12:49, 1 Tetor 2019 Autor: Andi Bushati

Le të jemi të qartë, vendimi i këtij komisioni, reputacioni i të cilit vështirë se mund të diskutohet, ka dy anë.

Në njërën ai e mbron kreun e shtetit nga procedura për shkarkim që ka nisur shumica parlamentare. Këtu ai është i qartë dhe e thotë e zeza mbi të bardhë se nuk ka ndodhur asnjë shkelje e kushtetuese që mund të justifikojë një precedent të pa dëgjuar më parë në Shqipëri.

Pjesa më e diskutueshme, ajo që e ka  bërë Ilir Metën të shfaqet si “Luani i Venecias” që sfidon çdokënd, nuk i jep atij të drejtë për anulimin e 30 qershorit. Këtu përfundimi i ekspertëve është se ai i ka tejkaluar kompetencat që i jep kushtetuta.

Dhe pikërisht kjo është pika e cila kërkon sqarim.

Për të kuptuar atë është e domosdoshme të dimë se si funksionon Venecia. Ajo duhet imagjinuar si një laborator i cili bën analizën e materies që i jepet, për të nxjerrë përfundimet. Ajo shikon kushtetutën dhe ligjet e shkruara mbi letër dhe argumenton se si duhet të sillen personat që janë objekt i tyre. Me një fjalë ky komision nxjerr përfundimet optimale për situata dhe kushte normale.

Por, fatkeqësisht Shqipëria nuk është në një situatë të tillë.

Unë jam i sigurtë se, të vendosur në një pozicion tjetër, ata juristë dhe eruditë që gjykuan kazusin e 30 qershorit, do ti dënonin me të njëtin metër edhe ngjarje që kanë ndodhur kohët e fundit. Për ta do të qe e papranueshme ajo që bënë kuksianët kundër koncesionarit dhe shtetit që kish vendosur ti grabiste me taksën e rrugës. Për ta do konsiderohej e tillë protesta e dhunshme e unazës së re, megjithëse aty po u prishen shtëpitë e banorëve në emër të vjedhjes së dhjetra milionë eurove. E tillë do të quhej edhe tentativa për të mbrojtur teatrin, për të zaptuar godinën, megjithëse ata që duan të përfitojnë me anë të kësaj afere kanë shkelur me dy këmbët kushtetutën. Po e njëjta logjikë mund të përdorej për djegjen e mandateve, bojkotin e zgjedhjeve lokale e kështu me radhë.

Pra, në kushte normale, shumë pjesëza të pazëllit të rezistencës anti rregjim në Shqipëri do të dukeshin anormale. Por, ne nuk jemi një vend i tillë, ndaj edhe për këtë kemi votuar ligje si ai i dekrîminalizimit apo ai i vettingut, që do ti ngrinin qimet e kokës përpjetë çdo konstitucionalisti serioz.

Pak a shumë me këtë anormalitet ka dashur të përballet Ilir Meta.

Prandaj, nga laboratori i tij qibar, komisioni i Venecias është i ndershëm kur thotë se presidenti i tejkaloi kompetencat me anullimin e 30 qershorit. Ai ka logjikë të fortë kur argumenton edhe pasojat që rrjedhin prej kësaj. Problemi i tij i vetëm është se nuk merr parasysh kontekstin autoritaro monist, që shërbeu si skenë e ngjarjes që analizoi.

Pyetja të cilës ai nuk i jep përgjigje është se ç’duhet të bëjë, një grupim qytetarësh, një forcë politike, një autoritet shtetëror, në një mjedis ku shkelet çdo e drejtë dhe ku ligji përdoret si armë në duart e pushtetit (siç tregoi edhe në 30 qershor mosbotimi në fletoren zyrtare i dekretit, rrëzimi i tij nga KQZ e kapur dhe Kolegji Zgjedhor i frikësuar nga vettingu, që u vunë re dhe nga OSBE ODHIR). A mos vallë duhet që ata të kthejnë faqen tjetër kur ndjejnë një goditje të padrejtë?

Mes këtij konflikti, ndërmjet të ligjshmes dhe legjitimes, të cilit nuk i ka dhënë dot përgjigje Venecia, është ngatërruar edhe Ilir Meta. Gafa e tij e vetme ishte se besoi që, në kuadër të një shtei autoritar, mund ti harmonizonte të dyja. Dhe duke kujtuar se ia kishte arritur bëri deklaratën e nxituar të dorëheqjes (nëse Venecia i gjente shkelje).

Pikërisht, ky bast i humbur, po e shtyn sot të shfaqë zemërim, të ushqejë teori konspirative dhe të sulmojë gazetarë.

Në fakt Meta duhet ta ndajë mendjen: askush nuk e ka luksin për të qenë ligjërisht e politikisht korrekt, kur ka vendosur të ndeshet me një rregjim.

Nëse e bën këtë llogari, nuk ka pse të ndihet i zhgënjyer dhe as të sillet nervoz.

Vetëm pranimi i këtij realiteti e bën të gjejë paqe me verdiktin se “ka tejkaluar kompetencat”, duke mbrojtur diçka më të madhe. Vetëm nëse e ka seriozisht këtë betejë, ai nuk ka arsye të sillet si humbës.

Lajme të tjera