Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rendi i hapave

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.12.2025 12:24

Unë di të ndalem.

Kjo ishte përgjigja kategorike e Stalinit në pyetjen të cilën gjatë Konferencës së Jaltës  (shkurt, 1945), ia bënë Presidenti i Amerikës, Franklin Roosevelt dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, Winston Churchill, pasi Stalin foli për Hitlerin.

Stalin, në përshkrimin e tij të prijësit të Gjermanisë Naziste, pohoi shkurt: ‘Ai është një strateg i pashoq ushtarak. E meta e tij është se nuk di të ndalet’.

Natyrisht, pyetja e Presidentit amerikan dhe Kryeministrit britanik kishte të bëjë me aftësinë e Stalinit për t’u ndalur.

Ai e pohoi këtë aftësi.

Ishte dimri i vitit 1945, kur Nazizmi ishte në grahmat e tij të fundit dhe kur Evropa duhej të ndahej midis fitimtarëve të luftës.

Do të kalonin pak muaj pas fitores së madhe në Evropë, kur amerikanët do të kuptojnë  (më së shumti falë ‘Telegramit të gjatë’ nga Moska të George Kennanit), që Stalin nuk do të ndalet, sepse kjo është natyra e mirëfilltë e carizmit rus të transformuar a shndërruar në ndërkohë në Perandori komuniste.

Amerika e kishte ndarë mendjen të tërhiqej nga Evropa. Kështu edhe do të ndodhte po mos të ishin shenjat e qarta që Stalin do të ndalet vetëm atëherë e kupton që nuk ka qare, apo që nuk ka tjetër rrugë.

Në këtë mënyrë u krijua Aleanca Veri-Atlantike në vitin 1949 dhe po ashtu, një vit më parë, në vitin 1948 u shpall Plani Marshall.

Plani mori emrin sipas George C. Marshall i cili ishte Sekretari amerikan i shtetit.

Në vitin 1953, ai do ta merrte edhe Çmimin Nobel për paqe.

Këtë Çmim, realisht dhe vazhdimisht, që prej vitit 1949 e ka merituar Pakti NATO.

Nuk do të kishte paqe në Evropë pa NATO-n.

Sidoqoftë, me Planin Marshall, SHBA-ja mëkëmbi ekonomikisht Evropën perëndimore të bërë shkrumb dhe hi në Luftën e Dytë Botërore, teksa me Aleancën Veri-Atlantike e shpëtoi këtë Evropë nga mësymja e Bashkimit Sovjetik për ta gëlltitur Evropën e mbetur.

Ky ishte një kërcënim serioz.

Pra, Amerikën e mbajti Rusia në Evropë.

Në të kundërtën, historia e pas-vitit 1945 në Evropë do të zhvillohej krejtësisht ndryshe.

Me gjasë, Komunizmi do të ngadhnjente ’përbrenda’, në Itali, Francë, Greqi, etj. Me ndihmën e ’vogël’ të Moskës.

Pakti NATO nuk është krijuar të luftojë me dikë për arritjen e qëllimeve politike. Ciladoqofshin ato.

NATO është themeluar që ta garantojë dhe ta sigurojë paqen në Evropë. Që askush pra  (atëherë mendohej vetëm në Bashkimin Sovjetik), të mos i sulet ndonjë shteti evropian, apo edhe Amerikës më pas.

Nuk e ka besuar askush që ky rezon politik do të ri-shfaqej në Evropë tre çerek shekulli më vonë. Dhe atë, pas vetë-shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Lagerit komunist në vitet 1989-1991.

Para se kjo të ndodhë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron madje foli që NATO është ‘klinikisht i vdekur’. Që Evropa duhet ta marr përsipër edhe mbrojtjen e saj. Etj.

Gjendja dukej e keqe. Njëmend.

Ama sërish gjithçka do të ndryshojë falë Moskës, e cila tani ishte kryeqytet i Federatës së Rusisë dhe seli e një perandori të ri të quajtur Vladimir Putin.

Putin do t’ia mësyjë Ukrainës i bindur që Evropa është e ndarë dhe e përçarë, që Amerika është në tatëpjetën e saj të madhe, që vet Ukraina nuk do të mund të rezistojë më shumë se disa ditë, më në fund që NATO njëmend është ‘klinikisht i vdekur’.

U kuptua, në kryeqendrat perëndimore, që ajo thënia për Stalinin, tani vlen edhe për Putinin: Ky nuk di të ndalet dhe nuk do të ndalet nëse Perëndimi nuk ri-shfaqet me gjithë potencialin e vet politik dhe ushtarak.

Po të binte Ukraina shpejt, siç dëshironte Putin, ai njëmend nuk do të ndalej. Kush e di ku kishte mbërri.

Natyrisht, këtu letrat janë ende të çelura.

Ukraina nuk ka humbur. Por, asaj nuk i janë krijuar kushtet as të fitojë. Sepse Perëndimi po i druan konfliktit të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë, i cili në ato vitet e pasluftës u pamundësua falë armëve bërthamore amerikane. Pastaj, paqja midis dy superfuqive u mbajt falë ‘Baraspeshës së frikës’  (nga lufta shfarosëse atomike).

Megjithatë, Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saja, sollën te dyert e Brukselit, si shtete të reja të Paktit NATO, Finlandën dhe Suedinë. Pastaj, realisht, roli rus nuk ka qenë kurrë më i vogël në Ballkanin Perëndimor se sa në vitet e fundit. Në anën tjetër, dihet që Armenia doli nga orbita ruse.

Lufta në Ukrainë herët a vonë do të merr fund. Dhe më pas, do të duhej të kryhej puna  (një herë e mirë), në Ballkanin Perëndimor. Që të sigurohet një paqe afatgjatë këtupari.

lajme të ngjashme