Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rrëfimi i pakallëzuar i Ismail Qemalit

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 29.11.2024 11:45
Blerim Shala
Blerim Shala

As dy orë pasi u shpall mëvetësia e Shqipërisë, në Vlorë, me 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali në bisedë të lirë me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, pyeti veten dhe të gjithë ata që ishin me te: ‘A thua, çka do të ndodhë tash e tutje me Shqipërinë dhe shqiptarët? Apo, nëse imagjinojmë për pak çaste, ku do të jetë Shqipëria dhe ku do të jenë shqiptarët pas një shekulli, a më shumë’?

Llafet e shumta pa fill dhe pa fund iu qepën kësaj pyetjeje të Qemalit. Shumica flisnin me zë sepse nuk mendonin që ishte vendi dhe rendi që të supozohet se çka do të bënë vaki me shqiptarët pas njëqind viteve, kur nuk dihej se a do të mbetet Vlora e lirë pas njëqind orëve.

Por, nuk vonoi dhe një mesoburrë i cili ishte aty, në dhomën e ndejës, kërkoi që të takohet veçmas për gjysmë ore me burrin që e kumtoi mëvetësinë e Shqipërisë.

Qemali iu bashkua në një dhomë tjetër, ku ishin vetëm ata të dy.

Këtij ia merrte mendja që ky miku që i kërkoi takim, me siguri ka farë informate të besueshme se çka po ndodhë në ndonjërën nga anët e tokës a territorit shqiptar, i cili kishte nisur të gllabërohej nga shtetet fqinje, pas paralajmërimit gjithnjë e më evident të largimit nga Ballkani të Perandorisë Osmane, e cila kishte ardhur këtu para më shumë se pesë shekujve.

Por jo. Bashkëbiseduesi i Qemalit nuk dinte asgjë më shumë se ai se çka po ndodhë në shtetin e sapo shpallur. Por ai i tha Qemalit që pikërisht ky, në përgjigjen e asaj pyetjeje të bërë pak çaste më parë nga ai (Qemali) e di mirë se çka do të ndodhë me Shqipërinë në deceniet e ardhshme dhe çka do të bëhet me Shqipërinë dhe me shqiptarët pas njëqind viteve  (në vitin 2012), dhe më pas, madje.

Qemali shtangu. Por, ai ishte plot kërshëri për mendimet dhe fjalët e këtij të panjohuri.

Ai e dinte mirë që shqiptarët e kishin zënë trenin fare të fundit për ta shfaqur vullnetin e tyre për të qenë shtet i pavarur, në rrethanat të cilat karakterizoheshin me shembjen e një Rendi ballkanik të krijuar nga Perandoria Osmane.

Po të vonohej edhe vetëm pas javë, nuk do të mund të shpallej më mëvetësia e Shqipërisë.

Zemra i ishte bërë mal me atë çfarë ndodhi pak orë më parë në Vlorë. Por ai nuk kishte aspak siguri se si do të pritej shteti i ri në Evropë. I kishte disa zotime të qarta të Vjenës  (Austro-Hungarisë), dhe u besonte atyre. Por, pos emrit dhe flamurit, shteti i sapo shpallur nuk i kishte aspak të sigurta territorin dhe kufijtë: Këta ishin të rrezikuar si thuhet, nga të gjitha anët, veçmas nga Veriu dhe Jugu.

Për këtë shkak, ai mezi priste ta dëgjojë kallëzimin e këtij burri të cilin nuk e njihte, por atij i dukej një zotëri i vërtetë.

Fjalët e tij për Qemalin ishin tronditëse.

Si një lajmëtar që vjen nga ardhmënia e largët, me një qetësi dhe siguri të plotë, ai i tregoi fije dhe për pe  (si thuhet), Ismail Qemalit se si do të rrjedhë ecja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në histori, dhe ku do të janë ata, atje në vitin e largët 2024.

Qemali disa herë e ndalte këtë bashkëbiseduesin e tij duke e pyetur: ‘A është e mundur kjo çka po thua?’ ‘A je i sigurte për të gjitha këto?’ ‘Mos të ka mashtruar kush?’

Kur dëgjoi që Kosova do të bëhej shtet i pavarur, atje në vitin e largët 2008, plakut nga Vlora iu mbushën sytë me lot. U ngrit në këmbë dhe e mori ngryk këtë burrin që ia rrëfeu historinë në ardhje të shqiptarëve.

I tha në fund: ‘Shih o burrë. Ndoshta krejt kjo çka më the ti sot, nuk do të ndodhë kurrë. Mund të jenë të gjitha të pamundura. Por, pse të mos ëndërrojmë kështu. Nëse do të bëhemi si shqiptarë me dy shtete pas njëqind viteve, teksa gjithçka nisi këtë ditë në Vlorë, me 28 nëntor të vitit 1912, atëherë, e di që ia paska vlejte. Shumë bile. Shumë më tepër se sa që kam menduar’.

2

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme