Rrëfimi për hajnin dhe kuletën - Klan Kosova

Rrëfimi për hajnin dhe kuletën

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
3 weeks më parë

Shkruan: Blerim Shala

 

Presidenti Martti Ahtisaari, Emisari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, pasi pati ofruar Pavarësinë, fillimisht të mbikëqyrur  (ndërkombëtarisht), për Kosovën (në muajin mars të vitit 2007-të) në elaborimin mediatik të këtij propozimi, trajtonte argumentet e shumta historike dhe politike të cilat dhanë këtë epilog të pashmangshëm.

Në këto argumente, Ahtisaari pohonte që raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës, nuk mund të kenë tjetër veçori pos asaj që shfaqë marrëdhëniet në mes të dy shteteve të pavarura.

Për më shumë, Presidenti Ahtsaaari, i cili më vonë  (në vitin 2008), do të shpërblehej me Çmimin Nobel për Paqe, do të ofronte një sqarim fare të thjeshtë përse Kosova duhej të bëhej shtet i pavarur, përmes një rrëfimi interesant në intervistat e tij. Ai thoshte që e tëra i përngjet një situate kur një hajn vjedhë kuletën e një qytetari, dhe kur atë hajn e zë polici, ai në vend se ta kthejë kuletën me gjithë paratë që kanë qenë aty, preferon të negociojë me policin shumën të cilën do ta mbajë për vete, ndërsa ai realisht duhet të përfundojë në burg për plaçkitje.

Politika zyrtare serbe e viteve të pavarësisë së Kosovës, por edhe kjo e ditëve të sotme, asnjëherë nuk ka qenë në gjendje ta kuptojë sa e qartë dhe e thjeshtë është situata në raportet e Serbisë me Kosovës, dhe pse Kosova meriton të jetë shtet i pavarur. Në vend të një konteksti të njohur historik të gjatë gati një shekull, politikanët serbë, (me përjashtime shumë të rralla), pëqafonin Teoritë konspirative ndërkombëtare që e bënë Kosovën shtet  (Perëndimi, në krye me SHBA-në), duke mos u marrë fare me përgjegjësitë e veta konkrete për të gjitha krimet dhe tragjeditë që ua kanë sjellë shqiptarëve të Kosovës.

Duket që kjo mënyrë e shpjegimit të gjitha dukurive politike ndërkombëtare, dhe e justifikimit dhe arsyetimit të gabimeve dhe dështimeve të elitave politike në Serbi, është aktualisht më e fuqishme se kurrë, gjë që paralajmëron telashe të shumëfishta në marrëdhëniet e Serbisë me shtetet fqinje.

Një ngjarje e këtyre ditëve që konfirmon validitetin e këtij konkludimi, realisht, nuk ka kurfarë lidhje me politikë dhe me raportet e Serbisë me Perëndimin.

Novak Đoković, tenisti serb që është në garë për tu bërë garuesi më i suksesshëm ndonjëherë në sportin e tenisit, është ndalur nga autoritetet shtetërore të Australisë, pasiqë nuk kishte plotësuar kushtin themelor për të hyrë në këtë shtet, dhe për të marrë pastaj pjesë në Turneun tradicional të tenisit në Australi.

Ky kusht themelor, i cili vlenë për të gjithë ata që ia mësyjnë të hyjnë në Australi  (ndryshe, shtetin më rigoroz në Botë në imponimin e masave në mbrojtje nga Covid-19), është vërtetimi për vaksinimin e dyfishtë.

Đoković deri tash ka refuzuar ta merr vaksinën, është munduar ta sigurojë përjashtimin nga ky detyrim, dhe është nisur për Australi, por në fund është ndalur, dhe tani pret vendimin final të autoriteteve final të këtij shteti për lejimin e tij për pjesëmarrje në këtë turne, apo për kthimin e tij mbrapsht.

Rrëfimi këtu është pra fare i thjeshtë, dhe të kthen te ai kallëzimi i Ahtisaar-it për vjedhësinë e kuletës në raportet Serbi – Kosovë.

Shkurt, Đoković nuk i ka marrë vaksinat dhe ai, pa marrë parasysh famën ndërkombëtare që gëzon, nuk mund të jetë assesi i privlegjuar karshi të huajve të tjerë dhe vet qytetarëve të Australisë.

Por kjo e vërtetë e qartë, e kuptueshme, aspak e ndërlikuar, tash e disa ditë është bërë ’shkrumb e hi’ prej lidershipit të Serbisë, mediave të shumta, opinionistëve dhe publicistëve në këtë shtet.

Sërish të gjithë këta përqafojnë Teoritë e konspiracionit, komplotet e lloj-llojshme ndërkombëtare, kësaj here kundër tenistit serb Novak Đoković, me qëllim të vetëm që atij të mos i lejojnë fitoren e dhjetë në Turneun e Australisë dhe ngadhnjimin e 21-të në turnetë më të njohura të këtij sporti në Botë.

Fare pak zëra kanë arritur të dëgjohen në këtë korin e britmave të shumta shurdhuese (të cilat madje krahasojnë këtë veprim të autoriteteve të Australisë me krimet e kampeve naziste), ku theksohet e vërteta e gjithë këtij rasti që ky sportist nuk është vaksinuar, dhe që ai tani po i vuan pasojat e këtij refuzimi të tij.

Megjithatë, paradoksi më i madh në gjithë këtë storie përkon me deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në mbrojtje të parezervë të tenistit Đoković.

Vučić, i cili që nga marsi i vitit të kaluar, është munduar ta portretizojë veten si ’Kampion evropian në vaksinimin e popullatës në Serbi’  (me numrat fillestarë të të vaksinuarve të cilët, sa i përket suksesit, asokohe krahasoheshin vetëm me Britaninë e Madhe), dhe i cili përditë del para opinionit publik serbe me deklarata në favor të imunizimit të qytetarëve përmes vaksinimit, nuk e sheh të arsyeshme ta thotë një fjalë të vetme në kundërshti të qëndrimeve evidente të një sportisti të shquar kundër vaksinimit. Në rrethanat tjera, një sportist i këtij kalibri do të duhej të ishte shembull për vaksinimin. E jo e kundërta.