9:09, 8 Nëntor 2016 Autor: Gazmend Syla

New York, 8 nëntor – Hillary Clinton nuk është parë në California, këto dhjetë ditët e fundit. As në Teksas. E ka injoruar edhe shtetin që llogaritet të jetë i saji, New York.

As Donald Trump nuk ka qenë në këto shtete. Madje, këto rrallë janë përmendur edhe në media, kur bëhet fjalë për fushatën zgjedhore të dy kandidatëve për president të Amerikës.

Tri shtetet në fjalë, por edhe më tepër se 30 tjera, nga 50 sa i ka krejt SHBA, konsiderohen të jenë jointeresante për zgjedhjet. Në to dihet se qysh votojnë qytetarët dhe cili kandidat fiton, prandaj, nuk merret kush me to. Kalifornia për shembull dihet se është e demokratëve, sikur edhe New Yorku dhe shumë shtete tjera në verilindje e perëndim të Amerikës. Ato tashmë kanë marrë emrin shtetet “blu”, ngjyrë kjo me të cilën identifikohen demokratët. Teksasi, me pothuajse të gjitha shtetet tjera përreth, dhe ato të mesit të Amerikës, janë “pronë” e republikanëve ndërsa identifikohen si të “kuqe” . Për rrjedhojë, këtu e ka të sigurt fitoren Trump, ndërsa në të parat, Clinton.

Për këtë arsye, kandidatët nuk kanë bërë asnjëfije fushatë në to. Të dy janë fokusuar në rreth dhjetë shtete tjera, që njihen si të”pavendosura” dhe të cilat mund të jenë edhe të “kuqe”, por edhe “blu”, sikur që janë Florida, North Carolina, Pennsylvania, New Hampshire, Ohio, Iowa, Michigan…Trump dhe Clinton, ose surrogatët e tyre, kanë kaluar shumicën e kohës, dhjetë ditët e fundit, në këto shtete. Në fakt, republikani i dha fund fushatës së tij në Michigan, pak para orës 1 të ditës së sotme, ndërsa demokratja në North Carolina, pothuajse në të njëjtën kohë. Ata, po ashtu, kanë paguar para të majme për të transmetuar reklamat e veta në stacionet televizive që transmetohen në to.

Por pse amerikanët, duke përfshirë edhe vetë garuesit, janë të sigurt se shtetet e kuqe janë të kuqe dhe blutë janë blu, në të shumtën e zgjedhjeve?

“Kjo ka të bëjë me zgjedhjet, projeksionet dhe të dhënat e mëhershme”, thotë Christina Greer, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Fordhamit gjatë një takimi me një grup gazetarësh nga e gjithë bota, që me ftesë të qeverisë amerikane po i mbulojnë zgjedhjet këtu, ne mesin e të cilëve është edhe Klan Kosova. “Nëse shohim pak në pesë ose gjashtë palë zgjedhjet e kaluara dhe shohim se New Yorku vazhdimisht ka qenë blu dhe asgjë nuk ka ndryshuar, atëherë mund të themi me siguri se New Yorku do të jetë blu”.

Në fakt, siguria se këto shtete do ta votojnë këtë apo atë kandidat, krijohet edhe nga shifrat e daljes në votime, numrin e të regjistruarve si demokratë apo republikanë dhe mënyrën si kanë votuar ata më herët.

Se votimet në grupin e shteteve të kualifikuara të kuqe apo blu nuk ndryshon gjë e ka thënë edhe Jefrey Pollock, themelues dhe president i “Global Strategy Gruop”, e specializuar për sondazhe.

“Mënyra me të cilën mund ta shpjegojmë nëse sondazhet ndikojnë në perceptimin e njerëzve për të votuar është të shikohet një shtet si puna e Teksasit, ku votat nuk kanë fare peshë, sepse e dimë se atje do të votohet republikani, ose një shtet si New Yorku, ku e dimë se këtu do të votohet demokrati”, ka thënë ai gjatë ligjëratës për perspektiven liberale të fushatës zgjedhore.

Duke patur parasysh këto, sot amerikanët i mbajnë sytë te votimet në ato që njihen si shtete të betejës, e që janë Florida, Ohio, North Carolina, Pennsylvania dhe tre-katër tjera.

Lajme të tjera