tutje.

Në rastin e autoriteteve të Kosovës, por edhe të skenës politike shqiptare në përgjithësi dhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi, ka qenë krejtësisht e natyrshme që Kosova të mbështetë Ukrainën në luftën mbrojtëse ndaj Rusisë, dhe të përkrah Amerikën dhe Evropën në dyluftimin politik, diplomatik, ekonomik me Rusinë e Vladimir Putin-it.

Në politikë, vendimet e natyrshme, megjithë barrën që mund ta kenë  (si në këtë rast), janë më të lehtat.

Në rastin e Serbisë së Presidentit Vučić, pikërisht për shkak të të gjitha ’investimeve’ të gabuara politike për dhjetëra vjet rresht, rreshtimi i natyrshëm i Beogradit zyrtar është me Rusinë, si agresore, e jo me Ukrainën, si viktimë, me Rusinë, si kundërshtare të Perëndimit, e jo me Perëndimin, si mbrojtës të vlerave politike dhe qytetëruese të Evropës.

Megjithatë, Vučić e di mirë që një anë-mbajtje e kësisojt e Serbisë për Rusinë, (krejtësisht e hapur, pra), do të kishte tjera pasoja fatale për të ardhmen e Serbisë, e cila, së paku sipas deklarimeve publike të Presidentit serb, duhet të jetë anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian.

Por, ky interesi i mirëfilltë i Serbisë në këtë rast, konfrontohet me atë bagazhin politik dhe emocional të politikës serbe që njeh sentimentet pro-ruse si ’busollë’ orientimi në politikë.

Është një situatë jashtëzakonisht frustruese për Presidentin e Serbisë.

Po të ishte burrshtetas i mirëfilltë, Aleksandar Vučić, megjithatë, nuk do ta kishte të vështirë të merrte një vendim të domosdoshëm për shtetin e vet. Apo, ai, pikërisht, do ta shfrytëzonte këtë rast, apo këtë udhëkryq të madh historik, për ta bërë zgjedhjen (dhe zgjidhjen) finale historike dhe politike të Serbisë, apo, për ta drejtuar kah Perëndimi, apo, kah Amerika dhe Bashkimi Evropian.

Presidenti i Serbisë, tek e mbrama, do të mund të justifikohej për këtë vendim me rrethanat dramatike historike, të cilat ky nuk i ka pasë në dorë, apo, të cilat ja kanë imponuar këtë vendim.

Indikacioni më i mirë dhe më i sakt i mundshëm i këtij orientimi eventual të Serbisë kah Perëndimi, do të ishte pikërisht vullneti për ta bërë Marrëveshjen politike me Kosovën për normalizimine marrëdhënieve në mes të dy shteteve: Serbisë dhe Kosovës.

Por, çfarë kemi parë gjatë gjithë këtij viti, e veçmas në dy muajtë e fundit, ka qenë e kundërta: Vučić nuk ka treguar shenja të mirëfillta që e ka ndërmend t’i jep fund një kontesti të gjatë historik, i cili, objektivisht, ka marrë epilogun e tij politik me bërjen e shtetit të Kosovës, në vitin 2008-të.

Realiteti në Kosovë, apo, realiteti i shtetit të Kosovës do të mbetet përjetë ky që është tash e 15 vjet.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme