Restaurimi politik i vitit 1998 në Serbi 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 07.11.2023 08:52 07.11.2023 08:52 Skena politike e Serbisë në vitin 2023, gjithnjë e më shumë, po i përngjet asaj të vitit 1998. Në fakt, gjithçka është e njejtë, sa i përket pushtetit, vetëm po mungon Slobodan Milosheviq, atëbotë President i RFJ-së (Jugosllavisë së atëhershme). Por edhe për këtë mungesë, siç do të kuptohet më tutje, është gjetur zëvëndësimi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është në ballë të ndërmarrjes së ‘restaurimit’ të Serbisë së vitit 1998, në kuadër të fushatës së tij për zgjedhjet e reja (të jashtëzakonshme) parlamentare, të cilat në Serbi do të mbahen me 17 dhjetor. Ky vet nuk është fare në garë për asgjë, sepse nuk ka pretendime konkrete për ndonjë post, as si deputet, dhe as si kryeministër (eventual). Madje, Vuçiq, që nga maji i këtij viti, nuk është më as Kryetar i SNS-it, partisë më të madhe në Serbi, që është në pushtet që nga vitit 2012. Por, realisht, Vuçiq, me vet faktin që emri dhe mbiemri i tij është në krye të Listës së Koalicionit të prirë nga SNS, dhe me mënyrën se si po e udhëheq këtë kampanjë zgjedhore, është në garë për gjithçka, apo, ai dëshiron me çdo kusht që edhe kësaj here Koalicioni i tij të ngadhnjejë në zgjedhje. Është punë jete a vdekje. Është punë mbijetese të Serbisë dhe të kombit serb, apo humbjes së pushtetit nga partitë tradhtare. Njëlloj si në vitin 1998, kur këto fjalë i thoshte Slobodan Milošević, në atë kohë, gjithsesi në kontekstin e luftës në Kosovë. Vučić ka mëkëmbur, realisht, SRS-in (Partinë Radikale Serbe), të cilën ky dhe ish-Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolić, e patën braktisur në vitin 2008, në kohën kur Vojislav Sheshelj, lideri i saj ishte në Hagë, duke u përballur me akuzat për krime lufte në Tribunalin e Hagës. Ai do të dënohet me dhjetë vjet për rolin që kishte në luftën në Kroaci. Te tre liderët e atëhershëm të SRS-in tani janë bashkuar (sërish). Vučić ka kthyer në politikën serbe Tomislav Nikoliqin, teksa ka bërë koalicion edhe me Vojislav Šešeljin, në garën për pushtetin në Beograd. Në anën tjetër, Ivica Dačić, Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Kryetari i SPS-it (Partisë Socialiste të Serbisë), në Listën e kandidatëve të tij për deputetët në Kuvendin e Serbisë, në numrin tre ka propozuar Marko Milosheviqin, nipin e Slobodan Milosheviqit. Sa për ta mbushur atë zbrazëtinë e cila u përmend në krye të këtij shkrimi. Për vite dhe decenie me radhë, si Aleksandar Vuçiq ashtu edhe Ivica Daçiq, të cilët janë së bashku në pushtet që nga viti 2012 (dhe që kanë qenë gjithsesi partner në vitet 1998, 1999, në vitet e luftës në Kosovë), janë munduar me mish e me shpirt (dhe me të gjitha mënyrat e tjera), të dëshmojnë para ndërkombëtarëve që nuk kanë gjë të përbashkët me radikalët dhe socialistët e dikurshëm, apo, që diskontinuiteti është parimi i tyre prijës, dhe që këta, në SNS dhe SPS janë bartës të një orientimi pro-evropian dhe pro-perëndimor. Çfarë po bëjnë Vuçiq dhe Daçiq ditëve dhe javëve të fundit është e denjë për konstatimin që këta po kthehen në origjinë, të cilën në të vërtetë kurrë nuk e kanë braktisur, apo që këta ty liderë janë munduar, dhe kanë arritur që të kenë kontinuitet të plotë të funksionimit (në pushtet), të binomit të radikalëve dhe socialistëve, i cili u instalua në vitin e largët 1998. Nëse krahasohet diskursi i tyre në vitin 1998, me atë të këtij viti 2023, do të vërehet që asgjë nuk ka ndryshuar, që gjithçka është e njejtë, në realitet. Ndryshimi i vetëm, mbase, lidhet me fuqinë e tyre. Atëherë, 25 vjet më parë, socialistët dhe radikalët ishin në rënie e sipër, mbi të gjitha për shkak të zhvillimeve në Kosovë dhe rreth Kosovës, gjë që do të konfirmohet në tetorin e vitit 2000, kur Slobodan Milosheviq ra nga pushteti. Tani, Vučić dhe Dačić janë shumë më të fortë se një çerek shekulli më parë. Gjasat janë të mëdha që këta sërish do t’i fitojnë zgjedhjet dhe do të rimarrin pushtetin. Nga kjo perspektivë politike, sekush që njeh sadopak raportet e Kosovës dhe Serbisë, do të mund të konkludojë që gjasat që Kosova të normalizojë marrëdhëniet me një Serbi të këtillë gravitojnë kah zeroja. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.