Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Qëndrimi në këmbë pranë katër ulëseve

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 13.12.2025 12:29

Politika e jashtme e Serbisë, në njëzet vitet e fundit, pra prej vitit 2005 e këndej, bazohet në katër shtylla, apo, siç thuhet më praktikisht, në katër ulëse: SHBA, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kina.

Në raportin më konkret të Serbisë me BE-në, me synimet e saja për tu bërë anëtare e BE-së, ndërsa dihet që kusht për të mbërri në Bruksel është njohja e realitetit në Kosovë dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me te (përmes njohjes formale), qëndrimi i Beogradit zyrtar ka qenë dhe mbetet: Edhe Kosova, edhe BE-ja.

Ta merr mendja pra, si në këtë relacionin e Serbisë ndaj Botës, ashtu edhe në marrëdhënien e saj me Kosovën, ajo ka të drejtë ta aplikojë qasjen e ‘Tavolinës suedeze’.

Mund të marrë çka të dojë dhe kur të dojë.

Në masë të madhe, kjo qasje fare irracionale e Beogradit zyrtar ka qenë e determinuar nga një bindje e elitave politike në Serbi, që ky shtet është ndëshkuar keq dhe pa kurrfarë faji nga Perëndimi në vitet e nëntëdhjeta, veçmas kur bëhet fjalë për Kosovën (fushata ajrore e Aleancës Veri-Atlantike), dhe që disi, me një politikë të këtillë ‘gjithëpërfshirëse’ mund të zhbëhen disfatat e mëdha historike dhe politike të atyre viteve dhe Serbia mund ta ri-fitojë një pozitë në rajon të cilin asnjëherë nuk e ka merituar në historinë e Shekullit XX.

Kështu, politikat e Serbisë në këto dy dekadat e fundit janë ndërtuar mbi një vlerësim krejtësisht të paqëndrueshëm, që SHBA-ja, BE-ja, Rusia dhe Kina kanë, tek e fundit, më shumë interes prej Serbisë se sa anasjelltas, dhe që për këtë shkak, do t’i shkojnë për shtati synimeve rajonale dhe ndërkombëtare të Serbisë.

Nga pikëvështrimi i Beogradit zyrtar del pra që Washingtoni, Brukseli, Moska dhe Pekini, kanë në mend përherë Serbinë dhe çka duhet bërë për të për ta rehatuar atë në këto anë të Evropës.

Çka është më e keqja, falë kësaj politike të elitave qeverisëse në këtë shtet, edhe shumica dërrmuese e qytetarëve të Serbisë e ka këtë mendim.

Por në javët e fundit ka nisur procesi i bankrotimit të keq të kësaj politike, e cila, ndryshe, ka qenë e predestinuar të dështojë, herët a vonë.

Gjithçka nisi me sanksionet amerikane ndaj NIS-it (industrisë së naftës), ku kërkohet troç që hisja ruse në NIS (mbi 56%), të hiqet plotësisht.

NIS i është shitur, apo thënë më mirë, i është falur palës ruse në vitin 2008 për 400 milionë Euro, me qëllim të pastër politik, në mënyrë që Rusia ta pamundësojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Sot, NIS vlen katër miliardë Euro, teksa pala ruse nuk do t’ia shesh pjesën e saj Serbisë, por dikujt tjetër.

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili me këmbëngulje ka refuzuar të aplikojë sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj ndaj Ukrainës (në vitin 2022), tani nuk ka tjetër pos që ta lusë Brukselin zyrtar që të mos përjetojë kolaps në sektorin e energjisë, ku thuaja kryekëput varet nga Rusia.

Koha pra kur lideri serb mundohej me mish e me shpirt që të balancojë disi në këtë politikën e ’katër karrigeve’ ka skaduar. Për më shumë, ai ka nisur të jep shenja që e ka kuptuar këtë lajm të keq për te dhe për një politikë krejtësisht të gabuar të Serbisë ndaj rajonit, ndaj Evropës dhe ndaj Botës.

Jo që nuk është më rendi i ’katër karrigeve’, por me politikën e deritashme të Beogradit zyrtar, mund të ndodhë që Vuçiq të mos ketë më ku të ulet fare, apo, të mbetet në këmbë.

Ballafaqimi i tij dhe i Beogradit zyrtar me realitetin me siguri do të jetë i dhimbshëm, pos tjerash, sepse edhe brenda shtetit ai tash e më shumë se një vit është i sprovuar keq nga Lëvizja studentore.

Duket që Presidenti i Serbisë para vetes nuk ka më shumë opsione: Por vetëm një.

Atë të orientimit kah Perëndimi, i cili pos tjerash, do të nënkuptonte edhe arritjen e një Marrëveshjeje të mirëfilltë për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës.

Zatën, kjo Marrëveshje do të ishte konfirmimi më i mirë që Beogradi është kthyer mbarë dhe që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të hyjë në një fazë të stabilitetit afatgjatë.

lajme të ngjashme