Resetimi i dialogut 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 17.09.2023 10:26 17.09.2023 10:26 Nuk ka qenë e vështirë të parashikohet rezultati i ballafaqimit të fundit në Bruksel, me 14 shtator, në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të lehtësuar nga Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Thjeshtë, në ditët para këtij takimi, nuk ka pasur shenja pozitive që kësaj here, mund të ketë një epilog ndryshe, më pozitiv, se herave të kaluara. Thuhet që kur hyn në një tren të gabuar (e jo në atë për të cilin ke blerë buletën), të gjitha stacionet e mëpasme janë njëlloj të gabuara. Nuk mund të ketë pra, me një zhvillim të denjë për mrekulli, kthim të drejtimin e duhur. ‘Binarët e trenit’ i cili duhet të çojë kah normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, u vendosën goxha mirë përmes Nismës franko-gjermane një herë, që më pas mori trajtën e Propozimit Evropian dhe Marrëveshjes Themelore, e cila u pranua gojarisht nga te dy palët në Bruksel, me 27 shkurt. ‘Lokomotiva’ e cila duhej ta lëvizte drejtë dhe fuqishëm këtë ‘tren’, ishte paraparë të jetë Aneksi i Ohrit për zbatimin e Marrëveshjes Themelore. Megjithatë, për shkaqe të njohura, e të përmendura më parë shumë herë, jo vetëm këtu, por edhe në opinionin publik kosovar, ky Aneksi i Ohrit nuk solli atë ‘Orarin e udhëtimit’ të kësaj ‘Lokomotive’, i cili do të duhej të reflektonte, nen për nen (dhe pikë për pikë), përmbajtjen e Marrëveshjes Bazë. Këto Nene, sërish nëse mbetemi të ky krahasimi i gjithë kësaj ndërmarrjeje me një udhëtim me tren, kishin peshën e ‘stacioneve’ në të cilat domosdoshmërisht duhej të kalonte ‘treni’, për të mbërri në cak. Kështu si qëndrojnë punët, tash e gjashtë muaj të plotë (Aneksi i Ohrit u pranua me 18 mars), kjo ‘Lokomotivë’ nuk ka lëvizur fare askund, në asnjë drejtim, apo, ka ngecur në vend, sepse nuk ka dakordim në mes tri palëve (pos palës kosovare dhe asaj serbe, as të asaj lehtësuese apo ndërmjetësuese), se cila duhet të jetë ‘Harta e udhëtimit’. Ia vlenë sërish të theksohet, që njëlloj si me të gjitha Marrëveshjet e ngjashme në Botë, edhe fati i kësaj të Brukselit varet nga implementimi i saj. Nga ky pikëshikim, duket që nuk ka çka të thuhet shumë për fatin e kësaj Marrëveshjeje. Për më shumë, mund të supozohet, sërish me një saktësi të qëndrueshme, që nëse edhe tash e tutje vazhdohet me të njejtën mënyrë të trajtohet herë një çështje (si shtensionimi i gjendjes në Veriun e Kosovës), herë një tjetër çështje (aprovimi i Planit të Sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes), pa pasur një ide të qartë se si të jetësohen të gjitha dhjetë nenet e Marrëveshjes bazë (të cilat si të tilla, janë ‘terapi’ e mirë edhe për de-përshkallëzimin e situatës në Veri, dhe për të gjitha çështjet tjera kontesuese dhe problematike në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë), nuk do të ketë farë depërtimi substancial në drejtimin e duhur. Me gjasë, duhet aplikuar një lloj të ‘Resetimit’ të gjithë procesit të dialogut të Brukselit. Dhe atë, për të dytën herë brenda 12 muajve. A nuk ishte, zatën, një ‘Resetim’ i këtij lloji vetë nisma e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, e shpallur para një viti? Të jemi të qartë, kësaj radhe, ‘Resetimi’ ka më fund e krye karakter operacional, e jo thelbësor. Propozimi Evropian, i dalë nga kjo nismë, është i vetmi, i cili në trajtë të Marrëveshjes Themelore, është në qarkullim. Nuk ka tjetër. Por, Plani i zbatimit të saj ende nuk është dakorduar dhe ai, për më shumë, nuk reflekton tërësinë e kësaj Marrëveshjeje, gjë që në këto raste është e domosdoshme. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si i tillë, duhet të normalizohet, apo, të përqëndrohet i tëri në arritjen e dakordimit për implementimin e dhjetë neneve të tij. Në këtë mënyrë do të ndodhte ai ‘Resetimi’ aq i duhur i këtij procesi në Bruksel. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.